1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Fakte mbi Gjermaninë

Midis parketit të bursës dhe natyrës idilike

Gradacela si kërkund tjetër në Gjermani, ky është Frankfurti. Qyteti me skenën më të madhe kulturore të Gjermanisë, dhe me jetën më të shpejtë të bursës është zemra e Hesenit (Hessen). Por ky land gjerman ofron më tepër

"Ne jemi ndërmarrje ndërkombëtare" thotë Frank Kuçera (Kutschera), i cili punon tek Banka Gjermane në sektorin e klientëve ndërkombëtarë. "Dhe tek ne është krejt normale që të komunikohet me gjuhën angleze." Puna në këtë sipërmarrje me 80 mijë punonjës në 1700 pika të ndryshme të botës kërkon ta njohësh botën.

Bankierët e Frankfurtit në pushimin e drekës

Bankierët e Frankfurtit në pushimin e drekës

Ndërkombëtarja nuk është vetëm e qytetit të bankave

Pushimi i drekës në qendrën e Frankfurtit. Kuçera përzien shkumën e kafesë. Ai ka veshur një kostum me këmishë dhe kravatë, ka flokë të zinj dhe një ngjyrë të nxirë nga dielli të lëkurës së fytyrës. "Ajo çka vlen të thuhet për Bankën Gjermane, mund të thuhet për të gjithë Frankfurtin", thotë 39 vjeçari. "Për shkak të pranisë së shumë bankave këtu jetojnë dhe punojnë njerëz nga e gjithë bota."

Dhe në rrethet e miqve Kuçera ka jo vetëm gjermanë por edhe zviceranë, italianë, amerikanë. Kjo përzierje e njerëzve nga vende të ndryshme e dallon jetën e Frankfurtit nga ajo e qyteteve të tjera gjermane. Në Frankfurt një e katërta e banorëve janë me prejardhje jogjermane.

Marburg

Marburg

Metropoli në Majn (Main)

Kuçerës i pëlqen karakteri metropolitan i Frankfurtit: "Frankfurti ka shumë muzeume, disa teatro dhe të gjithë yjet e artit dhe të muzikës që vijnë për në turne në Evropë, ndalojnë edhe në Frankfurt", thotë ai. "Përveç kësaj Frankfurti ka edhe një avantazh të madh, sepse njeriu mund të largohet shumë shpejt prej tij, sepse aeroporti ndodhet shumë afër qytetit." Për të si bankier, ky nuk është avantazh i vogël meqenëse atij i duhet të udhëtojë shumë jashtë vendit.

Me botën e financave, aeroportin, industrinë kimike dhe farmaceutike, si dhe atë të prodhimit të makinave, rajoni midis lumejve Rin ( Rhein) dhe Majn është vendi me më shumë vende pune në Gjermani. Por pak kilometra më larg fillon një jetë tjetër jashtë qytetit, me fshatra dhe qytete të vogla. Edhe Frank Kuçera jeton me gruan dhe fëmijët në periferi të Frankfurtit, në një qytezë të vogël që quhet Oberurzel (Oberursel). Qyteti ka shumë gjelbërim dhe ajri është i mbushur me aromën e fushave dhe livadheve. Dhe Kuçerës nuk i duhet më shumë se gjysmë ore për të shkuar në punë.

Frankfurt

Frankfurt

Fshatra piktireskë dhe shumë histori

"Shumë fshatra dhe qytete në Hesen janë të mbushura me histori," thotë ai. Për shembull Marbugu, ku është rritur Kuçera. Universiteti atje është krijuar në vitin 1527, dy vjet më vonë aty u takuan dy reformatorët Martin Luter ( Martin Luther) dhe Huldrih Cvingli (Huldrych Zwingli) për diskutimet e tyre fetare, në të cilat flitej për politikën e kishës në kuadër të reformimit. Edhe sot Universiteti i jep ngjyrën jetës së Marburgut. Në pjesën e vjetër të qytetit rreshtohen kafene të vogla dhe librarira. Një pjesë e 20 mijë studentëve i japin biçikletave në rrugicat e ngushta që përfundojnë në kalanë e qytetit. Midis rrugëve të ngushta jeta e këtueshme ka ritmin e vetë të ngadaltë.

Midis orareve të takimeve dhe bareve me koktejle

Kurse në Frankfurt jeta ka tjetër ritëm. Në qendër të qytetit biznesmenët dhe të punësuarit nxitojnë nga takimi në takim, nga zyra në drekat e punës. "Dhe këtu ka shumë bare, restorante dhe shumë parti, që synojnë bankierët e rinj", thotë Frank Kuçera. "Ata janë të rinj dhe fitojnë shpesh shumë para që kur janë midis njëzetave dhe tridhjetave. Po të dilni në mbrëmje i shihni."

  • Data 03.07.2008
  • Autor Silke Ballweg
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/ENXm
  • Data 03.07.2008
  • Autor Silke Ballweg
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/ENXm