1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Michalski: "Bashkimi Evropian financon kampe refugjatësh në vende të treta"

Në Ukrainë thuhet se janë keqtrajtuar azilkërkuesit në burgje të financuara nga BE. Ky nuk është rast i veçantë, thotë Drejtori i HRW, Wenzel Michalski, Brukseli i mbyll sytë para abuzimeve.

Wenzel Michalski

Wenzel Michalski, drejtor për Gjermaninë i HRW

Deutsche Welle: Revista "Der Spiegel" dhe revista televizive e ARD-së "Report Mainz" bëjnë të ditur se autoritetet ukrainase i kanë kapur refugjatët politikë në rrugë për në BE dhe i kanë burgosur. Burgjet thuhet se të paktën pjesërisht financohen me para të BE. Si shpjegohet që BE paguan për qendrat ukrainase të arrestit?

Wenzel Michalski: Në variantin zyrtar, BE e paguan Ukrainën, që t'i dërgojë refugjatët në vendin e saj në kampe pritjeje në përputhje me të drejtat e njeriut, në mënyrë që ata të mos hyjnë në BE. Por realiteti ka pamje krejtësisht tjetër. Human Rights Watch (HRW) ka raportuar që në vitin 2010 për shkelje të të drejtave të njeriut ndaj refugjatëve politikë. Që atëherë me sa duket kanë ndryshuar pak gjëra.

Për cilat lloje të shkeljes së të drejtave të njeriut bëhet fjalë?

Po të nisemi vetëm nga burgosja e refugjatëve kemi të bëjmë me një veprim ilegal. Këtu nuk po flasim për persona që kryejnë akte penale, por për azilkërkues. Së dyti, autoritetet në Hungari dhe Sllovaki i kthejnë refugjatët nga BE në Ukrainë, për të shpëtuar prej tyre. Kjo shkel ligjet e BE, në bazë të të cilave çdo azilkërkues ka të drejtë për një proces të rregullt të azilimit. Dhe së treti, janë qendrat e strehimit që i shkelin të drejtat e njeriut: ushqimi dhe trajtimi mjekësor janë shpesh në gjendje të papranueshme. Dhe herë pas here lexon raporte, që mund t'u besosh, për rrahje dhe tortura sistematike kundër azilkërkuesve, që kryhen në burgjet e Ukrainës.

Pra BE financon shkelje kundër ligjeve të veta?

Siç e thashë, interpretimi zyrtar është një tjetër. Por me sa duket askush nuk i kontrollon rrethanat në vend dhe të kujdeset që standardet ndërkombëtare për strehimet të respektohen.

Ministri i Brendshëm, Thomas de Maiziere ka propozuar që të ngrihen qendra azilimi në vendet e origjinës. Çfarë mendoni për këtë?

Ky do të ishte një hap me vend. Megjithatë duhet garantuar që atje refugjatët të strehohen në siguri dhe në kushte të përshtatshme dhe që procedurat të kryhen me përpikmëri.

Një zgjidhje e shpejtë kjo nuk do të ishte.

Sigurisht jo. Më shpejt puna do të ecte nëse shtetet anëtare të BE do të jepnin viza në shtetet e origjinës, të cilat u japin të drejtë refugjatëve që të udhëtojnë për të paraqitur një lutje për azil. Veç ambasadave dhe konsullatave, në rajonet përkatëse duhet të ketë disa vende që japin viza. Me një vizë të tillë refugjatët do të mund të udhëtonin fare normalisht, për shembull me avion. Kjo do t'u kushtonte të gjithë pjesëmarrësve shumë më pak para dhe do të ishte krahasimisht më e sigurtë për refugjatët. Veç kësaj, kjo do të eleminonte bazën e ekzistencës për bandat e trafikantëve të njerëzve.

Wenzel Michalski është drejtor për Gjermaninë i Organizatës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, Human Rights Watch.