1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Merkel premton angazhim për njohjen e mëtejshme të Kosovës

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, vazhdon sot vizitën e tij zyrtare ne Gjermani, ku ndër të tjera do të takohet edhe me përfaqësues te biznesit dhe ekonomisë.

Kryetari i Kosovës Fatmir Sejdiu u prit nga Presidenti gjerman, Këhler.

Kryetari i Kosovës Fatmir Sejdiu u prit nga Presidenti gjerman, Këhler.

Gjatë një fjalimi që pati mbrëmë në fondacionin gjerman, Konrad Adenauer, Sejdiu kërkoi një të ashtuquajtur "road map", pra itinerarin e rrugës drejt strukturave euroatlantike. Më parë ai ishte takuar edhe me kancelaren Merkel dhe ministrin e jashtëm Westerwelle.

Nga takimet e ditës së djeshme të kryetarit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, si më i rëndësishmi u konsiderua ai me kancelaren Angela Merkel. Një zëdhënës i qeverisë gjermane i tha Deutsche Welles, se në këtë takim kancelarja Merkel ka theksuar mbështetjen e saj për pavarësinë e Kosovës dhe se ka premtuar se do të angazhohet për njohjen e Kosovës dhe nga vende të tjera. Takimi pat zgjatur një orë por pa prononcim për mediat. Sipas qarqeve diplomatike në Berlin, Angela Merkel kishte shtruar një sërë pyetjesh të hollësishme për gjendjen aktuale në Kosovës, procesin e reformave dhe nevojën e pranisë ushtarake të KFOR-it.

Bashkëpunim me Serbinë

Takim pati kryetari i Kosovës edhe me ministrin e punëve të jashtme Guido Westerwelle, i cili gjithashtu ka premtuar mbështetje të mëtejshme për pavarësinë e Kosovës dhe rrugën e saj drejt integrimit në strukturat euroatlantike, por Westerwelle ka kërkuar edhe një "bashkëpunim pragmatik ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, çka do të ishte jo vetëm në dobi të të dyja palëve, por të të gjithë rajonit", siç i tha Deutsche Welles një zëdhënës i Ministrisë së punëve të jashtme.
Pjesa politike e takimeve të presidentit të Kosovës Fatmir Sejdiu në Berlin përfundoi me një fjalim të tij në fondacionin Kondrad Adenauer, që është i afërt me atë të partisë demokristiane gjermane (CDU). Kryetari i Kosovës me këtë rast prezantoi arritjet e deritanishme të shtetit më të ri të Evropës, siç ishte miratimi i kushtetutës dhe ndërtimi i institucioneve të tjera shtetformuese dhe kërkoi një plan konkret dhe me afate kohore për integrimin e shtetit të tij në strukturat euroatlantike. "Kosova ka nevojë në këtë periudhë të ketë një road map, një dokument të qartë të fillimit e të mbarimit të tij, të përmbushjes së borxheve taksative të detyrave të shtëpisë që duhet t'i bëjmë e deri tek sinjali i fundit në përfundim të procesit, dhe mendoj se do të kemi mbështetje", tha Sejdiu para dëgjuesve.

Gjatë paradites Kryetari i Kosovës zhvilloi takime me presidentin Këhler, kryetarin e kuvendit të Gjermanisë, Norbert Lammert, si edhe një drekë pune në fondacionin Kërber, ku merrnin pjesë edhe deputetë të rëndësishëm të parlamentit gjerman. Në javët e ardhshme parlamenti gjerman duhet të miratojë sërish zgjatjen e mandatit të ushtarëve gjermanë në kuadër të Kforit. Ministri i mbrojtjes Karl Theodor zu Guttenberg para pak kohësh kishte paralajmëruar se kufiri maksimal i kontingjentit do të reduktohet me 1000 ushtarë.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 07.05.2010
  • Autor Aida Cama
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/NH1F
  • Data 07.05.2010
  • Autor Aida Cama
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/NH1F