1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkeli kërkon armëpushim të dyanshëm në Ukrainë

aud/mak/se (afp, dpa, rtr)24 Gusht 2014

Në Kiev kancelarja gjermane u bëri thirrje për paqe të gjithë pjesëmarrësve në konfliktin e Ukrainës.500 milionë euro premtoi ajo për furnizim me energji dhe me ujë. Për refugjatët paratë janë më pak.

https://p.dw.com/p/1CzuW
Fotografi: Reuters

Në vizitën e saj të parë në Ukrainë që prej shpërthimit të krizës në fillim të vitit, kancelarja Merkel theksoi se "integriteti territorial dhe mbarëvajtja e Ukrainës" janë "objektiv i qenësishëm i politikës gjermane". Njëkohësisht ajo u kërkoi trupave qeveritare të Ukrainës dhe separatistëve prorusë një "armëpushim të dyanshëm" për t'i dhënë fund konfliktit. Nuk mund të ketë sukses nëse për zgjidhje diplomatike është e interesuar vetëm njëra palë, tha kancelarja Merkel pas takimit të saj në Kiev me Presidentin e Ukrainës, Petro Poroshenko.

Ndihmë ekonomike dhe për refugjatët

Merkeli i premtoi Ukrainës garanci kredie në shumën 500 milionë euro. Ky "kuadër garancie"duhet të ndihmojë që të mundësojë investime private në infrastrukturën e vendit, tha kancelarja. Synimi është që me këtë të financohen projekte si furnizimi me ujë dhe energji dhe shkollat, tha ajo.

Veç kësaj, Gjermania do të vërë në dispozicion 25 milionë euro për ndërtimin e strehimeve për refugjatët, tha Merkel. Që prej fillimit të luftimeve në Ukrainën Lindore në prill, disa qindra mijëra vetë u detyruan të braktisin shtëpitë dhe apartamentet e tyre. Kombet e Bashkuara flasin për 400 mijë refugjatë.

Poroshenko thekson vullnetin për paqe

Preisidenti Poroshenko theksoi gatishmërinë për paqe të Ukrainës. "Lufta nuk është zgjedhja jonë, na u imponua nga jashtë", tha ai pas takimit në Kiev me kryetaren e qeverisë gjermane. Çelësi për zgjidhjen është tërheqja e mercenarëve rusë nga vendi i tij, tha Poroshenko. Ukraina është e gatshme që të punojë së bashku me Evropën për paqen. Megjithatë jo me çdo kusht, u shpreh ai. "Pala ukrainase dhe partnerët tanë evropianë do të bëjnë gjithçka për ta rivendosur paqen - por jo duke hequr dorë nga integriteti ynë territorial dhe nga pavarësia jonë".

Presion ndaj Rusisë

Merkeli i bëri thirrje palës ruse që të angazhohet gjithashtu për një plan paqeje. "Shpresoj se bisedimet me Moskën do të arrijnë sukses", tha Merkeli në drejtim të Presidentit rus, Vladimir Putin.Sanksione të tjera kundër Rusisë nuk përjashtohen, nëse situata keqësohet.

Si hap të rëndësishëm Merkeli kërkoi një kontroll të pavarur të kufirit ruso-ukrainas nga OSBE-ja. Njëkohësisht ajo kujtoi se e konsideron jolegjitim aneksimin e Krimesë nga Rusia. "Kjo nuk është harruar", tha ajo.

Autokolona me makina sërish në Rusi

Ndërkohë kamionët e autokolonës ruse me ndihma për Ukrainën Lindore, sipas ministrisë së Jashtme ruse janë kthyer sërish në Rusi. Shefi i misionit të OSBE-së në kufi, Paul Picard si dhe kufitarë rusë konfirmuan që kamionë të lyer me ngjyrë të bardhë kanë kaluar kufirin. Autokolona qe shkarkuar në Luhansk pa lejen e autoriteteve të Ukrainës, të cilat u druajtën se Moska ka fshehur në kamionë armë për kryengritësit prorusë.