1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

"Merkeli i cakton Serbisë kushte për anëtarësimin në BE"

Shtypi gjerman i së mërkurës (24.08.2011) komenton gjerësisht vizitën e kancelares gjermane, Angela Merkel në Serbi.

default

Në botimin online të revistës DER SPIEGEL, nën titullin "Merkeli grindet me presidentin Tadiç" ndër të tjera komentohet: 

"Një gjë e tillë ndodh shumë rrallë në vizitat shtetërore: mikpritësi dhe vizitorja lëshojnë tone zemërimi përpara shtypit. Kjo ndodhi gjatë vizitës së kancelares Merkel në Serbi. Ajo kërkoi nga presidenti Tadiç bisedime direkte me Kosovën. Kurse ai kundërshtoi çdo ndërhyrje." Më tej, komentatori i DER SPIEGEL shtjellon:

"Gjermania dhe Serbia grinden hapur për zgjidhjen e një konflikti kufitar me Kosovën. Kancelarja Angela Merkel nguli këmbë për një zgjidhje, gjatë vizitës së saj në Serbi. Në një takim që zhvilloi me presidentin e Serbisë, Boris Tadiç, ajo kërkoi prej tij në mënyrë të pazakontë të qartë që të nisë një dialog të drejtpërdrejtë me qeverinë e dominuar nga shqiptarët në Prishtinë. Tadiçi nuk lejoi t'ia thoshin këtë dhe tha se vendi i tij është vetë i interesuar për një zgjidhje të konfliktit që u shkallëzua katër javë më parë në mënyrë të përgjakshme. 'Askush nuk ka nevojë të kërkojë nga Serbia, që të zhvillojë sërish një dialog me Prishtinën' ", tha Tadiçi.

"Merkeli i cakton Serbisë kushte për anëtarësimin në BE" titullohet shkrimi në numrin e sotëm të gazetës SÜDDEUTSCHE ZEITUNG.  Ku ndër të tjera shkuhet:

"Merkeli e kujtoi Beogradin, që t'i zhvillojë bisedimet e drejtpërdrejta me udhëheqjen në Prishtinë në një mënyrë të tillë, që të mund të shënohen edhe suksese...Kancelarja e lëvdoi guximin e presidentit të Serbisë, para së gjithash në bashkëpunimin me Tribunalin e Hagës për krime lufte...Tadiçi deklaroi: Serbia dëshiron ta trajtojnë si çdo kandidat tjetër i BE-së, as më mirë dhe as më keq. Krahas statusit të kandidatit, vendi i tij pret së shpejti edhe një datë për fillimin formal të negociatave. Merkeli tha se nuk mund të japë të dhëna kohore, ato që kanë rëndësi janë përparimet përmbajtësore. 'Ndjesia ime politike seizmografike më thotë, se problemi me të cilin kemi të bëjmë këtu ka natyrë të vështirë'," nënvizohet në artikullin e sotëm të SÜDDEUTSCHE ZEITUNG.

Në deklaratat e kancelares gjermane me presidentin serb në konferencën e shtypit ndalet sot edhe komentatori i gazetës BERLINER ZEITUNG.  Në artikullin e titulluar "Merkeli dhe Tadiçi grinden për Kosovën“, ndër të tjera vërehet:

„Angela Merkel përpiqet që të tregojë një shprehje sa më neutrale të fytyrës, si në poker. Po në fytyrën e saj mund të lexohet lehtë, se biseda (e mëparshme) me Boris Tadiçin nuk ka kaluar siç e shpresonte ajo. Me besim të fortë në vetvete, presidenti i Serbisë e bën të qartë në konferencë e përbashkët të shtypit me kancelaren: Njohja e një shteti të pavarur Kosovë nuk është i pranueshëm për vendin e tij. Konflikti rreth Kosovës pra do të majiset edhe më tej dhe çështja e lidhur me të, nëse, kur dhe si mund të bëhet Serbia anëtare e BE-së nuk është bërë fare më e thjeshtë…

Pyetjes, nëse pas bisedës Merkeli është më optimiste se më parë, kancelarja i shmanget: 'Ndjesia ime politike seizmologjike më thotë se ky është një ndër problemet politike të vështira, që duhet të zgjidhim. ' Por ajo është një njeri optimist, thotë Merkeli, në fund të fundit askujt nuk i kish vajtur mendja më parë që të dyja shtetet gjermane do të ribashkohen dikur. Çështjet e vështira zakonisht nuk zgjidhen me një lëvizje, por hap pas hapi, edhe në këtë rast kështu duhet të ndodhë.

Mendimet në Beograd, për ta shkëputur pjesën e banuar me një shumicë serbe në veri të Kosovës dhe për t'ia bashkuar atë Serbisë, sipas të dhënave nga qarqe qeveritare Merkeli i kundërshtoi në bisedë me vendosmëri. Para bursistëve të një fondacioni Merkeli tha 'Ëndrra të kohëve të shkuara nuk e çojnë përpara vendin.' “

 Autor: Spigel, SZ, Berliner Zeitung (aud)

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora