1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Migrantët në Greqi marrin të drejtën e votës

Imigrantët në Greqi shkojnë për herë të parë në votime në zgjedhjet lokale me të drejtën e votës dhe të zgjedhjes deri në nivelin e këshilltarit bashkiak. Si e vlerësojnë imi grantët të drejtën e votës?

default

Në qoftë se nuk do të ishte kriza e thellë e borxhit që po i merr frymën ekonomisë dhe njerëzve të mundit dhe të djersës, sigurisht që votimi i imigrantëve për herë të parë do të ishte tema top e aktualitetit grek. Jo rastësisht Festim Zaçe nga Korça, një nga votuesit e këtyre zgjedhjeve, e fillon bisedën e tij me pasojat e krizës edhe problemin e tij, që nuk mund të blejë shtëpi me kamatë të subvencionuar për shkak të pezullimit të programeve të strehimit punëtor deri në fund të dhjetorit. Optimist nga natyra dhe i prirur për të parë anën pozitive të gjërave, Festimi e shikon të drejtën e votës si një fitore historike të imigracionit. “Po të mendojmë që kur erdhëm në fillim ishim pa dokumenta dhe tani arritëm të votojmë në zgjedhjet lokale, me të drejtën votoj dhe votohem, mendoj se është e drejta më e madhe që mund të ketë një imigrant, i integruar si bashkëqytetar i këtij vendi”.

Festim Zaçe

Festim Zaçe

Vendimi në fakt i 24 marsit të 2010-ës për dhënien e nënshtetësisë fëmijve të imigrantëve dhe të drejtave politike prindërve të tyre në zgjedhjet lokale vetëm sa rregullon, ose më saktë institucionalizon integrimin spontan të imigracionit të gjithë këtyre viteve, ku ai shqiptar po spikat. “Ne si shqiptarë ishim integruar me mënyrën tonë në jetën e vendit dhe shoqëria greke na kishte përqafuar nga ana e saj, por shteti ligjor na kishte lënë përballë. Mendoj se me votimin dhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të ndjehemi plotësisht të integruar”. Me të shoqen dhe vetën e tij të punësuar, respektivisht në një restorant biologjik dhe punishte qumështi dhe ëmbëlsirash, dy fëmijët në shkollën publike dhe të dielave në “Mësonjëtoren” e mësimit shqip të lagjes Kukaqi, Festim Zaçen e ke të vështirë ku ta klasifikosh, në brezin e parë apo të dytë të imigracionit...

Brezi i dytë ndjehet më i integruar

Brezi i dytë po merr “hakun” e brezit të parë me punë më të mira dhe jo me punë të rëndomta krahu, me të drejtë për nënshtetësi dhe votë në zgjedhjet parlamentare dhe jo leje një ose dyvjeçare.

Rafaela Bregu është e diplomuar në shkencat ekonomike në Universitetin Kapodistriako të Athinës, një nga 220 universitetet më të mira të botës, dhe punon si konsulente biznesi (Kompania "STOCHASIS Management Cosultancy S.A.). Është një nga votuesit e të rinjve imigrantëve në këto zgjedhje, dëgjon me vëmendje dhe ndërhyn sapo biseda shkon te numri i vogël i të regjistruarve për këto zgjedhje. (Gjithsejt 12.762 ose më saktë 10.097 ose 79% imigrantë, pasi 2.665 ose 21% e tyre janë bashkëkombas grekë). Në bashkinë e Athinës u regjistruan vetëm 1.574 imigrantë, nga këta 600 shqiptarë.

Në qoftë se Festimi gjen si shkak “mungesën e informacionit” dhe nuk do të besojë se “imigrantët u kthyen kurrizin zgjedhjeve”, siç është shkruar dhe në mendiat vendase, për Rafaelën imigrantët, si edhe vendasit, reflektojnë me mosgatishmerinë e tyre për tu regjistruar pjesën e zhgënjimit të tyre nga politika për shkak të krizës. “Kriza ekonomike ka të bëjë shumë se njerëzit më tepër shohin gjendjen e tyre ekonomike, si të gjejnë punë, si të paguajnë detyrimet e tyre dhe politikën e lënë, si më thënë, pas dore. Dhe sidomos të rinjtë, që kanë probleme më të thella, të cilat mund të ndryshojnë veçse duke filluar me votën. Mungesa e saj është rrënja e problemeve më të cilat sot përballen...”thotë Rafaela dhe kujton se “janë brez i 700 eurove dhe pa mundësi integrimi në sektorin publik në qoftë se nuk përfitojnë nështetësinë”.

