1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Merkeli mbron planet për reformimin e Paktit të Stabilitetit

Kancelarja Angela Merkel dhe presidenti francez Nicolas Sarkozy kanë rënë në ujdi për objektivat e tyre. Kjo ka ngjallur kritikë jo vetëm nga shtetet e vogla të BE-së, por edhe nga vetë parlamenti gjerman.

Në parlament Merkel foli për sanksionet automatike

Në parlament Merkel foli për sanksionet automatike

Samiti i BE-së në Bruksel hodhi paraprakisht hijen e tij në parlamentin gjerman. Të enjten dhe të premten (28./29.10.) Këshilli i BE-së, në të cilin bëjnë pjesë kryetarët e shteteve dhe qeverive të 27 vendeve anëtare, do të zhvillojë konsultime rreth mësimeve të nxjerra nga kriza greke në fillim të këtij viti. Një grup pune drejtuar nga presidenti i Këshillit të BE-së Herman von Rompuy ka shpërndarë propozimet e tij. Por kancelarja Angela Merkel dhe presidenti francez Nicolas Sarkozy kanë rënë në ujdi për objektiva të tjera. Kjo ka ngjallur kritikë jo vetëm nga shtetet e vogla të BE-së, por edhe nga vetë parlamenti gjerman.

Replikat ishin të ashpra e megjithatë mbeti hapësirë për humanizëm. Frank-Walter Steinmeier, ish-ministër i Jashtëm dhe kryetar i grupit parlamentar të socialdemokratëve në opozitë, ishte rikthyer në parlament, pasi i kishte dhuruar një veshkë gruas së tij të sëmurë rëndë. Kancelarja Merkel i uroi përzemërsisht mirëseardhjen.

Steinmeier iu përgjigj me fjalë të ashpra fjalës së kancelares para parlamentit

Steinmeier iu përgjigj me fjalë të ashpra fjalës së kancelares para parlamentit

Ndërsa vetë socialdemokrati Steinmeier përshëndeti nga ana e tij ministrin e Financave, kristiandemokratin Wolfgang Schäuble, i cili kishte munguar gjithashtu gjatë për arsye shëndetësore. "Zoti Schäuble, nga ana ime, e gjithë grupit tim parlamentar, dhe të gjithëve ne këtu në parlament, urimet më të mira për shëndetin tuaj."

Por pastaj Steinmeier iu përgjigj me fjalë të ashpra fjalës së kancelares para parlamentit. Në deklaratën e saj qeveritare Merkel kishte lëvduar marrëveshjen e arritur me presidentin francez Nicolas Sarkozy në Deauville të Francës. Të dy politikanët hoqën dorë nga sanksionet automatike, të cilat ishin parashikuar nga Komisioni i BE-së për shtete, të cilat shkelin rregullat për deficitin buxhetor. Merkel kishte lëshuar pe në këtë pikë, pas kërkesave të Sarkozy-së. Në këmbim presidenti francez pranoi kërkesën e Merkelit, për t'u hequr të drejtën e votës në Këshillin e ministrave të BE-së, atyre vendeve anëtare, të cilat vazhdimisht cënojnë rregullat për deficitin.

Kryetari i grupit parlamentar të socialdemokratëve në opozitë, vërejti: "Unë kam frikë se Deauville nuk i hap derën një kompromisi, përkundrazi. Kjo marrëveshje në Deauville e ka bërë shumë më të vështirë arritjen e kompromiseve në Evropë në të ardhmen."

Në deklaratën e saj qeveritare Merkel kujtoi edhe njëherë krizën e Greqisë: "Kjo krizë në Evropë ishte ekzistenciale. Ne arritëm ta vëmë nën kontroll, po vetëm kjo nuk mjafton. Për këtë arsye po ju them farë qartë: objektivi im dhe i qeverisë gjermane është, që monedha evropiane, euro, të jetë e qëndrueshme në periudhë afatgjatë."

Kritikat vijnë edhe nga parlamenti gjerman

Kritikat vijnë edhe nga parlamenti gjerman

Ndryshe nga sa veproi pas samitit gjermano-francez në Deauville, në parlament Merkel foli për sanksionet automatike, të cilat megjithatë mund të anulohen me vendim të kryetarëve të qeverive të BE-së. Kancelarja përshëndeti në veçanti rregullin, sipas të cilit sanksione nuk do të ketë vetëm kur borxhi i ri i një vendi është i lartë, por edhe kur borxhet e mbledhura në vite arrijnë nivel shumë të lartë.

Kancelarja gjermane përshëndeti edhe synimin për të ndryshuar marrëveshjet e BE-së për masat e reja të stabilitetit të euros: "Kuadri i ri për përballimin e krizave duhet të jetë solid juridikisht dhe kjo është e mundur vetëm në një ndryshim të marrëveshjeve evropiane."

Oratorët nga radhët e opozitës e cilësuan një plan të tillë pa shanse. Pasi një ndryshim i marrëveshjeve duhet miratuar nga të gjitha vendet anëtare.

Autor: Peter Stüzle

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 28.10.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Pqts
  • Data 28.10.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Pqts