1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

"Millosheviqi është histori, mua më intereson e ardhmja"

Kryeministri i ardhshëm i Serbisë Ivica Daçiq nuk ka frikë nga sfidat dhe është i gatshëm ta çojë Serbinë drejt BE dhe të përmirësojë komunikimin me Prishtinën. Për këtë ai flet në intervistë me DW-në në Berlin.

DW: Të martën nënshkruat marrëveshjen e koalicionit ... Në të shprehet pëlqimi për të ardhmen evropiane të Serbisë, mbetjen e Kosovës pjesë e vendit, angazhimin e qeverisë së ardhshme për një luftë të ashpër kundër korrupsionit dhe krimit, si dhe reformat serioze dhe të gjithanshme ekonomike. Shumë do të thonin, se kjo është një deja vu e marrëveshjes së mëparshme qeveritare, që keni nënshkruar me Tadiqin?

Ivica Daçiq:  "Unë nuk e di se për çfarë tjetër mund të merren vesh partitë sot. Midis partive nuk ekzistojnë shumë ndryshime, përsa i përket programeve, mendoj se parimisht synimet e përgjithshme janë të tilla, që për to mund të bien dakord të gjitha palët. Dallime ka, kur shkohet më thellë, për çështjet ekonomike dhe sociale,  aty hyjmë në programet politike dhe ideologji, ose në terrenin, në të cilin partitë ndryshojnë. Në marrëveshjen e koalicionit shumë evitojnë që të flasin për detajet. Këtu në Gjermani, në qoftë se më kujtohet mirë, marrëveshja e koalicionit të Angela Merkelit  është një tekst 100 faqesh, sepse marrëdhënie kontraktuale merren seriozisht ...".

Marrëveshja juaj e re ka 18 faqe...

Daçiq: "Edhe me këto 18 është marrëveshja më e plotë në njëzet vitet e fundit. Ne jemi në fillim të përvojës, që çdo qeveri të ketë një program të detajuar për atë që dëshiron të bëjë në një periudhë të caktuar."

Fakt është se qeveria e re do të ketë të njëjtat vështirësi si edhe e para. Keni dashur të reduktoni papunësinë, nuk keni arritur. Problem  ka qenë Kosova, këtu ka mbetur status quo. Keni dashur të afroheni me BE, dhe afrimi nuk ka qenë i madh. A do të thotë kjo se qeveria e mëparshme ka punuar keq?

Daçiq: "Nuk do të thotë se ka punuar keq. Qeveria ka qenë e ngarkuar në rradhë të parë nga kriza ekonomike, e cila ka ndodhur disa muaj pas formimit të qeverisë. Qeveria ka qenë gjithmonë në hijen e marrëdhënieve kyçe politike në Partinë Demokratike. Qeveria, kur është fjala për PD-në, ka qenë gjithmonë në plan të dytë në krahasim me aktivitetin e presidentit. Ky është kob i zi kur presidenti dhe kryeministri vijnë nga e njëjta parti, ose kryeministri nuk është figurë, ose krijohet konflikt ndërmjet këtyre dy funksioneve. Për fat të keq kemi paguar të gjithë... Boris Tadiqi ka qenë edhe president, edhe kryeministër."

Ku mendoni se do të keni ndryshimet më të mëdha në krahasim me politikën e qeverisë së mëparshme?

Daçiq: "Mendoj se ndryshime do të këtë në pothuajse të gjitha segmentet. Se sa të dukshme dhe të shpejta do të jenë këto ndryshime, është e diskutueshme. Ne duhet të zgjidhim para së gjithash barrën e rëndë, që kemi në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, e kjo është Kosova dhe Metohia. Kjo është barrë që ne na shoqëron dhe duhet ta zgjidhim. Nga ana tjetër situata ekonomike dhe sociale është aq e rëndë, saqë është e nevojshme ta shohim situatën në një mënyrë krejtësisht të re dhe të shohim se si të vazhdojmë. Pres që deri në shtator qeveria e re të bëjë programin e rimëkëmbjes ekonomike, sepse në këtë mënyrë ne mund të funksionojmë."

Imazhi i zëdhënësit të Millosheviqit

Si e ndjeni ju veten si zëdhënësi i dikurshëm i Millosheviqit, për të cilin flitet gjithmonë në mediat gjermane?

Daçiq:"Thjesht nuk i kushtoj vëmendje kësaj. Millosheviqi është pjesë e historisë së kësaj partie, dhe unë duhet të shoh më tej. E kaluara nuk më intereson, sepse ajo nuk mund të ndryshohet, por mund të bëjmë diçka për të ndryshuar të ardhmen e vendit tonë. Mendoj se vitet e fundit nuk ka parti më konstruktive, se Partia Socialiste. Partnerët tanë evropianë e dinë që jemi të besueshëm dhe praktikë përsa i përket gjetjes së zgjidhjeve të aplikueshme."

Në bisedë me ministrin e Jashtëm qipriot Erato Markulis ju thatë se prisni datën për fillimin e negociatave me BE-në deri në fund të vitit. Deri tani, Serbisë, për të bërë një hap drejt BE-së, i është dashur të bëjë diçka në kompensim. Çfarë keni ndërmend të bëni për të arritur fillimin e negociatave?

