1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Merkeli e inkurajon Serbinë për reforma të tjera drejt BE

Serbia dëshiron të anëtarësohet në BE, më e vonta deri në vitin 2020. Kryeministri i ri i Serbisë, Vuiçiç shpreson mbështetje para së gjithash nga Gjermania. Por kancelarja dëshiron të shikojë përpara reforma.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel i premtoi mbështetje Serbisë në përpjekje për t'u pranuar në BE. Pas një takimi me kryeministrin e ri serb, Aleksandar Vuçiç në Berlin, Merkeli foli të mërkurën (11.06.2014) për "përparime të rëndësishme" të Serbisë në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Njëkohësisht ajo theksoi rëndësinë e ligjeve për të garantuar transparencë dhe luftën kundër korrupsionit.

Negociatat për anëtarësimin e ish-Republikës jugosllave në BE po vazhdojnë që në krye të këtij viti. Beogradi shpreson se do të anëtarësohet në BE deri në vitin 2020. Ndër çështjet që sjellin mosmarrëveshje të mëdha janë raporti midis Serbisë dhe Kosovës. Prej ish-republikave jugosllave, Sllovenia dhe Kroacia janë anëtarësuar tashmë në BE.

Partner i besueshëm

Pas takimit me kancelaren gjermane, në konferencën e shtypit Vuçiçi premtoi: "ne do të bëjmë gjithçka që të jemi një partner i besueshëm. Ne duam të jemi pjesë e Evropës." Por ai e ka të qartë se "përpara ndodhen detyra të vështira dhe detyrime".

Kritikat ndërkombëtare për shkak të ushtrimit të ndikimit ndaj medieve në Serbi, kryeministri i Serbisë i kundërshtoi. Objektivi i tij është privatizimi i plotë i të gjitha medieve, gjë që do të sjellë sipas tij "liri të plotë mediatike", tha Vuçiç.

Për datën 28 gusht, Gjermania i ka ftuar shtetet e Ballkanit Perëndimor, midis tyre edhe Serbinë, në një konferencë në Berlin. Merkeli bëri të ditur në konferencën e shtypit se takime të tilla do të zhvillohen në të ardhmen çdo vit. Në vitin 2015 është parashikuar një konferencë pasuese në Austri.

DW.COM