1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Milioner nga fjalimet - kandidati socialdemokrat për kancelar Steinbrück

Me publikimin e të ardhurave të tij shtesë Steinbrück kërkon të japë një shembull për transparencë më të madhe. Reagimet në kampet politike ndaj veprimit të kandidatit për kancelar ishin tejet pozitive.

Kandidati për kancelar i Partisë Socialdemokrate Gjermane Peer Steinbrück mendohet të ketë fituar rreth 1,25 milionë euro midis viteve 2009-2012 si shpërblime për mbajtje fjalimesh. Ky është përfundimi në të cilin ka mbërritur një revizor nga Dyseldorfi i ngarkuar prej Steinbrück-ut, shkruante gazeta gjermane "Bild". Sipas saj, politikani socialdemokrat ka mbajtur gjatë kohës në fjalë 89 fjalime kundrejt shpërblimeve nga 1.000 deri 25.000 euro. Megjithatë, Steinbrück ka mbajtur edhe 237 fjalime pa pagesë, ndër të tjera në shkolla dhe në organizata për të mirën publike. Sa e sa herë Steinbrück ua ka përcjellë drejtpërdrejt paratë organizatave sociale, për shembull qendrës këshillimore për familjet "Pro Familia". Steinbrück pati paralajmëruar në fillim të tetorit zbulimin më të madh të mundshëm të të ardhurave të tij shtesë.

Kontribut për më shumë transparencë

Lista e honorareve për fjalime të socialdemokratit Peer Steinbrück, publikuar në 30.10.2012 në Berlin.

Lista e honorareve për fjalime të socialdemokratit Peer Steinbrück, publikuar në 30.10.2012 në Berlin.

Me publikimin e të ardhurave të tij shtesë Steinbrück kërkon të japë një shembull për transparencë më të madhe. "Unë po i kaloj shumë rregullat që vlejnë deri tani për transparencën", tha Steinbrück të martën në Berlin. Në të njëjtën kohë ai u bëri thirrje "partive konkurrente", që të marrin shembull prej tij dhe të miratojnë detyrime më të rrepta për zbulimin e të ardhurave shtesë të deputetëve. Sikurse u shpreh, Steinbrück nuk llogarit me irritim në radhët e partisë së tij për shkak të shpërblimeve të mëdha që ka marrë për punën e tij, megjithëse për disa njerëz që fitojnë pak këto mund të jenë "shuma marramendëse".

Reagime pozitive

Reagimet në kampet politike ndaj veprimit të kandidatit për kancelar ishin tejet pozitive. Të Gjelbrit e lëvduan Steinbrück-un  për bërjen publike të të ardhurave nga fjalimet. "Steinbrück-u e mbajti fjalën dhe i publikoi shpërblimet një më një", tha drejtuesi i punës parlamentare të Të Gjelbërve, Volker Beck. Tani e ka radhën koalicioni, shtoi ai. Bashkimi Kristiandemokrat-Kristiansocial (CDU/CSU) i falet me respekt kandidatit për kancelar të opozitës. Drejtuesi i punës parlamentare në fraksionin CDU/CSU Michael Grosse-Brömer e quajti "të drejtë dhe me vend kur një kandidat për kancelar krijon vullnetarisht qartësi në lidhje me atë, nëse në qendër të veprimtarisë si deputet kanë qenë mandati parlamentar apo veprimtaritë me mbajtje fjalimesh."

Sipas përllogaritjeve, prej 2009-s me të ardhura të tilla shtesë deputetët kanë fituar më shumë se 22 milionë euro. Kryesuese në renditje është Partia Kristiansociale (CSU). Në të kanë të ardhura jashtë punë parlamentare më shumë se 68 për qind e deputetëve. Te Partia Liberale janë gati 60 për qind dhe te Partia Demokristiane (CDU) erreth 55 për qind.