Daçiq:"Ka shumë rëndësi që Serbia të dijë se çfarë bën. Të mos luajmë vazhdimisht lojën e objektivave të ndryshueshme. Dhe zyrtarëve të administratës gjermane u kam thënë se e tëra kjo lojë është një slalom në një hapësirë të vogël - e kur edhe kur hapet një derë e mbyllet një tjetër, atëherë kurrë nuk mund të arrini qëllimin. Prandaj është i domosdoshëm besimi reciprok, që të dihet, nëse duam dialog, çfarë ramë dakord dhe çfarë do të zbatojmë."

Po flisni për Kosovën?

Daçiq:"Po vetëm Kosova ka mbetur e diskutueshme. Ekziston pjesa e përgjithshme në lidhje me ecurinë e përgjithshme të Serbisë dhe do të përcaktohet në raportin e Komisionit Evropian në tetor. Pavarësisht nga kjo duhet të ketë përfunduar çështjet e përmendura në dhjetor mbi Kosovën. Këtu është fjala për zbatimin e marrëveshjes për telekomunikacionin dhe energjinë dhe që EULEX-i, KFOR-i dhe institucionet e tjera të mund të veprojnë në të gjithë territorin, dhe natyrisht mendohet në fillimin e dialogut politik për të cilin presidenti Nikoliq ka thënë se kjo nuk është e pamundur që të zgjidhet edhe në nivelin më të lartë shtetëror. Ky dialog do të përcaktonte se si të rregullojmë marrëdhëniet, që të mos dëmtohet rruga jonë evropiane, dhe në anën tjetër të mos e vendosim Serbinë në pozitë që me veprat e saj të njohë statusin e pavarur të Kosovës dhe Metohisë."

Pse mendoni se do të zhvillohet  ky dialog politik, kur duket se Qeveria në Prishtinë ka karta më të mira në dorë, dmth. Kosova de facto nuk varet nga Serbia? Pse do të binte tani Prishtina dakord për dialog politik?

Daçiq:"Unë mendoj se është dëshira e komunitetit ndërkombëtar, që të zhvillohet dialogu. Është e sigurt se secila palë në dialog do të ketë këndvështrimin e vet, por është e rëndësishme që të mbahet dialogu dhe që dhuna në marrëdhëniet midis nesh të dalë jashtë përdorimi."

Tomislav Nikoliq i ka siguruar votuesit se ka një plan të shkëlqyer për Kosovën, por që do tas zbulojë atë, nëse vjen në pushtet. A ju ka thënë se përse është fjala?

Daçiq:"Jo, nuk kam biseduar me të rreth këtij plani. Kur është fjala për Kosovën, mendoj se duhet të ketë një konsensus të gjerë të të gjithëve, që të gjithë të dimë se çfarë do të bëjmë."

A është për ju aktuale ideja për ndarjen e Kosovës?

Daçiq:"Për mua është aktuale, por pyetja është, se sa është aktuale për bashkësinë ndërkombëtare dhe shqiptarët. Unë ende besoj se kjo do të kishte qenë një nga zgjidhjet më të mira të mundshme. Unë mendoj se çdo gjë tjetër është në nivelin e angazhimit tim personal, që nuk e ka mbështetur askush në Serbi. Kjo është një çështje më pak e rëndësishme se normalizimi i situatës. Që të mos ketë më konflikt, terrorizim të njerëzve, që situata thjesht të normalizohet dhe të sundojë paqja dhe stabiliteti."

Nuk duhet të veprojmë kundër vetvetes

Si mendoni se do të arrini normalizimin, në qoftë se refuzoni të uleni në të njëjtën tavolinë me përfaqësuesit e Kosovës? Tadiqin e kanë gjuajtur me shkopinj dhe gurë për shkak se u takua me Thaçin në Dubrovnik ...

Daçiq:"Unë nuk i kam hedhur shkopinj dhe gurë Tadiqit se ai u takua me Thaçin. Por nëse ka dashur të bjerë në sy si burrë me kurajo, për të bërë këtë, atëherë duhej ta bënte si president. Dhe jo tani, kur nuk është më në detyrë. Përse nuk ka marrë guximin për ta bërë, kur ishte president? Se atëherë do të kishte patur ndonjë lloj efekti. Tani nuk ka asnjë efekt, veçse efekt të dëmshëm për të në elektoratin e Serbisë. Së dyti, ai dhe partia e tij na kanë kushtëzuar se nuk mund të shkojnë në takime në Evropë, nëse Kosova nuk është e përfaqësuar në mënyrë adekuate. Pra, nga vjen e drejta morale, që tani të sillen ndryshe?"

A do të tregoni ju si kryeministër këtë lloj trimërie, që Tadiqi, siç thoni, e ka treguar me vonesë?

Daçiq:"Natyrisht që po. Unë edhe deri tani kam thënë se nuk duhet t'i bëjmë dëm vetvetes. Disa herë kam qenë në një pozicion, kur është dashur të largohem nga takimi, sepse kishte ardhur ndonjë zyrtar i administratës së Kosovës që nuk është përfaqësuar në mënyrë adekuate. Dhe unë, si zëvendëskryeministër, duhet të tërhiqem nga takimi, ku ka qenë ndonjë i milionti në hierarkinë e administratës së Kosovës. Por kjo politikë është vendosur nga qeveria e Partisë Demokratike.

Intervsitën e zhvilloi: Nemanja Rujeviq / Berlin