1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Merkeli (ende) bën sehir

Gjithnjë e më shumë refugjatë, më shumë probleme, gjithnjë e më shumë kritika ndaj kancelares nga radhët e saj. Për shumë kohë, kryetarja e CDU-së nuk do të mund t'i shmanget presionit në rritje, beson Marcel Fürstenau.

Disa fjali ngjiten si çamçakëz tek ai që i ka nxjerrë nga goja. Nga fjali të tilla nuk shpëton kurrë. Ish-kancelari Gerhard Schröder tha njëherë në rini, në vitet 1980:"Dua të futem aty brenda!" Socialdemokrati e kishte fjalën për zyrën e kancelarit, derën e së cilës po e tundte me forcë. Shumë vite më vonë Schröderi e arriti me të vërtetë objektivin e tij të formuluar në një moment hareje të shfrenuar. Kjo fjali ka që atëherë status kulti.

Fjalia më e famshme e Angela Merkelit që prej kësaj vere është: "Do t'ia dalim mbanë!" Ajo u tha në lidhje me krizën e refugjatëve, për përballimin e së cilës pasardhësja e Schröderit në post ishte shumë e bindur. Nëse vazhdon të jetë e bindur, për këtë nga dita në ditë mund të shprehet dyshim.

Gjithnjë e më e izoluar

Merkeli nuk ka më thuajse fare aleatë, tek të cilët mund të mbështetet. Në nivelin evropian ajo ishte e izoluar që në fillim të krizës së refugjatëve. Shumica e vendeve u ndienë të zënë në befasi nga gjermanët, kur ata hapën kufijtë me bujari, para së gjithash për njerëz nga shteti i luftës civile, Siri. Në rrugën për në Gjermani, karvanet e refugjatëve kërkojnë që atëherë rrugë gjithnjë e më të reja në kufijtë e jashtëm të BE. Kulturë mikpritjeje të llojit gjerman ata kanë gjetur pak në këtë rrugë. Edhe në atdheun e Merkelit atmosfera ka ndryshuar.

Kur dy kolegët më besnikë të kabinetit, Ministri i Brendshëm, Thomas de Maiziere dhe Ministri i Financave, Wolfgang Schäuble distancohen nga kancelarja, ajo duhet të alarmohet. Kufizimi i bashkimit familjar, që kërkohet prej kolegëve të kancelares gjithsesi nuk përshtatet me strategjinë e propaganduar deri tani nga Merkeli. Mund të spekulosh, nëse Merkeli e ka nënvleftësuar dimensionin e ardhjes së refugjatëve, në aspektin sasior, cilësor, psikologjik. Faktet janë të qarta: që tani mungojnë strehime të përshtatshme për refugjatët. Ndihmësit profesionistë dhe vullnetarë janë gjithnjë e më të mbingarkuar, vlerat në anketime për parti populiste si Alternativa për Gjermaninë (AfD) janë në rritje.

Marcel Fürstenau

Marcel Fürstenau

Edhe një fjali tjetër e ish-kancelarit Schröder

Merkeli ka gjoja besim të pakufizuar te Ministri i saj i Brendshëm. Po të mos e kishte, ajo duhet ta shkarkonte de Maizière-n. Ose shumë i kritikuari mund të largohet vetë. Shkak për këtë ai ka prej kohësh: në fillim të periudhës legjislative iu desh që t'ia dorëzojë karrigen e shefit në Ministrinë e Mbrojtjes gruas numër dy në partitë unioniste, Ursula von der Leyen. Dhe para disa javësh, Merkeli emëroi koordinator për refugjatët shefin e Zyrës Kancelarore, Peter Altmaier.

Koha ka ardhur pa dyshim që Merkeli të përcaktojë sërish tonin në çështjen e refugjatëve. Po të dështojë në këtë detyrë, një ditë mund të thuhet: "Zonja Merkel kishte zemër, por ja që nuk kishte plan." Edhe kjo fjali është e paraardhësit të saj, Gerhard Schröder.