1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Merkel pranon dorëheqjen e ministrit të Bujqësisë Friedrich

Me dorëheqjen e ministrit të Bujqësisë Friedrich çështja rreth aferës Edathy nuk ka përfunduar. Edathy duket se ishte njoftuar paraprakisht për hetimet nga Friedrich kur ka qenë në funksionin e ministrit të Brendshëm..

Zhvillimet që po pasojnë aferën dhe fillimin e hetimeve për zotërim materialesh pornografike me fëmijë ndaj ish-deputetit socialdemokrat gjerman, Sebastian Edathy, e kanë tronditur thellë Berlinin politik. Ministri Federal i Bujqësisë Hans-Peter Friedrich (CSU) dha të premten dorëheqjen për shkak të dyshimeve për rrjedhje sekreti.

Më muajin tetor, kur ishte ende ministër i Brendshëm Hans-Peter Friedrich e kishte informuar kryetarin e Partisë Socialdemokrate Gjermane, Sigmar Gabriel, se emri i socialdemokratit Sebastian Edathy qe shfaqur në hetime, edhe pse këto informacione në atë kohe ishin sekrete.

Hans-Peter Friedrich (m) dhe Sebastian Edathy (d)

Hans-Peter Friedrich dhe Sebastian Edathy

"Unë vazhdoj të jem i bindur se kam vepruar politikisht dhe juridikisht si duhet në tetor", tha Friedrich. "Por unë them edhe se presioni orët e fundit mbi mua u rrit në masën që unë besoj se nuk mund t'i kryej më detyrat që kam në këtë dikaster me përqendrimin, me qetësinë por edhe me mbështetjen e nevojshme politike."

Merkel pranon dorëheqjen

Kancelarja Angela Merkel (CDU) pranoi sot (14.02) dorëheqjen e ministrit federal të Bujqësisë Hans-Peter Friedrich (CSU) për shkak të aferës Edathy. Sipas agjencisë gjermane të lajmeve dpa Merkeli tha në deklaratën e saj: "Ministri Federal për Ushqimin dhe Bujqësinë, Hans-Peter Friedrich, më kërkoi sot pasdite dorëheqjen. Unë e pranova dorëheqjen e tij me respekt të madh dhe pikëllim të madh. Në përputhje me nenin 64, paragrafin 1 të Kushtetutës, fola sot pasdite edhe me Presidentin."

Hija e gjatë e aferës Edathy

Por me dorëheqjen e ministrit, çështja nuk ka përfunduar. Prokuroria e Hanoverit konfirmoi sot zyrtarisht se kundër ish-deputetit të Bundestagut, politikanit socialdemokrat, Sebastian Edathy, po zhvillohen hetime për shkak të dyshimeve se ky ka pasur në zotërim materiale pornografike me fëmijë. Po ashtu prokuroria shprehu edhe tronditjen e saj për mënyrën se si kishin vepruar politikanët në Berlin në lidhje me informacionet konfidenciale rreth deputetit Sebastian Edathy.

Hans-Peter Friedrich

Hans-Peter Friedrich

Meqenëse Edathy ishte njoftuar me sa duket paraprakisht për hetimet prokuroria nuk e përjashton mundësinë që mund të jenë asgjësuar materiale fotografike apo filmike apo kompjutera që mund të shërbenin si provë.

Në këtë sfond tani po fillojnë të shtrohen shumë pyetje dhe ndoshta skandali mund të zgjerohet edhe më tepër se sa duket për momentin. Kancelarja thotë se ajo nuk ka ditur asgjë për këtë aferë. Po si është e mundur që as ministri i Brendshëm, as ai i Jashtëm dhe as kryetari i grupit parlamentar të mos e kenë parë të arsyeshme të njoftonin kancelaren? Kush dhe kur e informoi ish-deputetin Edathy se ndaj tij po zhvillohen hetime. Sebastian Edathy e dorëzoi papritur më 7 shkurt mandatin e tij si deputet i Bundestag-ut dhe e argumentoi këtë hap me probleme shëndetësore.