1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Ditari radiofonik" i DW dhe terrori i RAF në fundin e viteve 70-të

Dieter Wünsch22 Maj 2013

Terrori i ekstremistëve të majtë arriti kulmin në vitin 1977. Dieter Wünsch, asokohe drejtori i "Ditarit radiofonik" të DW kujton.

https://p.dw.com/p/18cGU
Fotografi: DW

Ne ishim ende ulur në qendrën e Këlnit, në rrugën Brüderstraße, një adresë që përshtatej me muzikën e siglës mes programeve tona:"Vëllai kërkon vëllanë", nga "Fidelio" i Beethoven-it. "Ne" ishim realizuesit e programit radiofonik të Deutsche Welle-s, një program katërorësh, i cili transmetohej gjashtë herë radhazi përmes valëve të shkurtra në gjashtë drejtime të ndryshme transmetimi. Ishin kohët e sinjalit me kërcitje në radio, të njoftimeve për frekuencat dhe veçorive të tjera primitive. Por "ditari radiofonik" që ne prodhonim nuk ishte primitiv. Krahas lajmeve ai ishte një nga emisionet më të rëndësishëm, përmes të cilit dëgjuesit në të gjithë botën mund të informoheshin mbi të rejat dhe zhvillimet më aktuale në Gjermani, Evropë dhe botë, një revistë lajmesh, e cila informonte ditë dhe natë.

Dieter Wünsch në redaksi
Dieter Wünsch në redaksiFotografi: DW

Ditë e natë në zyrë

Edhe në të ashtuquajturën "Vjeshtë gjermane" 1977. Ato ditë e netë, ato javë, për ne gazetarët, reporterët dhe moderatorët në mikrofon, kanë mbetur të paharruara. Përse ajo ofensivë e terroristëve radikalë të majtë të RAF-it (Franksionit të Ushtrisë së Kuqe) mori emrin "Vjeshta gjermane", nuk është krejt e kuptueshme. Ndoshta ishte konseguenca vrastare dhe vetëshkatërruese dhe përpikmëria me të cilën autorët vepronin, që na çoi tek ajo formulë thuajse cinike.

Ne në redaksinë e "Ditarit radiofonik" kishim përgjegjësi të veçantë. Planet e punës, të negociuara nga përfaqësuesit e personelit, nuk ekzistonin më. Nuk kishte më turne, orë të rregullta pune, nuk kishte më thuajse fare pushime, ndoshta vetëm për një kafe nga makina e kafesë e redaksisë. Madje një ekip in vogël bazë i redaksisë flinte në shezllonë të sjellë nga shtëpia pranë tryezave të punës dhe telefonit. Rrëmbimi i presidentit të punëdhënësve gjermanë Hanns-Martin Schleyer, thirrjet e tij dramatike për ndihmë nga pengmarrja në duart e terroristëve, reagimet e udhëheqjes politike të Republikës Federale gjermane nën shantazh - kthesat dramatike mund të ndodhnin në çdo moment.

7 prill 1977 pas një atentati të RAF gjendet i vrarë në Karlsruhe prokurori i përgjithshëm Siegfried Buback dhe shoferi i tij
7 prill 1977 pas një atentati të RAF gjendet i vrarë në Karlsruhe prokurori i përgjithshëm Siegfried Buback dhe shoferi i tijFotografi: dapd

Ngjarjet pasojnë njëra tjetrën

Dhe vërtet: avioni i Lufthansa-s "Landshut" rrëmbehet nga një komando palestineze që bashkëpunon me terroristë gjermanë. Fillon një fluturim i marrë me pasagjerët si pengje, pesë ditë rresht, derisa në Mogadishu një komando speciale e mbrojtjes kufitare gjermane, sulmon avionin.

Ne fillimisht nuk informuam për misionin e njësisë speciale GSG 9, dhe as për aktivitetet diplomatike të të ngarkuarit të posaçëm gjerman Hans-Jürgen Wischnewski në lidhje me këtë ngjarje, pasi donim të shmangnim që terroristët dhe ndihmësit e tyre atje, të mësonin para kohe për aktivitetet, përmes valëve të shkurtra.

Dhe pastaj më në fund lirimi i pengjeve - çfarë lehtësimi!

Emocione të përziera

Por vetëm pak më vonë tronditja: ishte gjetur trupi pa jetë i Schleyer-it, i vrarë me gjakftohtësi. Paraditen e ditës tjetër erdhi lajmi se kryeterroristët, për lirimin e të cilëve ishte bërë e gjitha, ishin vetëvrarë në qelitë e tyre. Asnjë nga redaksia e "Ditarit radiofonik" megjithë kthjelltësinë profesionale, nuk mbeti i paprekur. Dhe duket qartë se ish-shefin e ekipit të mrekullueshëm të redaksisë, ato ngjarje e prekin edhe sot, gati 36 vjet më vonë.