1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Mißfelder: Statusi i vendit kandidat për Shqipërinë pas zgjedhjeve në 2013

Pas zgjedhjeve parlamentare në 2013 Tirana mund të arrijë të marrë statusin e vendit kandidat, thekson zëdhënësi i politikës së jashtme të grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestag, Philipp Mißfelder.

DW: Shqipëria është një ndër vendet e Ballkanit, të cilat aspirojnë antarësimin në BE. Ky vend ka qenë shpesh herë në qendër të kritikave.  Si është sot perspektiva e antarësimit për Shqipërinë?


Mißfelder: Unë mendoj, se Shqipëria e meriton statusin e vendit kandidat. Pas zgjedhjeve ne do të diskutojmë, se si mund të avancojmë më tej me Shqipërinë. Për këtë ka kritere mëse të qarta. Kriteret e Kopenhagës duhet të përmbushen. Dhe Shqipëria duhet të bëjë përparime sa i përket luftës ndaj korrupsionit, por edhe në sektorin e drejtësisë. Për këtë vend vlejnë të njëjtat kritere si edhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

DW: Ndërkohë vende si Kroacia, Serbia, Mali i Zi janë ndoshta disa hapa më përpara në këtë etapë: Por a vlejnë të njëjtat kategori për të gjitha vendet e Ballkanit?

Mißfelder: Për Shqipërinë nuk ka as ndonjë përjashtim dhe as trajtim më të keq. Për të gjithë vlejnë të njëjtat kritere dhe këto kritere duhet të respektohen. Shqipëria ka bërë përparime shumë të mëdha. Shqipëria është një partnere e rëndësishme për ne në NATO, ndaj në plan afatgjatë s'ka asgjë kundër që ajo të jetë edhe pjesë e BE-së. Vitin e ardhshëm ne duam të punojmë, që pas zgjedhjeve t'i japim Shqipërisë statusin e vendit kandidat.

DW: Përpara pesë apo dhjetë vjetësh shpesh ka pasur kritika sa i përket rregullsisë së zgjedhjeve në Shqipëri. A shihni se janë bërë përparime në rrugën drejt zgjedhjeve vitin e ardhshëm?

Mißfelder: Për aq sa mund të shoh unë,  përgatitjet për zgjedhje po ecin në një proces të rregullt dhe mjaft transparent. Në këtë drejtim, sa u përket zgjedhjeve, unë jam mjaft optimist, që miqtë tanë në Shqipëri do t'i respektojnë kriteret e BE-së edhe lidhur me zgjedhjet e kësisoj do të krijojnë një premisë të re për t'u antarësuar në BE.