1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Merkeli me qëndrim të patundur

Atentatet terroriste e larguan për disa ditë nga vëmendja e medieve krizën e refugjatëve. Por tani, grindja se sa refugjatë duhet të vijnë në Gjermani zhvillohet edhe më me ashpërsi.

Në ceremoninë e përmortshme në Hamburg për ish-kancelarin Helmut Schmidt, Merkeli lëvdoi qëndrimin e tij të patundur, guximin e tij për të mbrojtur bindjet e tij dhe gatishmërinë e tij për ta paguar vetë çmimin më të lartë për to, pra për ta paguar edhe me postin e kancelarit. Merkeli e kishte fjalën për vendimin e atëhershëm të Schmidtit në mbështetje të të ashtuquajturit vendim i dyfishtë i NATO-s. Por këto fjalë tingëlluan si mbrojtje e qëndrimit të saj në politikën ndaj azilantëve.

Schmidti e pati njohur që herët nevojën për ideale dhe që bota do të bëhej më e hapur. Që Merkeli e përdori edhe një fjalim të përmortshëm për të bërë të qartë se me të nuk do të ketë kthim pas nga politika aktuale ndaj refugjatëve, çfarëdo që të kushtojë kjo, tregon se sa fort po lufton ajo. Merkeli tha në fjalën e saj se Schmidti i merrte vetëm atëherë vendimet, kur i konsideronte ato të menduara mirë dhe të zgjuara. Dhe se mënyra konsekuente e qeverisjes dhe përballimi i krizave e patën mprehur aftësinë e tij për të gjykuar. A donte të thoshte Merkeli se në çështjen e diskutuar me forcë aktualisht për vendosjen e një kufiri të sipërm për numrin e refugjatëve ajo nuk e kishte marrë ende vendimin përfundimtar?

Zëvendëszëdhënësi i qeverisë, Georg Streiter tha në Berlin, paralelisht me fjalën e Merkelit në Hamburg se ajo që diskutohet është një rregullim evropian dhe jo gjerman i çështjes së migrimit. Një rregullim vetëm nga ana e Gjermanisë do të sillte caktimin e një kufiri të sipërm të njëanshëm të numrit të refugjatëve. Kjo nuk është ajo që diskutohet, në diskutim është vetëm çështja e kontigjenteve gjithëevropiane. Po a është kjo një perspektivë realiste? Merkeli po humbet gjithnjë e më shumë mbështetës në BE, ndërkohë shtetet baltike dhe evropianolindore ndodhen krejtësisht në një kurs tjetër dhe nuk duan të pranojnë refugjatë.

Bisedimet për një zgjidhje me kontigjente BE po i zhvillon nën presion të madh kohe, tha një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme. Por një plan konkret veprimi ai nuk qe në gjendje të përmendte. Po bëhen përpjekje që të arrihen sa më shpejt që të jetë e mundur marrëveshje me Turqinë. Turqia është aktualisht vendi kyç për zgjidhjen me kontigjente, sepse përmes Turqisë vijnë shumica e refugjatëve.

Paketa e re për azilin ka ngecur

Gjithsesi: Streiter tha se synimi i qeverisë gjermane është reduktimi i migrimit. Sa i madh është presioni për të vepruar, këtë e tregojnë shifrat e fundit të migrantëve. Që prej fillimit të muajit, në Gjermani janë regjistruar rreth 180.000 hyrje ilegale në vend. Në dy javët e fundit, në Gjermani erdhën çdo ditë 7000 deri 8000 njerëz ilegalisht.

Njëkohësisht, partneri socialdemokrat në koalicion ka bllokuar pjesë të një pakete masat për azilin, të përpunuar nga Ministria e Brendshme. Kështu vështirësi ka në miratimin e masës që refugjatëve të mitur t'u vështirësohet tërheqja e familjeve të tyre. Mijëra të mitur kanë ardhur në Gjermani duke ndjekur me këtë edhe një model të bandave të trafikantëve. Veç kësaj, refugjatët pa dokumenta do të trajtohen sipas paketës së masave më keq, duke i mbajtur në qendrat fillestare të pranimit, të cilat janë përgatitur për një kthim të shpejtë të tyre në atdhe. SPD frenon, CSU kërkon një kurs më të ashpër në çështjen e azilit. Një situatë e tillë kërkon qendrime të patundura.