1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Merkeli mbron politikën e saj përballë kritikave

Qeverisë i mungon busulla politike, me këto fjalë e kritikoi Helmut Kohli kancelaren Merkel. Por Merkeli nuk e lë kritikën pa përgjigje. Ja që kohët kanë ndryshuar, thuhet në Berlin.

Në foto, Angela Merkel dhe Helmut Kohl (16.12.1991)

Në foto, Angela Merkel dhe Helmut Kohl (16.12.1991)

Kancelarja Merkel hedh poshtë kritikën e ish-kancelarit Kohl

Në foto, kancelarja Merkel

Në foto, kancelarja Merkel

Kancelarja Angela Merkel (CDU) e hodhi poshtë e përmbajtur, por e qartë në përmbajtje kritikën e ashpër të ish-kancelarit Helmut Kohl (CDU) se politikës së jashtme gjermane i mungon busulla. "Meritat e Helmut Kohlit si kancelar i ribashkimit gjerman dhe i bashkimit të Evropës janë të paçmueshme", i tha Merkeli numrit të së enjtes të gazetës «Süddeutsche Zeitung». Por kryetarja e CDU-së shtoi se "çdo kohë ka sfidat e saj specifike. Qeveria kristjane-liberale punon që t'i përballojë me vendosmëri sfidat me partnerët tanë në Evropë dhe në botë."

Ministri i Jashtëm Guido Westerwelle (FDP) u shpreh në mënyrë të ngjashme të mërkurën në mbrëmje në kanalin televiziv ZDF. Ai tha se nuk mund të bëhet fjalë për një ndryshim kursi në politikën e jashtme:"Për ne nuk është vendimtare që të kujdesemi vetëm për partneritete të vjetra, për thellimin e miqësive, por në botën e shekullit të 21-të është e rëndësishme që t'i marrim seriozisht qendrat e reja të fuqisë në botë dhe që të ndërtojmë partneritete të reja strategjike. Ky nuk është ndryshim kursi, ky nuk është as harrimi i kursit tonë ose i busullës sonë, por pranimi i thjeshtë i një kohe të re".

Në foto, Guido Westerwelle

Në foto, Guido Westerwelle

Westerwelle shtoi se si një vend eksportues, që jeton nga bashkëveprimi ndërkombëtar, Gjermania duhet të farkëtojë partneritete strategjike edhe me këto qendra të reja force. Kështu i kundërshtoi ministri i Jashtëm gjerman fjalët e ish-kancelarit Kohl, i cili e qeverisi Gjermaninë nga viti 1982 deri më 1998.

 

Helmut Kohl: Qeverisë aktuale i mungon busulla politike

Përsa i përket kritikës së Kohlit për abstenimin në KS të OKB-së në lidhje me angazhimin e Natos në Libi, ministri i Jashtëm tha se Gjermania preferoi masa politike, të cilat nuk duhen nënvleftësuar. Shprehimisht e mbështeti Westerwelle kritikën e Kohlit për zbutjen e Paktit të Stabilitetit të Euros.

Sekretari i Përgjithshëm i CDU-së Herman Gröhe i kundërshtoi gjithashtu tezat e Kohlit dhe tha se partneriteti transatlantik, bashkimi i Evropës dhe miqësia gjermano-franceze përcaktojnë edhe sot veprimtarinë e qeverisë së Angela Merkelit. Këto ai i tha për gazetën "Die Welt".

Në foto, ish-kancelari Helmut Kohl

Në foto, ish-kancelari Helmut Kohl

Pa e përmendur me emër kancelaren, Kohli u ankua në një intervistë dhënë dje revistës "Politika Ndërkombëtare" se qeverisë i mungon busulla politike. Në mënyrë indirekte ai e kritikoi Merkelin edhe që nuk ka dëshirë të udhëheqë dhe organizojë. 81 vjeçari kritikoi fërkimet në marrëdhëniet me SHBA. Heqjen e shërbimit të detyruar ushtarak ai e quajti gabim. Qeverinë e socialdemokratëve dhe të Të Gjelbërve Kohli e kritikoi që bëri gabim kur e pranoi Greqinë në eurozonë. Megjithatë, ai kërkoi tani solidaritet me Greqinë dhe për shpëtimin e euros.

 

Autor: Auron Dodi / dpa

Redaktoi: Esat Ahmeti