1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Migracioni dhe problemet e gjermanëve me të huajt

Me 1 janar 2014 duhet të hapen kufijtë për bullgarët dhe rumunët. Ata mund të kërkojnë punë në të gjitha vendet e tjera të BE-së. Po cilat janë përparësitë dhe rreziqet nga kjo hapje?

Rritja është e shkëlqyeshme. Për këtë gëzohen prindërit dhe sipërmarrjet, por jo edhe shoqëria gjermane, e cila duket se ka frikë nga ky fenomen. Të paktën kur bëhet fjalë për rritjen e numrit të njerëzve të ardhur nga Evropa Juglindore.

Kjo është përshtypja që fiton kur lexon gazetat bulevardeske, të cilat paralajmërojnë nga një valë e re e bullgarëve dhe rumunëve që mund të vijnë në Gjermani dhe të rëndojnë sistemet sociale dhe tregun e punës.

Dorothee Frings

Dorothee Frings

Dorothee Frings, profesore e të drejtës sociale në Shkollën e Lartë në Niederrhein, thotë se debati nuk është në rregull dhe ngarkon edhe më shumë klimën në shoqëri. "Më e rëndësishmja është që politika dhe mediat të heqin dorë nga debatet me shpjegimin se po "imigron vrafëria" dhe se "po vijnë ciganët". Këtu bëhet fjalë për ardhjen e punëtorëve, gjë që është në përputhje me projektin për tregjet e hapura evropiane."

Edhe Andreas Pott, drejtues i Institutit për Studime Interkulturore dhe të Migrimeve në Universitetin e Osnabrykut (IMIS), mendon se për një frikë të tillë nuk ka vend: "Këtu po bëhet tepër panik! Nga zgjerimet e mëparshme të BE-së e dimë, si për shembull me rastin e anëtarësimit të Greqisë, Portugalisë apo Spanjës dhe Polonisë, se ka pasur lëvizje të fuqisë punëtore, por brenda disa viteve kjo dukuri ulet."

Frikë në vend të gëzimit

Ekspertët thonë se Gjermania e ka pasur të vështirë për një kohë të gjatë që të pranojë migracionin si fakt. Ndaj debatet përshkohen nga frika dhe jo nga bindja se migrantët janë pjesë e shoqërisë, thotë shefi i IMIS, Pott. Bullgaria dhe Rumania janë anëtare të BE-së që nga viti 2007, ndërsa tani hapet mundësia që qytetarët e këtyre vendeve të mund të punojnë në secilin vend të BE-së pa kufizime. Hapja e kufijëve do të thotë se njerëzit mund të shkojnë edhe në këto vende të punojnë, thonë ekspertët.

Gjermania përfiton nga lëvizja e popullatës në disa aspekte: "Imigracioni është i mirëseardhur dhe i domosdoshëm për shkak të ndryshimeve demografike, rritjes së moshës dhe uljes së numrit të banorëve në Gjeremani." Por këtu bëhet fjalë konkretish për ardhjen e strukturave të ndryshme të shoqërisë - atyre me dhe pa kualifikime.

Përfytyrimet e gabuara për ndihmat sociale

Shumë shpesh thuhet se bullgarët dhe rumunët tani do të vijnë dhe do të ngarkojnë sistemet sociale në Gjermani. Ekspertët nuk janë dakord me këto pohime, sepse statistikat e BE-së tregojnë një gjendje tjetër. Sipas tyre, vetëm 9% e rumunëve dhe bullbarëve që kanë jetuar gjatë vitit të kaluar në Gjermani kanë marrë ndihma sociale.

Kjo do të thotë se ata janë nën mesataren e të huajve të tjerë në Gjermani. Mesatarja e të huajve që marrin ndihma sociale në këtë vend është 15,9 %, ndërsa mesatarja e përgjitshme është 7,4 %. Rumunët dhe bullgarët marrin shtesa për fëmijë në vetëm 7,9 % të rasteve, ndërkohë që kuota e përgjithshme të huajve që shfrytëzojnë këtë mundësi është gati dyfish më e martë (15,3 %). Përqindja e tyre është me e ulët se ajo në mbarë vendin me 10,9 %.

Dorothee Frings ua kujton fjalët e presidentit Joachim Gauck të gjithë atyre që thonë se në Gjermani po vijnë vetëm familje shumëantarëshe rome dhe sinti nga Rumania dhe Bullgaria: "'Damkosja e grupeve të njerëzve pa marrë parasysh aftësinë e integrimit, do të ishte në frymën e diskriminimit, përkufizimeve dhe përndjekjeve që i kemi parë në shekujt e kaluar. Me këtë temë nuk mund të sillemi në këtë mënyrë."

Kryetari i bashkisë në Nyremberg dhe kryetari i Lidhjes së qyteteve të Gjermanisë Ulrich Maly deklaroi në një intervistë me Deutschlandradio Kultur, se Gjermania u ka borxh historik romëve ndaj duhet pasur kujdes.

Ulrich Maly SPD

Ulrich Maly SPD

Maly propozon dy zgjidhje: "E para, që këtyre njerëzve t'u ndihmohet në vendlindjen e tyre dhe e dyta, atyre që vijnë këtu duhet ndihmuar që të integrohen si duhet në Gjermani."

Migrimi dhe përparimi

Andreas Pott thotë se nuk duhet dënuar dëshira e njerëzve që të jetojnë në një vend tjetër ku kushtet janë më të mira. Përkundrazi: "Kjo tregon potencialin inovativ, sepse njerëzit duan të përmirësojnë kushtet e tyre të jetës. Kështu ka qenë edhe në kohën kur shumë gjermanë kanë shkuar në SHBA, kështu duhet të jetë edhe me njerëzit që lëvizin brenda Bashkimit Evropian."

Me brengosje shihet edhe tendenca në debatet e dhjetë viteve të fundit, gjë që vërehet edhe në debatet e tanishme: Gjermania i dallon njerëzit varësisht nga ajo se a i duhen apo jo. Formulimi i interesave të një vendi është një çështje. Por është shumë problematike nëse dyshohet për mundësinë e përdorimit dhe damkosjes së tyre, pohon Andreas Pott.

Përfytyrimet se në Gjermani pranohen vetëm nejrëzit për të cilët ekziston nevoja janë të papranueshme. Kjo nuk përputhet edhe me faktin që migrantët shpesh kanë një nivel të lart të shkollimit dhe kanë mundësi për ngritje sociale në këtë vend.

Ekspertët thonë se për këto shkaqe duhet eliminuar sa më parë pengesat për integrimin sa më të shpejtë të të huajve që vijnë në Gjermani. 1 janari 2014 duhet të shërbejë edhe si një shenjë për të ndryshuar mendimet, sepse Gjermania "është një shoqëri me një prezencë të madhe të migrantëve dhe kjo temë duhet të trajtohet si e tillë në vitet e ardhshme."