1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Ministrat e Brëndshëm të BE konsultohen për politikën ndaj refugjatëve

Tragjedia me refugjatë në brigjet siçiliane mbledh sot (08.10) ministrat e Brëndshëm të BE-së në Luksemburg. Numri i viktimave ndërkohë nga fundosja e anijes në brigjet italiane ka arritur në 232.

default

Lampedusa, 06.10.2013

Nisur nga katastrofa e fundit tragjike me anijen para brigjeve të Lampeduzas, ministrat e Brëndshëm do të diskutojnë këtë të martë mbi një politikë më efikase në trajtimin e refugjatëve dhe mbi mundësitë e ndryshimit të ligjeve që ekzistojnëpër refugjatët. Kërkesat janë rritur në drejtim të Gjermanisë që të marrë më tepër njerëz që kërkojnë mbrojtje në mënyrë që të lehtësohen vendet e tjera të BE-së. Në këtë takim pritet të diskutohet edhe për konseguencat politike pas tragjedisë në brigjet siçiliane. Një tjetër problem që pritet të diskutohet në Luksemburg është edhe situata e re e krijuar nga një "fluks masiv". Në këtë rast a vlejnë ligjet e miratuara deri tani? Pas ngjarjes tragjike pati reagime të ashpra nga përfaqësuesit më të lartë të BE-së. Ministrat duhet të vendosin tani "nëse kjo histori horrori është gjithashtu një sinjal për të ndryshuar ligjin për azil apo jo“ , u shpreh Komisarja e BE-së për Drejtësi Viviane Reding në prag të takimit të Luksemburgut.

Edhe Presidenti i Parlamentit të Europës Martin Schulz, pas dramës së refugjatëve në brigjet e Lampeduzas u shpreh me tonë të ashpra ndaj politikës së migracionit të Bashkimit Europian. Refugjatët afrikanë kishin kërkuar në Europë „mbrojtje dhe shpresë“ por për këtë ata humbën jetën, tha Schulz në Strasburg. Ky është një problem europian dhe nuk mund ta pranoj faktin që vendet anëtare të BE-së thonë se nuk kanë më vend për njerëzit që kërkojnë të sigurojnë jetën, theksoi ai. Schulz megjithatë shpreson se tani do të ketë një pikë kthese në politikën e migracionit të BE-së.

Javën e kaluar nga mbytja e një anije me refugjatë humbën jetën mbi 230 njerëz. Anija ishte përfshirë nga flakët dhe u fundos pranë ishullit siçilian të Lampeduzas. Vetëm 155 vetë i kanë mbijetuar aksidentit, që ndodhi rreth 1 km larg brigjeve siçiliane. Mijëra emigrantë përpiqen të kalojnë mes vështirësish të shumta nga Afrika Veriore drejt Siçilisë apo ishujve të tjerë italianë çdo vit, duke i bërë të shpeshta të tilla aksidente, por ai i javës së kaluar ka qenë më tragjiku, me numrin më të madh të viktimave.