1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel pritet me protesta në Portugali

Eliana Xhani12 Nëntor 2012

Këtë të hënë kancelarja Angela Merkel pritet për një vizitë të shkurtër në Portugali. Portugezët protestojnë ndaj vizitës së kancelares dhe diktatit të kursimeve.

https://p.dw.com/p/16hAz
Fotografi: dapd

Sheshi Rossio në zemër të qendrës historike të Lisbonës është prej shekujsh vend tubimesh. Thuhet se në Mesjetë atje digjeshin heretikët, sindikatat organizojnë në atë shesh tubimet e tyre dhe një vit më parë ngritën atje çadrat e tyre të ashtuquajturit "indignados" - të indinjuarit. Tani mbi statujën e mbretit varet një pëlhurë e zezë, e cila valëvitet në erën e vjeshtës. Një grup aktivistësh u ka bërë thirrje portugezëve të varin pëlhura të zeza mbi monumente, ballkone dhe në fasadat e shtëpive.

Këtë të hënë (12.11.) kancelarja gjermane Angela Merkel pritet për një vizitë të shkurtër në Lisbonë dhe gjithë Portugalia duhet të vishet me të zeza. "Merkel është simbol i të gjitha vendimeve të gabuara politike që merren në vendin tonë", thotë aktivisti João Camargo, i cili ka studiuar ekonomi në "London School of Economics". "Natyrisht borxhet janë një problem i madh për Portugalinë dhe shumë shtete evropiane. Megjithatë politika e Angela Merkelit nuk është rrezik vetëm për Portugalinë, Spanjën apo Greqinë po për gjithë Evropën."

Portugal Protest gegen Sparpläne
Fotografi: REUTERS

Kancelarja gjermane, e cila kryen për herë të parë që prej fillimit të krizës së borxheve një vizitë shtetërore në Portugali, do të takohet me presidentin e vendit Aníbal Cavaco Silva dhe kryeministrin Pedro Passos Coelho. Në përfundim ajo do të marrë pjesë në një takim të sipërmarrësve portugezë dhe gjermanë në lagjen Belém të Portugalisë. Merkeli shoqërohet nga 100 përfaqësues firmash gjermane. Mesazhi është i qartë: Gjermania synon t'i vijë në ndihmë me projekte konkrete bashkëpunimi Portugalisë, e cila gjendet në një recesion të thellë që prej fundit të vitit 2011.

Krititë e ashpër ndaj kursit të kursimeve

Në Bélem Merkel nuk do të takohet vetëm me sipërmarrës të suksesshëm. Një numër lëvizjesh protestash dhe shoqata ombrellë e sindikatave portugeze CGTP, kanë bërë thirrje për një demonstrim masiv. Zemërimi i shumë portugezëve drejtohet para së gjithash kundër qeverisë konservatore në vend.

Passos Coelho ka paraqitur në parlament një buxhet për vitin 2013, ndaj masave të kursimit të të cilit kanë paralajmëruar pjesa më e madhe e analistëve dhe ekspertëve të ekonomisë në vend. Ekonomisti Pedro Lains nga Instituti për Shkenca Sociale në Lisbonë (ICS) nuk ka asnjë dyshim se qeveria me këtë buxhet do ta kthejë Portugalinë në një Greqi të dytë: "Pyetja themelore nuk është nëse duhet të kursejmë apo jo, por sa duhet të kursejmë.

Ky kurs i tepruar kursimesh ka pasoja të rënda për Evropën: ekonomia e shteteve më të dobëta po bëhet gjithnjë e më e lëkundur dhe e ndjeshme dhe do të ketë vështirësi të mëdha të mbetet në hapësirën e përbashkët ekonomike të BE-së. Veç kësaj pasojat politike janë katastrofale pasi në vend po thellohet atmosfera antievropiane."

Portugalia si shembull?

Portugalia muajt e kaluar është përmendur vazhdimisht si një shembull ideal që kursi i ashpër i kursimeve në jug të Evropës, mund të ketë sukses. Por ky imazh ka pësuar krisje të thella. Për shkak të vazhdimit të krizës së rëndë ekonomike të ardhurat nga tatimet kanë rënë ndjeshëm, papunësia në rritje shkakton shpenzime sociale shtesë dhe kursi i reformave në sektorë të rëndësishëm si në administratën publike, ka mbetur në vend. Qeveria ka marrë një vit kohë shtesë nga Trojka (BE, FMN dhe BQE), për ta ulur deficitin në 3% deri në vitin 2014. Por zërat që kërkojnë rinegociim të programit të reformave dhe kursimeve me Trojkën, po bëhen gjithnjë e më të fortë.

Kryeministri Pedro Passos Coelho
Kryeministri Pedro Passos CoelhoFotografi: dapd

Shumë portugezë e shohin me sy kritik raportin e ngushtë që qeveria portugeze ka ndërtuar me kancelaren Angela Merkel. Në parrulla në mure dhe në demonstrime sjellja me gjasë e përulur e kryeministri portugez Passos Coelho ndaj kancelares Merkel, është një motiv i ndeshur shpesh.

Sofia Lima në një aktivitet proteste mban një pllakatë në të cilën në një gjermanishte jo shumë të saktë është shkruar: "Ndal vjedhjes së punëmarrësve dhe shtetit"."Nëse qeveria jonë nuk na dëgjon kur flasim me të portugalisht, atëherë është ndoshta më mirë të përdorim gjuhën që aktualisht përcakton linjat e përgjithshme të politikës", deklaron mjekja 32-vjeçare me një buzëqeshje ironike.