1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Mijëra kërkojnë Kryqin e Meritës për Tugce

Tugce humbi jetën sepse tregoi kurajo civile. Tani mijëra vetë kërkojnë që asaj t'i jepet Kryqi i Meritës për sjelljen e saj të guximshme. Ky rast ka ngjallur emocione në mbarë botën. Ndërkohë janë gjetur dy dëshmitaret.

Ajo ndërhyri me guxim dhe për kurajon e saj civile iu desh të paguante me jetën: për shumë njerëz Tugce A. është figurë simbol për kurajo civile dhe guxim. Studentja 23-vjeçare i erdhi në ndihmë dy vajzave në një fast-food, të cilat po ngacmoheshin nga disa meshkuj. Në konflikt e sipër ajo u rrah dhe u rrëzua. Më pas ra në koma. Të mërkurën e kaluar (26.11.2014) mjekët deklaruan se ajo kishte pësuar vdekje klinike. Me dëshirën e familjes dy ditë më vonë, në ditëlindjen e saj të 23-të u fikën të gjitha makineritë që e mbanin në jetë.

"Eshtë e trishtueshme kur lexon se të rinj si Tugce humbasin jetën pasi tregojnë kurajo civile. U prefsh në paqe", shkruan një përdoruese e Twitter. Në rrjetet sociale qindra njerëz shprehin keqardhje që prej njoftimeve të para të medies për vdekjen e saj klinike. Tragjedia prek. Edhe disa ditë pas vdekjes së saj shumë njerëz shprehin trishtimin dhe mosbesimin e tyre për aktin mizor dhe brutalitetin e autorit.

Gjatë lojës së Bundesligës të dielën (30.11.2014) sulmuesi i Frankfurtit Haris Seferovic tregoi se futbolli është më shumë se një sport. Golin e tij kundër ekipit kundërshtar Borussia Dortmund ai e festoi me një përshëndetje të veçantë: nën fanellën e tij lojtari zvicerian mbante një bluze me fjalët "Tugce = #kurajo civile, #ëngjëll, #guxim, #respekt". Vëmendja mediale për tragjedinë dhe reagimet ndaj fatit të Tugces vazhdojnë të përfshijnë gjithnjë e më shumë qarqe. Shumë medie turke janë të habitura me shprehjen masive të keqardhjes për të renë e guximshmedhe dhe i ndjekin reagimet me vëmendje. "Opinioni gjerman është i tronditur", shkruan agjencia turke e lajmeve. Dhe e përditshmja "Sabah" titullon: "Një vajzë e guximshme, turke në Gjermani." Në të përditshmen "Türkiye" shkruhej: "Faleminderit Tugce, ne të duam". Dhe tani edhe gazetat në Australi, SHBA dhe Amerikën Latine shkruajnë për ndërhyrjen e guximshme të studentes.

Kryqi i Meritës për Tugce?

Në faqen e internetit change.org kanë nënshkruar ndërkohë 135.000 vetë nga e gjithë bota dhe kërkojnë për Tugcen Kryqin e Meritës, një nderim për njerëz që kanë treguar guxim dhe kurajo të veçantë në jetën e përditshme. Presidenti gjerman Gauck, i cili i shprehu ngushëllimet prindërve të saj, ka porositur shqyrtimin e kësaj kërkese nga zyra e tij.

Futbollisti i Ajntrahtit Haris Seferoviq - Respekt per Tugce!

Futbollisti i Ajntrahtit Haris Seferoviq - Respekt per Tugce!

"Kurajo civile mund të mësohet, por ajo është edhe një proces mësimi që zgjat gjithë jetën", mendon Kai Jonas, psikolog social në Universitetin e Amsterdamit. Kush dëshmon kurajo civile përballet gjithnjë me një lloj rreziku. Por kjo nuk është arsye për të mbyllur sytë. "Ajo që bëri ajo ishte jashtëzakonisht e guximshme", thekson ai në bisedë me DW. "Kam shumë respekt për atë që ajo ka bërë."

Për situata të tilla nuk ka ndonjë formulë universale për sjelljen e duhur, thotë psikologu social. "Askush nuk duhet të bëhet një rambo social dhe askush nuk është i detyruar të ndërhyjë. Por secili duhet ta bëjë sipas mundësive të veta", këshillon Jonas. "Nganjëherë nuk ke guxim. Por në këtë rast është e rëndësishme të jesh një dëshmitar i mirë dhe të alarmosh policinë apo të kërkosh ndihmë nga njerëz të tjerë. Edhe kjo mund të jetë kurajo civile."

Mesazhi: "Ne shohim se çfarë ndodh këtu."

Në rastin ideal ai që vjen në ndihmë nuk vepron vetëm por kërkon edhe përkrahës. Por nëse kërkohet të ndërhyhet shpesh në situatë, është më e udhës t'i drejtohesh viktimës dhe të injorosh autorët, thotë Jonas. E këshillueshme është të sillesh sikur situata e dhunshme nuk ekziston. Për shembull me një fjali: "Ka kohë që nuk jemi parë." Synimi është që në këtë mënyrë të mbrohet viktima, të nxirret nga situata dhe të dërgohet në një vend të sigurt. "Unë mund të ulem edhe në tram apo në autobus pranë viktimës dhe të filloj një bisedë me të duke ngritur si fillim për keqbërësin një pengesë tjetër", thotë Jonas.

E rëndësishme është para së gjithash të kujdesesh për viktimat, pasi ato janë shpesh të paralizuara dhe nuk dinë se çfarë të bëjnë. "Pjesa më e madh për momentin janë të habitur. Janë në fushën manjetike të agresorit dhe nuk kanë mundësi të mendojnë për mundësitë e veprimit apo për të dalluar rrugë të mundshme shpëtimi", thotë psikologu social. "Për këtë arsye është e rëndësishme që kur ndërhyj t'i tregoj viktimës se çfarë duhet të bëjë: e pikërisht të largohet me mua nga kjo situatë." E gabuar do të ishte përballja me situatën. Kjo mund të provokojë dhunë të mëtejshme dhe kërcënon shkallëzimi me përfundim të paditur.

Tugce vdiq pasi u fut në mes pa grushta dhe pa dhunë. E megjithatë situata shkallëzoi në mënyrë vdekjeprurëse. I dyshuari është në arrest hetimor. Ndërkohë policia e Offenbach ka gjetur dy vajzat, dëshmitare të rëndësishme, pasi i kishte kërkuar për ditë me radhë. Të dy të rejat janë marrë ndërkohë në pyetje, bën të ditur policia. Ende identiteti i tyre mbahet i fshehtë për t'i mbrojtur dëshmitaret. Dy të rejat fillimisht nuk ishin njoftuar pasi nuk e kishin parë veten si të prekura nga rasti, tha një zëdhënës i policisë. "Ato nuk ndiheshin të përfshira." Por është e qartë se bëhet fjalë për dy vajzat e kërkuara.

DW.COM