1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Merkeli kërkon nga Netanjahu lëshime në konfliktin në Lindjen e Mesme

Gjatë vizitës në Berlin kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu u takua të enjten (27.8.) me ministrin e jashtëm Frank-Walter Steinmeier e kancelaren gjermane Angela Merkel. Tema qendrore ishin Lindja e Mesme, Irani etj

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe kryeministri izraelit, Beniamin Netaniahu

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe kryeministri izraelit, Beniamin Netaniahu

Merkeli kërkon ndërprerjen e ndërtimit të ngulimeve hebreje

Kancelarja gjermane Angela Merkel mendon se aktualisht ekzistojnë shanse të mira për bisedime të reja në mes të izraelitëve dhe palestinezëve. Ajo kërkoi nga kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu ndërprerjen e ndërtimit të ngulimeve të reja hebreje në rajonet palestineze. Ky është një hap shumë domethënës në rrugën drejt një zgjidhjeje me dy shtete.

"Para së gjithash duhet të mbahet parasysh që të mos lëshohet prej duarsh shansi për krijimin e një shteti palestinez, duke vazhduar me ndërtimin e ngulimeve".

Edhe Netanjahu është për një zgjidhje me dy shtete

Merkeli e përsëriti disa herë gjatë konferencës së përbashkët për shtyp këtë kërkesë, e cila është në tërësi në të njëtën vijë me politikën amerikane për Lindjen e Mesme. Kryeministri izraelit Netanjahu nuk u prononcua lidhur me këtë kërkesë, por u shpreh se edhe ai është për një zgjidhje me dy shtete. Bazë për këtë zgjidhje është që palestinezët të njohin të drejtën e ekzistencës së shtetit izraelit.

"Unë bisedova me kancelaren për synimin tim, që t'i japim fund këtij konflikti dhe unë i thashë asaj se cila është formula jonë për paqen: një shtet i çmilitarizuar palestinez, i cili e njeh shtetin izraelit".

Qeveria e Netanjahut ka ndërmarrë hapa seriozë për t'iu lehtësuar jetën palestinezëve. Ajo ka hequr bllokadat e rrugëve dhe pikat e kontrollit në rajonet e pushtuara dhe ka mënjanuar pengesat tregtare, theksoi Benjamin Netanjahu.

'Për dy-tre muaj rifillojmë negociatat me palestinezët'

"Unë shpresoj që në dy-tre mujat e ardhshëm ne do të rifillojmë negociatat. Ne kemi mundur ta bëjmë këtë qysh pas ardhjes sime në krye të qeverisë para katër muajsh. Unë isha dhe jam i gatshëm që të takohem pa kushte me udhëheqjen palestineze, në mënyrë që të çojmë procesin përpara", tha Netanjahu.

Merkeli dhe Netanjahu biseduan edhe për programin bërthamor iranian, nga i cili Izraeli e ndien veten seriozisht të kërcënuar. Oferta për negociata e vendeve të G8-ës për Iranin tani ndodhet në tryezë, tha kancelarja gjermane.

"Nëse për këtë nuk do të kemi përgjigje pozitive, atëherë ne do të mendohemi për masa më të forta, sanksione në fushën e energjisë dhe në fusha të tjera të rëndësishme dhe të ndieshme si në tregun financiar. Dhe ne jo vetëm që do të mendohemi për këtë, por edhe do të flasim me bashkësinë ndërkombëtare se si do t'i vemë ato në jetë".

Qeveria izraelite angazhohet për sanksione të forta kundër Iranit

Qeveria izraelite angazhohet për sanksione të forta, në rast nevoje edhe pa një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kryeministri Netanjahu shpreson në këtë pikë që bashkësia ndërkombëtare do të ketë një qëndrim të ashpër.

Pjesa më e pakomplikuar e bisedimeve ishte ajo për marrëdhëniet bilaterale. Të dy, Netanjahu dhe Merkel theksuan se ato janë të shkëlqyeshme. Netanjahu e quajti Merkelin 'mikeshë të vërtetë të Izraelit'. Qysh këtë vit, sapo të kenë përfunduar zgjedhjet dhe të ketë filluar punën qeveria e re gjermane duhet të vazhdojë punën edhe institucioni i krijuar që në kohën e paraardhësit të Netanjahut, Ehud Olmert për konsultimet gjermano-izraelite.

Autor: Nina Werkhäuser/Esat Ahmeti

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 28.08.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JJqN
  • Data 28.08.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JJqN