1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Mijëra refugjatë të mitur në Europën Juglindore

Sipas të dhënave të Unicef-it rreth 25.000 refugjatë të mitur janë bllokuar në vendet e Ballkanit Perëndimor në pritje për t'u bashkuar me familjet. Vonesat shkaktojnë trauma, kritikon Unicef-i.

Unicef-i paraqet shifra alarmuese. Sipas organizatës së OKB-së në vendet e Ballkanit Perëndimor e Europës Juglindore si në Greqi, apo Bullgari qëndrojnë rreth 75.000 refugjatë dhe migrantë pa asnjë perspektivë të qartë për të ardhmen, 24.600 prej tyre janë minorenë. "Megjithëse ata kanë të drejtë legjitime që të bashkohen me familjet e tyre në vendet e Europës Perëndimore, si Gjermania apo Suedia, shumica nuk e dinë, nëse dhe kur do t'u lejohet udhëtimi", thuhet në një deklaratë të organizatës në qendrën e Nju Jorkut.

Ka nëna dhe fëmijë që kanë muaj apo vite që nuk e kanë parë bashkëshortin apo babanë. Procesi i bashkimit familjar zvarritet kaq shumë dhe pasiguria është kaq e madhe, saqë tek fëmijët kjo shkakton "dëme emocionale dhe frikë", thotë eksperti i Unicef-it, Afshan Khan.

Ai theksoi, se në shumë raste janë meshkujt që kanë ndërmarrë udhëtimin drejt Europës, ndërkohë që familja do duhej të bashkohej më vonë. Por me mbylljen e kufijve në vitin 2016 dhe zbatimin e marrëveshjes me Turqinë, shumë familjarë janë ngujuar në vendet tranzit, "ku duhet të shtrojnë kërkesën për bashkim me të dashurit e tyre." Ky proces zgjat nga 10 muaj deri në 2 vjet.

Nënat vuajnë nga depresioni

Zhvillimi i vajzave dhe djemve të rinj pengohet me vite, paralajmëron Unicef. Edhe nënat e ngujuara në vendet e Europës Juglindore vuajnë nga depresioni dhe mungesa e vullnetit. Kërkesat kryesore për bashkim familjar, sipas Unicef, prekin refugjatët që qëndrojnë në Greqi. Pas mbylljes së itinerarit ballkanik, rrugët për të ardhur në Europën Qendrore janë vështirësuar shumë. Në vitin 2016 janë shtruar 5000 kërkesa për bashkim familjar në Greqi, 700 prej tyre janë shtruar nga minorenë të pashoqëruar apo fëmijë të ndarë nga familjet. Në të njëjtën kohë, vetëm 1100 aplikues kanë arritur të bashkohen me familjen.