Rafaela Bregu

Rafaela Bregu

Në qoftë se në mars me votimin e ligjit nacionalistët por edhe opozita e djathtë më gjerë folën për rrezikun e tjetërsimit të elektoratit nga 200.000 vota të imigrantëve, tani me shifrën e ulët të regjistrimit folën për dështim të “planit qeveritar në uzurpimin e votës së të huajve”.

Shemben mitet nacionaliste

Pozita socialiste nga ana e saj e shikon regjistrimin si shembje të miteve nacionaliste dhe përligje të politikës së saj. “Dëgjoni, të gjitha ato diskutime dhe reagimet fobiste që dëgjuam gjashtëmujorin e fundit, për pjesëmarrjen e imigrantëve në zgjedhjet lokale dhe më gjerë për përfitimin e nënshtetësisë greke mund t'i vlerësojmë jo thjesht si qesharake por në shumë raste dhe si tinzare” i thotë DW sekretari special për imigracionin në ministrinë e Brendshme Andreas Taqis, i cili nuk e fsheh irritimin e tij kur i kujtojmë se gjithsesi numri ishte i vogël dhe gati simbolik në raport me numrin total të imigracionit dhe vlerësimin se rreth 250.000 plotësonin kushtet për të votuar. “Jam kategorikisht kundër. Pse ishte i vogël numri? Brenda një dhjetëditëshi u bë nami. Rreth 15.000 vajtën dhe u regjistruan me një procedurë që u zhvillua në mënyrë të shkëlqyeshme, me sigurimin në kohë të dëshmive të penalitetit nga ministria e Drejtësisë dhe regjistrimin pa probleme nëpër bashki. Që të pranoj se numri qe i vogël do të thotë se prisja edhe unë me miliona si fobistët” thotë Taqis, i cili sqaron se regjistrimi vazhdon për ata që duan të marrin pjesë në votimet e ardhshme.

Por sa është numri i imigrantëve?

“Imigrantë të ligjshëm me leje që jep ministria e Brendshme -dhe jo policia dhe prefekturat- janë 550.000 plus 50.000 që janë në procedurën e rinovimit të lejeve. Janë gjithashtu 220.000 bashkëkombas. Gjithashtu përllogaritet që të jenë dhe rreth 250-300.000 të paligjshëm” sqaron për DW funksionari grek.

Bashkëbiseduesi ynë sikur nuk do të lejë asnjë hapësirë që numri i rë regjistruarve, qoftë edhe i vogël, të shfuqizojë rëndësinë e zgjedhjeve për imigrantët që ai i jep një theks të veçantë kur ftohet të përgjigjet nëse në fletëvotime do të ketë dhe emra imigrantësh. “Së shpejti do të paraqiten edhe kandidaturat. Pres që të kemi patjetër edhe imigrantë. Iu theksoj dhe iu kujtoj se imigrantët kandidatë do të votohen edhe nga grekët. Imigrantët që do të marrin pjesë nuk do të shërbejnë si ndjellës të disa votave të imigrantëve të tjerë, por si njerëz që do të dëshmojnë kohezionin social. Që kanë miq grekë, grekë që i vlerësojnë, grekë që i votojnë. Ky është integrimi social. Ky është synimi ynë dhe jo të krijojmë ushtri partiake” thotë Taqis duke iu përgjigjur kështu akuzave të opozitës së djathtë, që arriti të paralajmëroi se kur të vijë në pushtet do të abrogojë ligjin që u jep të drejtën e votës dhe nështetësisë imigrantëve.

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 14.09.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PBmw
  • Data 14.09.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PBmw