1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Merkeli inkurajon Bukureshtin për më shumë reforma

Klaus Iohannis do ta afrojë Rumaninë më tepër me Evropën, por edhe në turneun e tij evropian ai përballet me situatën e brendshme politike në Rumani.

Në fakt, Klaus Iohannisi po bën një turne të gjatë jashtë vendit. Disa ditë më parë ai ishte në Uashington dhe bisedoi me presidentin amerikan Donald Trump. Tani është deri të mërkurën në Berlin. Nga Berlini ai shkon në Bruksel për një takim bilateral me presidentin francez Emmanuel Macron dhe tek Këshilli Evropian (ku do të takohet përsëri me Merkelin).

Por edhe jashtë vendit ai po përballet me situatën e brendshme aktuale politike në Rumani - një krizë të fortë qeveritare. Të mërkurën pritet aty një mocion mosbesimi ndaj kryeministrit Sorin Grindeanu, për shkak se socialdemokratët në pushtet nuk kanë më besim te ai, ngaqë Grindeanu refuzon të liberalizojë ligjin penal mbi korrupsionin.

Ata e vlerësojnë njëri-tjetrin

Iohannisi u përpoq t'i qetësonte përpara gazetarëve shqetësimet rreth pasojave të këtyre trazirave në politikën e jashtme. "Politika e Jashtme dhe ajo evropiane nuk janë të prekura në asnjë mënyrë, sepse unë angazhohem shumë, shumë fort për to," tha ai. Dhe të gjithë politikanët duant që këto sfera të politikës të drejtohen "në mënyrë të arsyeshme" dhe janë "të gjithë të të njëjtit mendim" lidhur me politikat themelore evropiane.

Kancelarja Merkel nuk tha zyrtarisht asgjë për punët e brendshme në Rumani. Por u shpreh se shpreson që në Rumani do të forcohen më tej sundimi i ligjit dhe demokracia. Vendi bërë që prej vitit 2007 kur u anëtarësua në BE reforma të rëndësishme - edhe në luftën kundër korrupsionit. "Çdo shmangie prej këtyre arritjeve", - i tha ajo presidentit Iohannis - do të thotë "që vihen në pikëpyetje edhe përparime në çështje të tjera". "E rëndësishme është që procesi i reformave vazhdon."

Duket që ata që të dy e respektojnë njëri-tjetrin dhe nuk i kursejnë lëvdatat për njëri-tjetrin. Presidenti rumuan e quan madje kancelaren "e dashur Angela".

Dita përkujtimore për refugjatët dhe të dëbuarit

Sot (20.06) Iohannis do të flasë në ceremoninë për Ditën përkujtimore për refugjatët dhe të dëbuarit. Në këtë ditë përkujtimore të shpallur që prej vitit 2015 qeveria gjermane nderon viktimat e dëbimeve dhe të mërgimit në të gjithë botën, si dhe sidomos gjermanët e dëbuarit nga territore të ndryshme në Evropën Lindore, ku jetonon minoritete gjermane. Edhe presidenti rumun është pjesëtar i minoritetit rumun në Transilvani dhe thotë se ky minoritet ka qenë një urë e rëndësishme mes dy vendeve.  

Presidenti rumun thekson se është proevropian dhe kërkoi sërish në Berlin që Rumania të pranohet sa më shpejt në hapësirën Shengen.