1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Merkel shpreh keqardhje për Brexit

Gjermania dhe partnerët e tjerë në BE nuk e kanë dashur këtë ditë, thotë Merkel. Brexiti është një vendim i vështirë.

Kancelarja Angela Merkel ka shprehur keqardhje të thellë për vendimin e Britanisë së Madhe që të kërkojë dalje nga BE. "Ne po humbim një partner të fuqishëm dhe të rëndësishëm në BE", tha kancelarja Merkel në Berlin. Dita kur Londra kërkoi dalje nga BE është një ditë që duhet të shfrytëzohet për sqarimin e gjendjes, si për Britaninë e Madhe ashtu edhe për BE. Merkel shpreson se Britania e Madhe dhe BE do të mbeten partnerë të ngushtë.

Shqetësimet

"Për shumë njerëz në Evropë dalja e Britanisë së Madhe nga BE ndërlidhet me shqetësime për të ardhmen e tyre", shpjegon Merkel. Kancelarja thotë se qytetarët e BE nuk duhet të kenë humbje nga dalja e britanikëve. Por deri tani nuk është e qartë se në çfarë kushtesh do të jetojnë shtetasit e vendeve të BE në Londër.

Merkel shpreson se BE dhe Britania e Madhe do të jenë shumë konstruktiv dhe të drejtë gjatë negociatave të ardhshme. Ajo shpreson se kjo korrektësi do të jetë prezente nga të dyja palët. Ndërsa kryeministrja britanike Theresa May ka theksuar në një koment për gazetën "Frankfurter Allgemeine Zeitung" se vendi i saj pas Brexitit do të ketë raporte shumë të ngushta me Gjermaninë.

Gjermania dhe Britania e Madhe shumë shpesh flasin me një zë të përbashkët në nivelin ndërkombëtar. "Britania e Madhe do që edhe pas Brexitit të ketë raporte të ngushta me partnerët e saj evropianë", pohon May, e cila në veçanti theksoi raportet ekonomike mes këtyre dy vendeve.

 

bc/wl/se (dpa, afp, fat.net)