1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel paraqet vizionet e CDU-së

6 Dhjetor 2016

Kancelarja gjermane Angela Merkel mbajti një fjalim të zjarrtë në Kongresin e CDU-së. Rreth 1000 delegatët e mbledhur e përshëndetën me një duartrokitje prej 11 minuta.

https://p.dw.com/p/2Tonq
Deutschland CDU Bundesparteitag in Essen Rede Merkel
Fotografi: Imago/R. Wölk

Bota ka ndryshuar në vitin 2016: kancelarja Angela Merkel u përpoq në fjalën e saj në Kongresin e CDU-së që të mobilizojë partinë e saj përballë sfidave që e presin vitin e ardhshëm kur mbahen zgjedhjet parlamentare. Merkeli në fjalën e saj në Esen u koncentrua tek disa nga çështjet më të rëdnësishme me të cilat po përballet CDU dhe Gjermania: siguria, ekstremizmi islamik dhe migrimi. Si boshtet më të rëndësishme të politikës së CDU-së ajo përmendi ekonominë e fuqishme, vendet e sigurta të punës, bashkveprimin në shoqëri, veprimin e fuqishëm të shtetit juridik kundër dhunës dhe terrorit si dhe përgjegjësinë ndërkombëtare kundër luftës, varfërisë, urisë dhe ndryshimit të klimës.

Ndalimi i burkës

Merkel foli shumë qartë kundër mbulimit të plotë të femrave, në vendet ku atë e ndalon ligji. "Tek ne thuhet: duhet të tregosh fytyrën, ndaj mbulesa e plotë nuk është në rregull dhe duhet të ndalohet, në vendet ku është e mundur", theksoi Merkel. Kjo deklaratë u përshëndet me duartrokitje të fuqishme të 1000 delegatëve prezent.

Populizmi nuk është kurfarë alternative. "Kush është populli dhe kush paraqet popullin, këtë e vendosim ne, këtë e vendosë populli, pra ne të gjithë. Dhe jo një grusht njerëzish, pavarësisht sa të zëshëm janë ata", theksoi shefja e CDU-së, e cila këtu mendonte tek demonstruesit e lëvizjes Pegida, të cilët çdo të hënë mbajnë protesta nën moton "Ne jemi popullit".

"Integrimi i të djashtës"

CDU gjendet para një fushate shumë të vështirë, për shkak të sulmeve nga e djathta dhe e majta. "Nuk do të jetë fare lehtë", tha Merkel duke shtuar se detyra kryesore tani është të evitohet krijimi i një koalicioni kuq-kuq-gjelbër (SPD, E Majta, Ekologjistët). Me rëndësi është, siç tha, "integrimi i forcave të djathta".  Merkel bëri thirrje për veprimin e përbashkët të kristiandemokratëve dhe kristiansocialëve CDU/CSU, ku kohët e fundit ka pasur mospajtime të mëdha, në veçanti në çështjen e refugjatëve.

"Sër pari duhet të forcojmë Evropën"

Deutschland CDU Parteitag Merkel flankiert durch Von der Leyen und Kloeckner
Fotografi: picture-alliance/dpa/K. Nietfeld

Merkel paralajmëroi për dobësimin e Evropës. Ajo rikujtoi fjalët e ish-kancelarit Helmut Kohl se "Evropa është një çështje e luftës dhe paqës". "Gjermania mund të jetë mirë vetëm nëse Evropa i ka punët mirë", tha Merkel duke shtuar se bota është destabilizuar në vitin 2016. Tani duhet të angazhohemi me të gjitha forcat për forcimin e Evropës, në mënyrë që të dal sa më parë nga kriza. Kancelarja konkretisht përmendi Brexitin, sepse dalja e Britanisë së Madhe e ka dobësuar tregun e brendshëm. Por qasja tek tregu i brendshëm mund të garantohet vetëm nëse respektohen liritë elementare në BE.

Merkel u tregua e mllefosur me zhvillimet në Siri, e cila po fundoset në luftë. Shembulli më i mirë për këtë është qyteti Alepo. Zhvillimet atje janë një "turp". Merkel sërish kundërshtoi mbështetjen nga Rusia të regjimit të Baschar al-Assadit.

"Nuk do të përsëritet"

Lidhur me krizën e refugjatëve Merkel tha se një katastrofë e ngjashme si ajo në vitin 2015 nuk guxon të përsëritet. Në një gjendje të këtillë të rëndë, Gjermania është "treguar nga ana e saj më e mirë", me solidaritetin e treguar ndaj refugjatëve. Refugjatët e ikur nga lufta, përndjekjet dhe mangësia e perspektivës kanë gjetur mbështetje në Gjermani. Ata që kanë nevojë për mbështetje duhet të mbeten në Gjermani, ndërsa të tjerët duhet të largohen nga vendi.

Merkel ka kandiduar për rizgjedhje në krye të partisë CDU. Ajo është kryetare e partisë qe 17 vjet. Merkel ka vendosur të rikandidojë për të katërtën herë me radhë për postin e kancelares në Gjermani. Fjalimi i kancelares Merkel u përshëndet me duartrokitje të gjatë prej 11 minuta. Pasdite do të votohet për postin e kryetares dhe do të shihet nëse Merkel do ta ketë mbështetjen e plotë të partisë.

SC/stu (phoenix, dpa, afp)