1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Merkel pret Mustafën me cermoni shtetërore në Berlin

Delegacioni i Kosovës i kryesuar nga kryeministri Isa Mustafa u prit në Berlin nga kancelarja Angela Merkel. Kancelarja e ka mbështetur Kosovën në rrugën e saj drejt reformave, por ka nënvizuar edhe detyrimet e saj.

Gjermania edhe një herë dëshmon mështetjen e plotë të shtetit të Kosovës, por kancelarja Angela Merkel nënvizoi se institucionet e Kosovës duhet të përmbushin detyrimet e tyre. Delegacioni i Kosovës është pritur sot në Berlin me nderimet më të larta shtetërore, me gardën e nderit dhe intonimin e himneve. Më pas kancelarja Angela Merkel dhe kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Hashim Thaçi dhe disa ministra të tjerë, biseduan më shumë se një orë e gjysmë. "Një prej obligimeve më të rëndësishme të Kosovës është që të çojë deri në fund dialogun me Serbinë dhe që ky dialog të rezultojë me arritjen e një marrëveshjeje", theksoi kancelarja Merkel në paraqitjen para gazetarëve, së bashku me kryeministrin Mustafa. Ndër obligimet e tjera që Kosova duhet të kryejë në mënyrë të denjë janë edhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe themelimi i Gjykatës Speciale. Në këtë takim është prekur edhe çështja e azilkërkuesve kosovarë, të cilët kanë ardhur kohët e fundit në mënyrë masive në Gjermani.

"Azilkërkuesit kosovarë në Gjermani nuk kanë shanse për azil, sepse vetëm rreth 1,1% prej tyre kanë marrë deri tani një përgjigje pozitive. Ndaj me kryeministrin kemi rënë darkod që të mbështesin sa më shumë zhvillimin e Kosovës në mënyrë që problemet e tyre të zgjidhen në Kosovë dhe njerëzit të mos detyrohen të ikin në vendet e tjera", theksoi Merkel.

Mustafa: kemi probleme të brendshme

Kryemnistri i Kosovës falënderoi kancelaren për këtë vizitë, në kohën kur në Bashkimin Evropian ka edhe probleme shumë të tjera akute. Që në fillim ai pranoi se në Kosovë "ka probleme të shumta, të cilat duhet të zgjidhen". "Ne kemi probleme të mëdha ekonomike dhe na duhet ndihmë - në veçanti në investime. Ndaj ftoj investorët që të investojnë në Kosovë", theksoi Mustafa, duke shtuar se pala kosovare është në tërësi e përkushtuar për arritjen e marrëveshjeve në dialogun me Serbinë. Kancelarja gjermane i ka përkrahur angazhimet e Kosovës për zgjidhjen e problemeve me korrupsionin dhe krimin e organizuar si dhe themelimin e Gjykatës Speciale, bëri të ditur Mustafa, i cili theksoi se nuk ekziston asnjë shkak që kosovarët të ikin nga vendi dhe të kërkojnë azil në Gjermani. "Kosova është vend i sigurt dhe ne do t'i zgjidhim problemet tona, në mënyrë që të krijohen kushte sa më të mira për të gjithë qytetarët", tha ai.

"Përparim drejt BE do të ketë vetëm pas normalizimit të raporteve"

Kancerlarja gjermane Angela Merkel nënvizoi se Serbia dhe Kosova mund të përparojnë drejt Bashkimit Evropian, vetëm pas normalizimit të raporteve mes tyre. Ndaj Gjermania është shumë e interesuar që dialogu të rezultojë me sukses dhe që këto vende të shënojnë përparime në rrugën e integrimeve. "Sa i përket liberalizimit të vizave për kosovarët, kjo varet nga plotësimi i kushteve për këtë hap". Kancelarja Merkel tha se Gjermania është e interesuar që ky rajon të vazhdojë rrugën e integrimeve evropiane dhe është "shumë e interesuar që të ruhet stabiliteti në këtë rajon."

Në takimin mes kancelares dhe kryeministrit të Kosovës nuk është biseduar për influencën ruse në Ballkanin Perëndimor. Por Merkel bëri të ditur se së shpejti do të vizitojë edhe Shqiëprinë, Serbinë dhe Bosnje - Hercegovinën, ku për së afërmi do të njihet me gjendjen në këtë rajon. "Kjo dëshmon se Gjermania ësthë e interesuar për stabilitet në këtë rajon", tha ajo.

Delegacioni i Kosovës, ku marrin pjesë edhe disa ministra ka vazhduar vizitën dyditore me takime të tjera me deputetë, përfaqësuesit e landit të Baden Würtenbergut dhe zyrtarë të tjerë.