1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

NRS-Import

Merkeli do të urojë Kroacinë për pavarësinë - në Serbi flet për tema bilaterale e Kosovën

Kancelarja gjermane, Angela Merkel (CDU) do të vizitojë të hënën dhe të martën Kroacinë dhe Serbinë. Këtë e bëri të ditur sot në Berlin zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert.

Angela Merkel

Kancelarja Angela Merkel

Më 22 gusht Merkeli do të takohet në kryeqytetin kroat Zagreb me kryeministren Jadranka Kosor dhe me presidentin e vendit Ivo Josipoviç. Temë diskutimi janë çështjet bilaterale dhe ndërkombëtare si dhe gjendja në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Vizita është shans për një urim të dyfishtë, tha Seiberti: Merkeli do ta urojë Kosorin për 20 vjet pavarësi të vendit dhe në fund edhe për përfundimin e bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin Evropian. Po në mbrëmje kancelarja do të udhëtojë për në kryeqytetin e Serbisë, Beograd.

Vizitë e Merkelit edhe në Beograd

Të martën është planifikuar një takim me të vejën e politikanit serb, Zoran Xhinxhiç, të vrarë në mars të vitit 2003, Ruzhica Xhinxhiç dhe me bursistë të Fondacionit Xhinxhiç. Pas kësaj ajo do të flasë me presidentin Boris Tadiç për tema ndërkombëtare, bilaterale dhe ekonomike.

Një rol të veçantë do të luajnë në këtë kuadër zhvillimet në rajon, veçanërisht në Kosovë, si dhe afrimi i Serbisë me BE. Pas bisedës me Tadiçin, para kthimit për në Gjermani, është planifikuar edhe një takim me kryeministrin serb, Mirko Cvetkoviç.

Autor: dpa/ Auron Dodi

Redaktoi: Lindita Arapi