1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Mijatovic : Aksesi në internet e drejtë e njeriut

Aksesi i lirë në internet tek të gjitha informacionet - Pikërisht këtë ua pengojnë shumë shtete qytetarëve të tyre. Një shkelje e të drejtave të njeriut? Opinionet e Dunja Mijatovic nga OSBE.

Dunja Mijatovic e ngarkuara e OSBE-së për median

Dunja Mijatovic e ngarkuara e OSBE-së për median

Deutsche Welle: Znj. Mijatovic, Ju së fundi keni nënshkruar një deklaratë për lirinë e internetit. Të ngarkuarat ndërkombëtare për lirinë e medias nga katër kontinente në deklaratë theksojnë, se aksesi në internet është kyçi për pluralizmin dhe lirinë e mendimit në shekullin e 21-të. Sipas mendimit Tuaj a është aksesi në rrjetin mbarëbotëror të të dhënave një e drejtë e njeriut?


Dunja Mijatovic: Në të vërtetë interneti duhet të jetë një e drejtë e njeriut. Ne kemi një shembull të mirë, që është Finlanda. Atje qytetarët e kanë pretendim të garantuar me ligj akesin në interent. Edhe shtete të tjera duhet ta ndjekin këtë shembull. Në disa vende të tjera evropiane po bëhen përpjekjet përkatëse, por deri më tani pa rezultat. Në rajonet problmeatike të botës për qytetarët aksesi në rrjet nuk është i mundur, madje as kushtet teknike të telekomunikacionit nuk ekzistojnë. Së bashku me të tjerë luftëtarë për lirinë e medias ne përpiqemi që të krijojmë vetëdijen për këto probleme në shoqërinë tonë. Por për të arritur vërtetë diçka ne na duhet të bëjmë shumë.

Si mundet që të mbrohet interneti ndaj përpjekjeve të qeverive apo koncerneve për ta kufizuar aksesin në të, ose për të vendosur filtra të caktuar? Nga pikëpamja teknike është e lehtë që ta ndërpresësh internetin.

Mund të thuash, që teknikisht është e lehtë, por edhe kaq e lehtë nuk është. Nëse ju përpiqeni të bllokoni diçka dhe njerëzit e kuptojnë, që atyre po u hiqen të drejtat, atëherë në shumciën e rasteve ju gjeni një rrugë, për t' iu shmangur kësaj bllokade. Shumë regjime totalitare përpiqen të vendosin bllokada, jo vetëm për arësye të sigurisë ndërkombëtare apo për luftën ndaj veprimeve ilegale si abuzimi me fëmijë, por për një arësye tjetër: Ato nuk duan që njerëzit të informohen. Ata duan që t'i bëjnë të heshtin kritikët dhe të ndalojnë diskutimet për tema të caktuara. Sepse e vetmja mbrojtje demokratike që kemi ne, është të ngremë zërin tonë. Ne duhet të sqarojmë me zëra të bashkuar, se sa i rëndësishëm është aksesi i lirë. Nga ana tjetër ne nuk vemë në diskutim për asnjë qeveri të drejtën, që t' u kundërvihet veprimeve ilegale në internet. Por kjo kurrësesi nuk duhet të shërbejë si justifikim për t'u mbyllur gojën kritikëve. E për fat të keq një gjë e tillë ndodh shpesh.

Le të hedhim një vështrim më nga afër në në sferën e OSBE-së në një vend, si Turqia. Atje ka një ligj të ri, që përcakton përdorimin e filtrave në internet, të cilat duhet të ndalojnë në faqet e internetit fjalë të tilla si "homoseksual" apo "lakuriq". Çfarë u thoni ju autoriteteve turke për këtë? A mund ta pranoni ju këtë?


Natyrisht kjo nuk mund të pranohet. Unë e kam trajtuar shpesh herë këtë çështje me qeverinë turke. Unë i kam shkruar ministrit të Jashtëm të Turqisë një letër, ku jam pozicionuar publikisht. Por më e rëndësishme është, që shoqëria turke, përdoruesit turq të internetit dhe qytetarët ta thonë fjalën e tyre: 'Një gjë e tillë është e papranueshme'. Unë përpiqem t' i bëj të qartë qeverisë turke, se ky ligj është kundër rregullave të Organizatës për Sigurinë dhe Bahskëpunimin në Evropë (OSBE). Lirinë e medias dhe lirinë e internetit ne nuk e kemi zbritur nga qielli. Ato janë shtyllat themelore të OSBE-së, që janë pranuar vullnetarisht nga të gjitha shtetet anëtare të OSBE-së, të BE-së dhe të OKB-së. Ne të gjithë kemi të njëjtat të drejta themelore.

A mund të përmendni disa shtete të tjera të OSBE-së, ku pengohet aksesi në internet?

Ne natyrisht kemi probleme në Bjellorusi. Duhet të përmendim Bjellorusinë, sepse pikërisht tani shohim, që njerëzit merren në pyetje, që atyre u sekuestrohen pajisjet, e kjo vetëm sepse gjithçka ka të bëjë me shprehjen e lirë të mendimit është e dyshimtë për shërbimin sekret KGB. Vende të tjera janë Turkmenistani dhe Uzbekistani. Në këto vende ka probleme në shumë sektorë. Por ka në këtë rajon edhe vende, të cilat kanë një akses relativisht të lirë në inetrnet si: Azerbajxhani dhe Kirgistani. Në këto vende ka përpjekje të vogla për censurë, por që nuk na krijojnë ndonjë shqetësim të madh.

Dunja Mijatovic është qysh nga viti 2010 e ngarkuara e OSBE-së për median. Në OSBE bëjnë pjesë 56 shtete anëtare, ndër to edhe SHBA-ja dhe Rusia. Juristja, eksperte për të drejtën e medias e ka prejardhjen nga Bosnje-Hercegovina.

Intervistoi: Bernd Riegert (vfb)

Redaktoi: E. Xhani