1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Mevlid Jashareviqi, grabitës, terrorist dhe vehabist

Pas sulmit ndaj ambasadës së SHBA-së në Sarajevë, zyrtarë të Bosnjë dhe Hercegovinës paralajmëruan forcimin e agjencive të sigurisë. Qytetarët kërkojnë veprime shtetërore kundër grupeve ekstremiste.

Në foto, Mevlid Jashareviq

Në foto, Mevlid Jashareviq

Personi i cili të premten (28.10.) sulmoi ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Sarajevë është Mevlid Jashareviq (23), një shtetas i Serbisë nga Novi Pazari, konfirmuan të premten zyrtarë të agjencisë së sigurisë së Bosnjë dhe Hercegovinës. Drejtori i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë (OSA), Almir Dzhuvo tha se Jashareviqi, kishte vizituar më parë Maoçën e Epërme, vend ky i njohur si bastion i vehabistëve pranë Bërçkos, në të cilin policia boshnjake pati arrestuar në shkurt 2010 disa vehabistë.

Prokurori i shtetit Avdo Çampara sqaroi se, Jashareviqi në vitin 2005 ka qenë i dënuar në Austri për vepër penale të grabitjes. Pasi kryer tre vjet burgim, ai është dëbuar në Serbi. "Mevlid Jashareviq kaloi kufirin në orët e hershme të mëngjesit të ditës së premte dhe hyri në Bosnjë dhe Hercegovinë për të kryer aktin terrorist. Kur dikush vendos për të bërë diçka individualisht është shumë e vështirë që ai të kapet, të lokalizohet dhe të veprohet kundër tij", tha Dzhuvo. Ai nuk mund t`i përgjigjej pyetjes nëse ky person ka patur bashkëpuntorë në sulmin e djeshëm, por shtoi se institucionet përgjegjëse në Bosnjë e Hercegovinë po bashkëpunojnë me agjencitë policore në Serbi ku po ashtu kanë filluar hetimet, sepse Jashareviqi është shtetas i Serbisë. Ndërkohë është njoftuar se policia serbe ka shtuar masat e sigurisë për ambasadën e SHBA-së në Beograd.

Paralajmërohen ndryshimi i ligjit dhe forcimi i agjencive të sigurisë

Automjet i policisë boshnjake

Automjet i policisë boshnjake

Zyrtarët e policisë në Bosnjë dhe Hercegovinë thanë se është shumë herët që të flitet për motivin e sulmit, i cili do të përcaktohet pas kryerjes së hetimeve. Sipas dëshmitarëve okularë, sulmuesi ka bërtitur parulla kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës. "Ajo që dihet tani është se ne kemi hapur një hetim për këtë rast, për vepër penale të terrorizmit në bazë të dëshmive që ne kemi mbledhur deri tani", tha Dzhuvo. Mevlid Jashareviqi është arrestuar dhe dërguar në spital, ku po i ofrohet ndihmë për shkak të plagosjes gjatë të shtënave jashtë ambasadës amerikane. Policia i ka kapur atij edhe dy granata dore.

Kryetari i presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës Zheljko Komshiq, paralajmëroi një luftë vendimtare kundër terrorizmit, përkatësisht një grup masash duke filluar nga ndryshimet në ligjin për mbështetjen materiale të njësive të inteligjencës dhe policisë dhe institucioneve të Bosnjë dhe Hercegovinës. "Në mënyrë që lufta kundër terrorizmit dhe krimit në përgjithësi të jetë më efikase", theksoi Komshiq. "Ne do të intensifikojmë masat dhe do të koordinojmë punën në mënyrë që qytetarëve të iu ofrojmë një shkallë sa më të lartë të sigurisë", deklaroi edhe anëtari tjetër i presidencës, Bakir Izetbegoviq.

Patrick Moon: Ne shpresojmë që ky incident do të bashkojë qytetarët

"Ky sulm nuk është diçka që do të frenojë aktivitetet dhe përpjekjet që janë duke bërë Shtetet e Bashkuara të Amerikës në këtë vend. SHBA është një mik i qytetarëve të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe ne jemi këtu për të qëndruar një kohë të gjatë", tha mbrëmë në Sarajevë ambasadori amerikan në Bosnjë dhe Hercegovinë, Patrick Moon. "Ne shpresojmë që edhe ky incident do të shfrytëzohet për të bashkuar qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës drejt një qëllimi të përbashkët, për të bërë atë çfarë është e nevojshme për tu bërë pjesë e Evropës", tha ambasadori Moon.

Ndërkaq autoritetet e Bosnjë e Hercegovinës dënuan njëzëri sulmin terrorist duke theksuar se ky nuk është sulm vetëm ndaj ambasadës amerikane por edhe sulm ndaj qytetarëve të Bosnjë dhe Hercegovinës.

Autor: Samir Huseinoviq / Esat Ahmeti

Redaktoi: Aida Cama