1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Merkeli si Hitleri?

Kriza e euros ringjall mëri të vjetra. Gjithnjë e më shpesh kancelarja gjermane Merkel paraqitet jashtë vendit si naziste e madje si një Hitler i ri. A është ky dështimi i kulturës politike në Evropë? Dimensione krize.

Filloi në Greqi. Tre vjet kanë kaluar qëkurse athinas të zemëruar dolën për herë të parë në rrugë me postera ku kancelarja gjermane paraqitej me uniformë SS. Qysh atëherë krahasimet me nazismin nuk kanë të ndalur. Kursi i rreptë i kursimeve i Merkelit në krizën e euros, në sytë e shumë demonstruesve çimenton pushtetin e Gjermanisë në Evropë, dhe risjell në kujtesë pushtimin gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Atëherë qindra mijëra grekë u vranë nga gjermanët. Për shembull në 1944 në fshatin Distomo ku ushtarët e Vermahtit dhunuan gra dhe vajza dhe pushkatuan të gjithë banorët që ndodheshin në fshat. Plot 70 vjet më pas shumë grekë e ndiejnë sërish veten viktima: norma e vetëvrasjeve në vend është rritur me një të tretën, më shumë se gjysma e të rinjve janë të papunë. Të pafuqishëm, një pjesë e madhe e grekëve shohin se si kriza po u merr çdo lloj perspektive. Krahas demonstruesve edhe mediet greke nuk mbeten prapra në sulmet e ashpra kundër gjermanëve: emisionet televizive ku krahasimet me nazismin janë në qendër, kanë aktualisht shikueshmërinë më të lartë.

"Gjermania naziste jeton?"

Protesta antigjermane në Greqi

Protesta antigjermane në Greqi

Por këto krahasime nuk janë vetëm fenomen grek, ato ndeshen edhe në vende të tjera evropiane qëkurse kriza po zgjerohet. Për shembull në Qipro, e cila nuk ka qenë e pushtuar nga Gjermania. Kur u përhap frika se në shpëtimin e bankave do të merrnin pjesë edhe kursimtarët e vegjël, në rrugë dolën demonstrues të zemëruar që mbanin në fytyrë maska të Merkelit me mustaqet e Hitlerit. Ndërsa në Spanjë së fundi një profesor i ekonomisë shprehej në një nga të përditshmet e mëdha të vendit se Merkeli "ashtu si Hitleri, i ka shpallur luftë pjesës tjetër të Evropës, këtë herë për të siguruar hapësirë jetike ekonomike". Edhe pse redaksia e gazetës e tërhoqi më pas artikullin duket qartë se klima është e helmuar.

Këtu nuk ndryshon asgjë fakti që akuzat për ngjashmëri me nazistët nuk kanë asnjë logjikë historike. "Krejtësisht të papërshtatshme, por psikologjikisht të kuptueshme", është diaagnoza e europarlamentarit Olaf Schwencke (SPD). Sot studiuesi i politikës dhe kulturës është president i Shoqatës gjermane të Fondacioneve Kulturore evropiane (ECF) dhe sjell në vëmendje kujtesën kolektive të atyre popujve, të cilët qenë sulmuar nga nazistët: "Kur shfaqet ndonjë sfidë reagohet në mënyrë të papërshtatshme".

Fundi i kulturës politike?

"Duhej të ishte bërë e qartë pikërisht muajt e fundit se ndihma është një pjesë e solidaritetit evropian dhe jo mburrje e dikujt që tregon se di më shumë", kritikon Schwencke politikën gjermane.

Demonstrues grekë protestojnë pranë Ambasadës Gjermane në Athinë

Demonstrues grekë protestojnë pranë Ambasadës Gjermane në Athinë

Qendrimi "ne veprojmë si duhet, bëni si ne", është rruga e gabuar, thotë politologu.

"Për këtë arsye gjermanët shihen si mësues shkolle, jo vetëm në Greqi", ishte bilanci i shkrimtarit grek Petros Markaris në gazetën gjermane "Süddeutsche Zeitung". "Thuajse gjithë popujt e Ballkanit e shohin veten si viktima të pafajshme", ndërsa gjermanët "janë krenarë për arritjet e tyre dhe duan që edhe pjesa tjetër e evropianëve të veprojnë si ata". Por në këtë mes ata harrojnë "se Jugu ka krejt tjetër kulturë".

Respekti dhe takti në sjelljen me njëri-tjetrin mungojnë. "Kjo tregon se sa i ndjeshëm është llaku kulturor që kemi ngritur në 50 vite integrim", kritikon Ulrike Guérot, drejtuese e zyrës berlineze të një instituti kërkimor për politikat evropiane. A ka dështuar kultura politike gjermane e dekadave të fundit? Jo, thotë ekspertja për Evropën, kriza ka një dimenson që nuk është shfaqur kurrë më parë.

Petros Markaris, shkrimtar grek

Petros Markaris, shkrimtar grek

"Nuk bëhet fjalë vetëm për një krizë të euros apo për mbingarkesë me borxhe të Jugut. Bëhet fjalë për krizë të kapitalizmit, krizë të bankave, krizë të sovranitetit dhe krizë sistemi."

Diskutimi kulturor

"Evropa ka investuar shumë në ekonomi, por shumë pak në kulturë dhe në vlerat e përbashkëta", konstatonte shkrimtari grek Petros Markaris që në fillim të 2012-s. Më vonë do të shtonte: "Do të kishte qenë mirë për të dyja palët nëse në anën e grekëve krahas ndjenjave do të fliste pak edhe arsyeja dhe tek gjermanët arsyeja të shoqërohej nga pak ndjenjë mirëkuptimi."

Autor: Aya Bach/ Eliana Xhani

Redaktoi: Auron Dodi