1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mini Shengeni Ballkanik

29 Shkurt 2012

Realizimi i idesë për një mini Shengen ballkanik, për lëvizjen e lirë të qytetarëve, po realizohet me sukses. Maqedonia ka nënshkruar marrëveshje me Serbinë dhe Shqipërinë për kalimin e kufijve me letërnjoftim biometrik

https://p.dw.com/p/14BpZ
Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: DW

Maqedonia dhe Serbia, pas nënshkrimit të marrëveshjes dhe ratifikimit të së njejtës në parlamentet e të dy vendeve, kanë mundësuar që qytetarët të kalojnë vendkalimet kufitare vetëm me letërnjoftim biometrik. Zëvendësministri i Punëve të Brendëshme të Maqedonisë, Xhelal Bajrami, thotë se mini Shengeni ballkanik për lëvizjen e lirë të qytetarëve, po realizohet pa probleme. “Pothuajse dy muaj po funksionon nënshkrimi i marrëveshjes me Republikën e Serbisë dhe qytetarët e të dyja shteteve po kalojnë nga njëri vend në tjetrin, vetëm me letërnjoftime biometrike”, shprehet Bajrami.

Maqedonia edhe me Shqipërinë ka nënshkruar marrëveshje për lëvizjen e lirë të qytetarëve vetëm me letërnjoftime biometrike dhe tani mbetet që marrëveshja të ratifikohet edhe nga parlamentet e të dyja vendeve. Me Kosovën ende nuk është nënshkruar një marrëveshje e ngjashme sepse Kosova sapo ka filluar dhënien e dokumenteve biometrike. “Akoma nuk janë të pajisur me letërnjoftime biometrike. Por sido që të jetë iniciativa jonë është mirëpritur nga pala kosovare, dhe ne presim, kur një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve kosovarë të pajisen me letërnjoftime biometrike, të nënshkruajmë marrëveshjen në fjalë dhe të mundemi edhe me Kosovën të kalojmë kufirin me këto dokumente”, thotë Bajrami.

Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: AP Graphics

Integrimi rajonal është parakusht formal për integrimet evropiane

Analisti për çështje të sigurisë, Stevo Pendarovski, është i mendimit se lëvizja e lirë e qytetarëve të rajonit vetëm me letërnjoftim biometrik, është e vonuar. Sipas tij nuk mund të pritet integrimi i vendeve të rajonit në BE, pa integrimin e brendshëm të këtyre vendeve. “Ne jemi të vonuar sa i përket procesit të lëvizjes së lirë të qytetarëve pa procedura të komplikuara, meqë integrimi rajonal është parakusht formal për integrimet evropiane. Bashkëpunimi më i ngushtë i vendeve të rajonit, paraqet edhe një mekanizëm të sigurtë për stabilitet në Ballkanin perendimor”, shprehet Pendarovski.

Për profesorin universitar Nazmi Maliqi, iniciativat për një mini Shengen ballkanik janë domethënëse dhe aktuale, kur dihet se vendet e Ballkanit Perëndimor synojnë integrimin në familjen e madhe evropiane. “Është një hap i standardeve të BE-s dhe të NATO-s, sepse përveç stabilitetit të brendshëm dhe të gjitha pikave të tjera që kërkohen për një antarësim të plotë, edhe bashkëpunimi rajonal ka domethënie me prioritet', thotë Maliqi.

Pamje simbolike
Pamje simbolike

Maqedonia dhe Shqipëria kanë pajtueshmëri edhe për instalimin e një pike doganore të përbashkët si dhe realizimin e lidhjes së drejtpërdrejtë hekurudhore nga porti i Durrësit deri në Strugë. Realizimi i këtij projekti është një hap para drejt thellimit të bashkëpunimit mes dy vendeve.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Esat Ahmeti