1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Michele Cercone: "12 vjet për trafikantët, mbrojtje maksimale e viktimave"

7 Prill 2009

BE ashpërson ligjet kundër tregtisë me njerëz në BE

https://p.dw.com/p/HS8m

Trafikimi i qënieve njerëzore dhe abuzimi seksual me fëmijët mbeten ende fenomene tepër shqetësuese për dhunimin, që u bëjnë të drejtave të njeriut. Sipas shifrave zyrtare 1,2 milion persona trafikohen çdo vit në botë, pjesa më e madhe gra, vajza dhe fëmijë. Ata shfrytëzohen për qëllime të ndryshme ilegale: shfrytëzim ekonomik, seksual, apo transplatim organesh. Fitimet e siguruara nga trafiku i qënieve njerëzore u sigurojnë rrjeteve kriminale fitime jashtëzakonisht të mëdha. Për të luftuar më mirë se deri tani këtë fenomen, Jacques Barrrot, zv.Presidenti i Komisionit Europian, publikoi kohët e fundit nismën e hartimit të një pakete të re ligjesh më të ashpra kundër trafikantëve. Michele Cercone, zëdhënës i tij, thotë se ligjet e reja synojnë të dënojnë më rëndë trafikantët dhe të garantojnë mbrojtje dhe asistencë më të mirë për viktimat.


“Për abuzimin seksual të fëmijëve vendet anëtare të BE duhet të vendosin një dënim maximal, të paktën prej 6 vitesh burg. Nëse ka rrethana rënduese si psh kur abuzimi ndodh nga një mësues, anëtar i familjes, apo nga dikush, që ka abuzuar me autoritetin e vet mbi fëmijën, atëhere dënimi maximal do të jetë 10 vjet burg. Në legjislacionin aktual ky dënim është 5 vjet. Pra kërkesa është që dënimi të dyfishohet. Nëse abuzimi sjell edhe rrezikimin e jetës së fëmijës, atëhere ligji i ri parashikon një dënim prej 12 vitesh burg” thotë për DW, Michaele Cercone.

Edhe dënimet ndaj trafikantëve të qënieve njerëzore në paketën e re ligjore, të propozuar nga Komisioni Europian, janë mjaft më të rënda nga sa parashikojnë ligjet aktuale.

“Për këtë krim parashikohet një dënim prej 6 vitesh. Nëse ka rrethana rënduese, si psh abuzim me autoritetin, atëhere dënimi rritet në 10 vjet burg dhe nëse rrezikohet jeta e personave të trafikuar dënimi bëhet 12 vjet burg.” thotë Michael Cercone.

Veç dyfishimit të dënimit me burg Komisioni Europian ka zgjeruar edhe përkufizimin e trafikut të qënieve njerëzore.

“Të sjellësh dikë në Europë në mënyrë ilegale për ta shfrytëzuar dhe për ta detyruar të kërkojë lëmoshë në rrugë, kjo tani quhet krim. Detyrimi për të kërkuar lëmoshë tani futet në krimin e trafikimit të qënieve njerëzore. Më parë nuk ka qenë kështu”, thotë Michele Cercone nga Komisioni Europian.

Ndryshimet legjislative përfshijnë edhe mbrojtjen dhe mbështetjen ndaj viktimave dhe dëshmitarëve. Paketa e re ligjore parashikon, që viktimat nuk dënohen, pavarësisht se shpesh ato jane përgjegjëse për thyerjen e ligjeve.

“Por këto thyerje kanë qenë të detyruara, personat kanë qenë të detyruar nga trafikantët të mos respektojnë ligjet, qoftë përmes hyrjes klandestine në nje vend, qoftë përmes praktikimit të prostitucionit. Ideja e KE është që viktimat nuk dënohen për herë të dytë, Pasi ato janë dënuar një herë duke u trafikuar dhe u trajtuar çnjerëzisht. Viktimat duhen mbrojtur. Paketa e re ligjore parashikon krijimin dhe respektimin e një standarti për viktimat e trafikut. Kjo do të thotë që ato duhet të marrin asistencë, banesë, mbrojtje nga policia dhe ndihmë ligjore falas. Ligjet e reja parashikojnë, që edhe kur një grua, apo vajze denoncon shfrytëzuesin e saj apo trafikantin, ajo gëzon të drejtën e një leje qëndrimi afatgjatë në vendin, ku ndodhet. Ndryshimi tjetër i rëndësishëm është një klauzolë sipas të cilës, nëse autoritetet europiane kanë provat, që një trafik i qënive njerëzore është kryer pjesërisht në vende jashtë BE, ato mund ta ndjekin kriminelin edhe në ato vende. Shpesh rrjetet e trafikantëve nisen nga vende të tilla dhe synojne BE” thotë Michele Cercone.

Paketa ligjore e propozuar nga KE parashikon edhe monitorimin e zbatimit të saj përmes Reporterëve Kombëtarë, që do te jenë struktura të pavarura, që këshillojnë dhe u japin sugjerime qeverive.


Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Angjelina Verbica