1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Merkel vlerëson Serbinë për afrimin në dialogun me Kosovën

Kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiç zhvilloi një vizitë të papritur në Berlin, ku u takua me kancelaren Angela Merkel. Vala e refugjatëve që kalojnë përmes Serbisë drejt BE-së ishte ndër temat kryesore të bisedimeve.

Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, e ka vlerësuar Serbinë për afrimin e arritur në dialogun me Kosovën, e cila është e pavarur qysh prej shtatë vjetësh. Në takimin në Berlin të hënën (07.09) me kryeministrin serb Aleksandar Vuçiç Merkel u shpreh për "përparime të dukshme thelbësore". Ky është, sipas saj, edhe "një impuls i rëndësishëm" për bisedimet e antarësimit të Serbisë me BE. Serbia shpreson, që kapitulli i parë i bisedimeve të antarësimit me BE-në mund të hapet brenda këtij viti. Qeveria gjermane për këtë kish vendosur si kusht pajtimin e Serbisë me Kosovën.

Kryeministri serb Aleksandar Vuçiç pret përforcimin e bashkëpunimit me BE-në në sfondin e valës së refugjatëve, që kalojnë përmes vendit të tij drejt BE-së. Serbia ka mbajtur qendrim të përgjegjshëm, tha Vuçiç para takimit me Merkelin në Berlin. Serbia është vendi i parë europian, që i regjistron dhe u ofron kontrollin mjekësor azilkërkuesve në itinerarin e tyre.

Lëvizja e refugjatëve përmes vendeve të Ballkanit drejt BE-së ishte tema qendrore e takimit të të dy kryeministrave në Berlin. Merkel tha, se migracioni e vendos Serbinë përballë "sfidash të mëdha". Ajo vuri në dukje, se për veprimet e mëtejshme do të bisedojë me Vuçiçin.

Unanimitet ka pasur mes dy kryeministrave, sipas fjalëve të Merkelit, që shtetasit nga Sebria, si një vend i sigurtë origjine, nuk kanë të drejtë për azil në Europë. Vuçiç i përshëndeti planet e qeverisë gjermane, për shkurtimin e ndihmave financiare për azilkërkuesit. Sipas vendimeve të koalicionit në të ardhmen azilkërkeusit në strehimoret e përkohshme të pranimit në Gjermani nuk do të marrin më para në dorë, por mbështetje në natyrë.

Për ata që duhet të largohen nga Gjermania dhe nuk kanë asnjë dokument qendrimi do të pakësohet ndihma sociale. Këto masa vlejnë kryesisht për refugjatët nga Ballkani.

Kryeministri serb deklaroi, se edhe në Serbi do të miratohen ligje, që parashikojnë të pengojnë arratinë drejt Gjermanisë. Kundër atyre që aplikojnë për azil në Gjermani, do të "ketë disa pasoja", sipas tij. Por Vuçiç nuk përmendi konkretisht se çfarë masash parashikohen.