1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Merkel: Procesi i anëtarësimit të Ballkanit të përshpejtohet

Merkel u rikujtoi Serbisë dhe Kosovës që duhet të përmbushin marrëveshjet e arritura që të mos rrezikojë perspektivën e pranimit në BE.

Qeveria gjermane dhe Komisioni Evropian u premtuan vendeve të Ballkanit një perspektivë të qartë anëtarësimi. Si kancelarja Angela Merkel dhe ministri i Ekonomisë Sigmar Gabriel theksuan në Berlin interesin e BE-së për anëtarësimin e këtyre vendeve. Kancelarja Merkel tha pas takimit me kryeministrat e tetë vendeve të Ballkanit Perëndimor që procesi i anëtarësimit edhe mund të përshpejtohet.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me Presidentin e Komisionit Evropian, José Manuel Barroso dhe me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, Merkel tha: "Ne bëmë të qartë se duam që procesi i anëtarësimit të eci shpejt."

Presidenti i Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso tha "Ne duam që vendet e Ballkanit Perëndimor t'i bashkohen më në fund BE-së," dhe shtoi se BE-ja do të vërë deri në vitin 2020 në dispozicion 12 miliardë euro, që do të përdoren kryesisht për projekte infrastrukturore ndërkufitare.

Kryeministri shqiptar Rama foli për katër fusha kryesore - sigurinë në fushën e energjisë, infrastrukturën, mbështetjen e sipërmarrjeve të mesme dhe të turizmit. Merkel hodhi edhe idenë e një krijimit të një organizate rinore për rajonin e Ballkanit.

Kancelarja Merkel u rikujtoi Serbisë dhe Kosovës që duhet të përmbushin marrëveshjet e arritura, në mënyrë që të mos rrezikojë perspektivën e pranimit në BE.

Treg në rritje

Kryetari i Shoqatës së Evropës Qendrore Lindore dhe të (OMV), Marcus Felsner, e paralajmëroi BE-në që të mos e degradojë anëtarësimin në një perspektivë sa për sy e faqe. BE-ja nuk duhet ta vërë në rrezik ndikimin e saj me premtime gjysmake. Edhe komisioneri për Energjinë Günter Oetinger tha që anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE nuk duhet të shtyhet në pafundësi.

Për tregtinë gjermane Ballkani Perëndimor është sipas OMV-së një rajon në rritje. Në tremujorin e parë të këtij viti vëllimi i tregtisë gjermane me këto vende është rritur me rreth pesë për qind, e në disa raste, madje edhe më tepër.

Takimi i ardhshëm në Vjenë

Në takimin e Berlinit morën pjesë kryeminisrat, ministrat e Jashtëm dhe ministrat e Ekonomisë së tetë vendeve nga Ballkani. Ata ranë dakord për të organizuar takime pasuese në katër vitet e ardhshme, në të cilat do të bëhet një bilanc i punës që do të bëhet. Për vitin e ardhshëm rolin e organizatorit të konferencës për Ballkanin Perëndimor e mori përsipër Austria.