1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Ministrat e financave shtojnë presionin ndaj Greqisë

Shefat e financave të vendeve anëtare të BE-së janë të pakompromis, kur është në pyetje Greqia: kreditë tjera do të jepen vetëm pasi që parlamenti grek të ketë miratuar planet për kursime dhe programin e privatizimit.

default

Debate të shumta

Ministrat e financave të shteteve anëtare të BE kanë rënë dakord që të paguhet kësti tjetër i ndihmave për Greqinë në vlerë prej 12 miliardë euro. Por, parlamenti grek më parë duhet të miratojë planet për kursime dhe programin e privatizimit në vlerë prej 50 miliardë euro, deklaroi ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble.

Në foto, Wolfgang Schäuble

Në foto, Wolfgang Schäuble

„Greqia nuk mund të kursehet nga ky vendim. Prandaj e kemi thënë qartë: kur Greqia premton se do të realizojë obligimet e veta dhe kur t'i realizojë ato, ne do të krijojmë parakushtet për pagesën e këstit tjetër të kredisë, ashtu siç kemi premtuar“, tha ai.

Mosmarrëveshjet greke

Mirëpo nuk është fare e sigurt nëse me këto plane dakordohet edhe lideri i opozitës konservatore Antonis Samaras. Shokët e partive të ngjashme evropiane janë duke përpunuar planet më të reja për Greqinë, të cilat duhet të miratohen edhe prej tij. Pasojat as që mund t'i paramendosh, në qoftë se nuk krijohet shumica e duhur parlamentare, pohon kryetar i grupit të Euro-zonës Jean-Claude Juncker.

„Qeveria greke dhe parlamenti grek duhet të dinë se kjo duhet të ndodhë. Në të kundërtën... në të kundërtën... (i bie tavolinës me grusht)“, është nervoz Juncker.

Falimentimi grek

Euro-Gruppen-Präsident Jean-Claude Juncker warnt vor Übergreifen der Euro-Krise

Jean-Claude Juncker

Në një rast të këtillë nuk do të paguhen para shtesë në drejtim të Athinës dhe shteti grek do të falimentojë në korrik. Për BE-në është ky një skenar horror. Komisioneri për euron Olli Rehn megjithatë ka mirëkuptim për zhgënjimin e madh të nejrëzve në shumë vende të Evropës.

„Kohërat janë të vështira. Lodhja nga reformat mund të shihet në rrugën e Athinës, Madridit dhe gjithandej. Por në shumë vende tjera shihet edhe lodhja nga mbështetja e këtyre avendeve. Ne kemi nevojë për këtë rrugë dhe ndërtimin e urave, në qoftë se duam të mbetemi në kursin e reformave“, pohon Rehn.

Në qoftë se merren vendimet e duhura, do të bëhen edhe pagesat sipas planeve. Vendet anëtare në zonën e euros janë të interesuara për të ndihmuar Greqinë. Ndërkohë është e qartë se në këtë paketë do të marrin pjesë edhe bankat private, por vetëm mbi baza vullnetare. Ministri Schäuble thotë se vendimi ishte i vështirë.

„Në njërën anë, pjesëmarrja duhet të jetë vullnetare, sepse mund të ketë pasoja. Mirëpo, në anën tjetër, duhet të ketë edhe rezultate konkrete“, pohon ai.

Griechenland Euro Krise

Çfarë të bëhet?Jean-Claude Trichet dhe Jean-Claude Juncker.

Se si do të marrin pjesë bankat në garancat për kreditë greke, mbetet të shihet. Lidhur me kuptimin e inkuadrimit në këtë proces të bankave private, foli edhe ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle, i cili poashtu ishte në Luksemburg.

„Gjermania varet shumë nga mirëqenia ekonomike e vendeve tjera evropiane. Prandaj është me rëndësi stabiliteti i Evropës dhe i monedhës së përbashkët, sepse kjo mbron vendet e punës edhe në vendin tonë“, tha ai.

Shumëkush në BE thotë se problemet e Greqisë me borxhe kanë në themel një problem i cili do të shpërthente heret apo vonë sepse të dhënat ekonomike dhe të buxheteve midis vendeve duhet të harmonizohen më mirë mes vendeve anëtare në Zonën e euros. Mirëpo vendet anëtare të kësaj Zone aktualisht po përpiqen të shuajnë zjarret akute, ndërsa çështjet parimore duhet të shtyhen për më vonë.

Autor: Christop Hasselbach / Bahri Cani

Redaktoi: Esat Ahmeti

DW.COM