1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Merkeli në Lubjanë: Përvoja sllovene e rëndësishme për Ballkanin

Kancelarja gjermane Angela Merkel u takua të martën (30.08) në Lubjanë me kryeministrin slloven, Borut Pahor. Në vizitën e saj të dytë brenda një jave në Ballkan, Merkeli tha se përvoja sllovene ka rëndësi për Ballkanin.

Merkel takohet me Borut Pahor në Lubjanë (30.08)

Merkel takohet me Borut Pahor në Lubjanë (30.08)

Kriza e borxheve në Evropë po e bashkon aktualisht Merkelin me kryetarë të tjerë shtetesh dhe qeverish përtej kufijve partiakë. Mikpritësin e saj, kryeministrin slloven Borut Pahor i partisë socialdemokrate, Merkeli e lëvdoi në tone të larta, para së gjithash për guximin e tij, të ndërmarrë edhe reforma që nuk janë tepër popullore, por që e nxjerrin Slloveninë nga kriza.

"Ne duhet ta forcojmë eurozonën dhe Evropën. Për këtë arsye është e rëndësishme që Gjermania dhe Sllovenia ndjehen të obliguara ndaj paktit plus të euros. Ne duhet të bëjmë secili reformat e nevojshme, dhe unë dua ta falënderoj këtu Borut Pahorin për guximin e tij. Nga ana tjetër duhet të tregojmë nga jashtë unitetin evropian, kjo është deviza e ditës, kemi nevojë për më shumë bashkim politik."

Një ditë do të kemi Shtetet e Bashkuara të Evropës

Kryetari i qeverisë sllovene shkoi një hap më tej. Projektin gjermano-francez për një qeveri të përbashkët ekonomike, Borut Pahor e quajti vetëm "një hap në drejtimin e duhur". Kjo rrugë duhet të përfundojë një ditë me "Shtetet e Bashkuara të Evropës", u shpreh i bindur Pahor.

Në konferencën për shtyp

Në konferencën për shtyp

Nëse ai deri atëherë do të jetë ende kryeministër, për këtë mund të dyshohet, sepse Sllovenia ekonomikisht nuk i ka punët mirë. Shpenzime të larta buxhetore e kërcënojnë shtetin e vogël prej dy milionë banorësh. Qeveria e koalicionit të Majtë dhe të Qendrës po tregohet gjithnjë e më e dobët për t'i dalë zot kësaj situate.

Sllovenia në përpjekje për të dalë nga kriza

Reformën e pensioneve, e menduar si hapi i parë drejt konsolidimit, qytetarët sllovenë e rrëzuan në qershor përmes referendumit. Dy partnerë të koalicionit ndërkohë janë larguar nga qeveria, kështu që programi i paraparë i kursimeve ka shumë pak shanse të marrë mazhorancën e duhur në parlamentin slloven. Borut Pahor, megjithatë tregohet optimist: "Megjithëse ne jemi një qeveri e pakicës, ne do të bëjmë gjithçka që të gjejmë një zgjidhje me partnerët dhe opozitën për të përmbushur detyrimet e paktit të stabilitetit. Bëhet fjalë për të rritur aftësinë e konkurrencës dhe ruajtur stabilitetin e financave publike."

Borut Pahor ka probleme në vendin e tij

Borut Pahor ka probleme në vendin e tij

Ballkani perëndimor mund të mësojë nga Sllovenia

Krahas krizës së borxheve në eurozonë, në takimin e Lubjanës, u diskutua edhe perspektiva e anëtarësimit për shtetet e Ballkanit perëndimor. Vetëm javën e kaluar Merkeli vizitoi Kroacinë dhe Serbinë. Merkeli pas takimit me Borut Pahor i atribuoi Sllovenisë një rol të rëndësishëm në procesin e afrimit të vendeve të Ballkanit drejt BE-së. "Së pari për shkak të përvojës së saj, dhe së dyti sepse Sllovenia në një moment shumë të vështirë ka treguar se di të gjejë një zgjidhje së bashku me Kroacinë për çështjen e kufirit, gjë që nuk ishte aq e thjeshtë. "

Marrëdhëniet mes Sllovenisë dhe Gjermanisë, tradicionalisht të mira, do të zgjerohen edhe më tej në të ardhmen, si në aspektin politik, ekonomik ashtu edhe atë kulturor.

Autor: Jörg Pass/Lindita Arapi

Redaktoi: Angjelina Verbica