1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Merkel paralajmëron për rreziqet e vazhdueshme për ekonominë botërore

Kancelarja Angela Merkel arsyeton në Parlament politikën e koalicionit të saj. Ajo kritikoi Rusinë për mungesë bashkëpunimi me qeverinë e Ukrainës dhe apeloi për një BE më të fuqishme dhe patneritet më të madh në botë.

Bundestagu ka nisur javën e diskutimeve mbi buxhetin. Fjalën e hapjes e mbajti ministri i Financave Wolfgang Schäuble, i cili prezantoi buxhetin federal për këtë vit. Ky buxhet kap shumën prej gati 300 miliardë euro. Si gjithmonë pika kulmore e debateve është i ashtuquajturi debati i përgjithshëm. Për këtë diskutohet që nga buxheti i Kancelarisë me shpenzime prej dy miliardë eurosh, relativisht i vogël, e deri tek buxheti më i madh për ministrinë e Punës dhe Çështjeve sociale me shpenzime deri në 122,3 miliardë euro. Sigurisht që më i rëndësishëm në këtë ngjarje është fjalimi i kancelares Angela Merkel. Kristiandemokratja shfrytëzoi këtë rast (09.04) që me fjalën e saj prej 35 minutash ti referohet edhe politikës së brëndshme të vendit nën udhëheqjen e koalicionit të madh qeverisës (CDU/CSU-SPD).

Merkel ndër të tjera paralajmëroi për rreziqet e vazhdueshme që mund të prekin ekonominë globale. Kriza e borxhit europian, për shembull nuk është kapërcyer ende, tha kancelarja në fjalën e saj para deputetëve në Bundestag. Gjithashtu në disa vende ka zhvillime shumë të brishta. Kancelarja theksoi në të njëjtën kohë se Gjermania me rritjen e saj të pritshme ekonomike prej 1,8 për qind këtë vit mund të mbetet e fortë, nëse edhe mjedisi europian dhe ai ndërkombëtar është stabil. “Çdo gabim që do të bëhet ndërkombëtarisht, prek edhe Gjermaninë“, paralajmëroi Merkel. Sipas kancelares "ka pasiguri të reja si në shembullin e Ukrainës“. Për këtë arsye BE do të duhet të fuqizohet më shumë, theksoi ajo.

Në debatin e përgjithshëm për buxhetin, Merkel vuri në pah përpjekjet e koalicionit të madh në fusha si arsimi, ajo e hulumtimeve shkencore, në fushën e klimës dhe digjitalizimit. "Ne duhet të shohim që të forcojmë ato fusha ku Gjermania duhet të jetë në pesë, dhjetë apo 20 vitet e ardhëshme". Gjatë fjalës së saj, Merkel vlerësoi bashkëpunimin në koalicionin e madh dhe mbrojti po ashtu projektet e diskutueshme si ajo e kuotës së grave. Lidhur me diskutimet për pensionin në moshën 63 vjeç, kancelarja, nisur nga pakënaqësitë në Union, u shpreh për një debat më të qetë. "Unë jam e kënaqur që të gjithë jemi të një mendimi që ne duhet të eliminojmë të gjitha tundimet për një pension të parakohshëm“. Në të njëjtën kohë Merkel mbrojti paketën e diskutueshme të pensionit në tërësi si dhe futjen e pagës minimale si masë e nevojshme për solidaritet social në Gjermani.

Me vështrimin në konfliktin në Ukrainë, politikanja konservatore apeloi për një Europë të fortë dhe një patneritet më të fuqishëm në botë. Kancelarja ka kritikuar Rusinë për mungesën e gatishmërisë për bashkëpunim në krizën e Ukrainës. Për fat të keq Rusia nuk po kontribuon për çtensionimin e situatës, tha kancelarja në Berlin. Ajo kërkoi veçanërisht nga udhëheqja në Moskë që më në fund të ulet në një tavolinë me qeverinë e re ukrainase. Qeveria gjermane do të shfrytëzojë edhe më tej kontaktet me Moskën, për të bërë të qartë se edhe Ukraina ka të drejtën e rrugës së vet të zhvillimit. "Ukrainasit duhet të jenë gjendje të vendosin vetë për fatin e tyre, njëkohësisht Gjermania do të jetë "ndihmë". Modeli i kopensimit të interesave është "modeli i së ardhmes", tha kancelarja Merkel.