1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Merkel për marrëdhënie më të mirë me Rusinë

Nga Konferenca e Sigurisë në Mynih kancelarja Angela Merkel u shpreh për një marrëdhënie më të mirë me Rusinë. Po ashtu ajo kërkoi nga autoritetet e botës islame një distancim më të qartë nga islamizmi dhe terrorizmi.

Nga Konferenca e Sigurisë në Mynih të shtunën (18.02), kancelarja gjermane, Angela Merkel iu drejtoi apel autoriteteve të botës islame për një distancim më të qartë nga islamizmi dhe terrorizmi. Ajo pret "fjalë të qarta”, tha Merkel të shtunën në Konferencën e Sigurisë. Këtë nuk mund ta bëjnë aq në atë masë politikanët perëndimorë, se sa vetë përgjegjësit në botën myslimane, tha Merkel, e cila theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me vendet myslimane. "Nuk është islami arsyeja, por islami i keqorientuar”, tha Merkel.  Po ashtu Merkel, theksoi se europianët nuk mund t'ia dalin vetëm në luftën kundër terrorizmit, por kanë nevojë edhe për fuqinë ushtarake të SHBA-së, theksoi ajo.

Merkel: Punë për marrëdhënie më të mirë me Rusinë

Nga ana tjetër, Merkel theksoi se do të punojë për një marrëdhënie më të mirë të perëndimit me Rusinë. Në këto 25 vitet e fundit për fat të keq nuk është arritur të krijohet një marrëdhënie e stabilizuar, tha Merkel të shtunën në Konferencën e Sigurisë në Mynih. Por ajo premtoi se do të punojë pa u lodhur "që të arrijmë të krijojmë një marrëdhënie të mirë me Rusinë”.

Megjithatë në lidhje me konfliktin e Ukrainës, si edhe me aneksimin e Krimesë, Merkel nuk është e gatshme për lëshime. Aneksimi ka shkaktuar një pasiguri të madhe, sepse ai ka shkelur parimin bazë të integritetit që ekziston pas Luftës së II Botërore, tha Merkel. Po qe se ky parim nuk shihet më si i vlefshëm, atëherë lëkundët e gjithë ngrehina e stabilitetit europian, tha Merkel.

Ndërkohë ministri i Jashtëm rus, Lavrov u shpreh në Mynih se Rusia do një marrëdhënie pragmatike me SHBA. Ai hodhi poshtë zërat, se Rusia kryen veprime hakerimi për të ndërhyrë në zgjedhjet e vendeve të tjera.