1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Merkel: Shqipëria në rrugë të mbarë drejt Evropës

Kryeministri shqiptar Edi Rama tha se Shqipëria është e vendosur për të ecur përpara në rrugën e modernizimit dhe të reformave.

Kancelarja gjermane Angela Merkel e sheh Shqipërinë në rrugë të mbarë në drejtim të Evropës. BE-ja do të vendosë në qershor nëse Shqipëria do ta marrë statusin e kandidatit, tha Merkel të martën pas një takimi me kryeministrin shqiptar Edi Rama. Ne do të hedhim një vështrim pozitiv për zhvillimet në Shqipëri dhe shohim përparime, tha kancelarja.

Merkel tha se perspektiva evropine është e domosdoshme për të gjithë Ballkanin Perëndimor. Ajo kërkoi që të bëhet më shumë për luftimin e korrupsionit dhe ngritjes së një gjyqësori të pavarur. Edhe investimet gjermane e shohin si parakusht sigurinë ligjore, tha kancelarja.

"Jemi të mendimit se perspektiva evropiane është e nevojshme për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe për Shqipërinë. Kryeministri na informoi mbi projektet e mëdha të vendit dhe na njohu me përparimin e tyre. I uroj suksese kryeministrit në punën e tij të vështirë, sepse unë e di që nuk është e lehtë të realizohen këto projekte", tha Merkel.

Sipas fjalëve të kryeministrit shqiptar Edi Rama Shqipëria është e vendosur për të ecur përpara në rrugën e modernizimit dhe të reformave. Shqipëria do t'i bëjë mirë të gjitha detyrat e saj, tha Rama, dhe se ky nuk është proces i shkurtër. Rama e ftoi kancelaren për një vizitë në Shqipëri dhe ajo tha se do ta shikojë mundësinë e një vizite në 12 muajt e ardhshëm.

"E sigurova kancelaren se Qeveria jonë është plotësisht e vendosur për të ecur në rrugën e modernizimit të reformave që do të garantojnë një luftë reale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Shqipëria kërkon të ecë më shpejt drejt Evropës, por duke konsideruar gjithmonë Europën destinacionin brenda nesh dhe integrimin europian një proces të patjetërsueshëm për modernizimin e vendit tonë." - theksoi Rama

Në vizitën e parë si kryeministër Edi Rama po zhvillon një sërë takimesh intensive në kryeqytetin e Gjermanise, edhe ne kuadrin e përpjekjeve për marrjen e statusit të vendit kanditat në muajin qershor. Rama zhvilloi në Berlin takime edhe me shefin e grupit parmalentar të CDU/CSU Volker Kauder si dhe me Presidentin e Bundestagut Norbert Lammert.