1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Merkeli në Bukuresht- Futja në zonën e Shengenit do të bëhet sipas kriterevve teknike

Kancelarja gjermane Angela Merkel vizitoi të martën Rumaninë. Kjo është vizita e parë zyrtare. Pas qëndrimit në Bullgari, ajo u takua në Bukuresht u takua me presidentin dhe kryeministrin e Rumanisë.

Kancelarja gjermane Angela Merkel në Bukuresht me kryeministrin rumun Emil Boc

Kancelarja gjermane Angela Merkel në Bukuresht me kryeministrin rumun Emil Boc

Ishte kjo vizita e parë zyrtare e kancelares Angela Merkel në Rumani, ndonëse edhe një herë tjetër më parë ka qenë në këtë vend, në kuadër të samitit të NATO-s. Fillimisht u takua me kryministrin Emil Boc, me të cilin bisedoi edhe për çështjet evropiane. Një prej pikërëndesave ishte futja e Rumanisë në zonën e Shengenit, në mars të vitit 2011.

“Rumania është e vetëdijshme se është e detyruar të ruajë kufijtë e jashtëm evropianë, në momentin kur të futet në zonën e Shengenit“, deklaroi kryeminstri Boc, i cili falënderoi Berlinin për mbështetjen e dhënë në përpjekjet për zgjidhjen e konflikteve rajonale, në veçanti atë të Transnistrisë me Repulikën e Moldavisë. Kryeminisri rumun vlerësoi edhe vendimin për hapjen prej 1 shtatorit të vitit 2011 të tregut të punës në Gjermani për punëtorët sezonal rumunë.

Kancelarja gjermane Angela Merkel në Bukuresht

Kancelarja gjermane Angela Merkel në Bukuresht

Përfitime dypalëshe

Kancelarja Merkel nga ana e saj vlerësoi përpjekjet e Rumanisë për tejkalimin e krizës ekonomike, që kanë pasoja pozitive edhe për ekonominë evropiane. „Përmes masave ekonomike të ndërmarra, Gjermania ka dhënë vitin e kaluar kontribut për stabilizimin edhe të industrisë së automobilëve në Rumani dhe në këtë mënyrë të dy palët kanë përfituar.“

Kancelarja theksoi se Rumania duhet të vazhdojë përpjekjet për reforma, në veçanti në sektorin juridik. Reformat nuk kanë ndonjë alternativë, sepse vetëm kështu mund të sigurohen investimet e jashtme, theksoi Merkel. Sa i përket futjes së Rumanisë në zonën Shengen, ajo bëri të ditur se do të merren parasysh vetëm kriteret teknike e jo edhe ato politike. „Në nëntor do të ketë konsultime në BE dhe mund t'ju them se do të veprojmë vetëm sipas kritereve reale dhe do të bazohemi tek analiza e Komisionit Evropian."

Angela Merkel foli edhe kufijtë e jashtëm të BE-së. "Sa i përket fqinjëve, qëllimi është që të zgjidhet konltikti në Moldavi rreth Transnistrisë dhe besoj se Rumania këtu mund të luaj një rol të rëndësishëm.“

Kancelarja gjermane Angela Merkel në Bukuresht me presidentin rumun Traian Basescu

Kancelarja gjermane Angela Merkel në Bukuresht me presidentin rumun Traian Basescu

Rumania ka borxhe tek firmat gjermane

Një temë tjetër ishte shumë më e nxehtë: Rumania i ka borxh sipërmarrjeve gjermane rreth 143 milionë euro. Kryeministri rumun tha se shteti po ndërmerr të gjitha masat për shlyerjen e llogarive të hapura. Ndërsa kancelarja Merkel megjithë mirëkuptimin për gjendjen e rëndë ekonomike të Rumanisë, theksoi se këto probleme duhet të zgjidhen. Ajo tha se gjërat e tilla nuk ndikojnë mirë në klimën e investimeve, prandaj duhet të zgjidhen sa më parë dhe duhet të ketë siguri juridike për investime. Pas takimit me presidentin Traian Basescu u bë e ditur se ata kanë biseduar për shumë çështje: raportet bilaterale, integrimin e romëve dhe sigurinë energjetike në Evropë. Është debatuar edhe për gjendjen në Ballkan, por detajet nuk janë bërë të ditura.

Autor: Laurentiu Diaconu/ Bahri Cani

Redaktoi: Aida Cama