1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Merkel: Shumë e majtë për të djathtët e CDU-së

Në kohët më të mira politike të Angela Merkelit atyre nuk u dëgjohej zëri. Tani kritikët më konservatorë të CDU-së rebelohen kundër kryetares së partisë dhe kancelares gjermane.

Shvetcingen mund të jetë pika e kthesës për unionin konservator. Qyteza 22.000 banorëshe mund të bëhet të shtunën (25.03) arena e një kryengritjeje të heshtur, përmes një resolute të të djathtëve në CDU. Ata duan t'i japin fund kursit të majtë të partisë. Platforma "Fryma e re konservatore-liberale e Unionit” bashkon të gjithë kritikët e Merkelit. Një gjysmë viti para zgjedhjeve parlamentare në Gjermani, Merkeli nuk duhet t'i trembet vetëm rivalit socialdemokrat, Martin Schulz, por edhe opozitës në radhët e veta.

Kontrolli dhe dora e fortë - si natyra të së djathtës

Deri më tani kristiandemokratët e pakënaqur mërmërisnin larg mediave në degët e partive në lande, por tani zhgënjimin e tyre ata e kthejnë në program. Në shkurt u miratua pranë Bonnit një dokument 30 pikësh, me 50 përfaqësues nga pesë lande. Gjermania duhet të mbrohet më mirë, thuhet aty, ndërsa vendeve të padisiplinuara të euros duhet t'u bëhet e qartë, se do të largohen nga unioni monetar, nëse nuk përmbushin detyrimet. Po ashtu, kritikët e Merkelit kërkojnë vendosjen e kufirit maksimal për refugjatët dhe kontrollet në kufijtë gjermanë dhe atyre të BE-së.

Wolfgang Bosbach (Imago/Viadata)

Wolfgang Bosbach, njëri nga kritikët e Merkelit

Vizioni i të djathtëve brenda unionit vazhdon edhe më tej: Sipas tyre çdo i huaj duhet të dëbohet automatikisht, nëse kryen një vepër penale me qëllim, shtetësisë së dyfishtë duhet t'i jepet fund, po ashtu edhe organizatave islamike. Emigrantët duhet të përshtaten me kulturën e vendit, kultura gjermane është lajtmotivi drejtues.

Politika e ligjit dhe rregullit duhet të bëhet sërish dominante në union, kërkojnë kritikët, që duket sikur kanë harruar, se që në kohën e Helmut Kohlit ishte politika e qendrës të CDU-së, ajo që e bëri unionin të fitojë mazhorancën. Kohl quhej si modernizues, dhe Merkel vetëm e vazhdoi këtë rrugë.

Por kur e djathta kalon në të djathtën ekstreme?

Në nivel rajonal ka kohë që ekzistojnë lëvizjet konservatore. Për shembull në Shvetcingen, ku takohen rebelët e CDU-së kundër Merkelit. Aty është aktive nga viti 2015 iniciativa qytetare „Fryma e re 2016". Kjo iniciativë mban kontakte me AfD-në. Por ende nuk dihet se sa djathtas do të shkojë lëvizja e rebelëve brenda CDU-së. Më konkretisht flasin shifrat. Sipas të dhënave të veta, rebelët brenda CDU-së numërojnë 7000 vetë të regjistruar. Të shpërndarë në „Qarkun e Berlinit" përreth ish-kryetarit të fraksionit të CDU-së, Wolfgang Bosbach e lëvizjeve të partisë simotër, CSU. Bosbach e fton iniciativën e Shvetcingenit në Berlin më 8 prill. Një gjë është e qartë: Qarqet konservatore po bashkohen dhe synojnë madje një grupim më vete si „Junge Union" - Unioni i të Rinjve apo Unioni i Grave.