1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Merkel nis vizitën e saj të parë në SHBA

Presidenti amerikan Obama është gjithnjë i mirëinformuar, ndryshe nga paraardhësi i tij. Ky fakt do t'i shërbejë takimit me kancelaren Merkel në Uashington, ku do të bisedohet për mbrojtjen e klimës dhe krizën ekonomike

default

Merkel dhe Obama në Dresden, 5 qershor 2009

Kancelarja Angela Merkel sot udhëton për në Uashington, në vizitën e saj të parë në Shtëpinë e Bardhë qysh prej zgjedhjes si Presidentit të SHBA-së Barack Obama. Merkel do të zhvillojë të premten paradite një takim vetëm për vetëm me Obamën. Pas konferencës së përbashkët për shtyp në kopshtin e trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë do të ketë edhe një drekë pune, ku do të jetë edhe ministrja e Jashtme Hilary Clinton. Vizita e parë e kancelares tek presidenti i ri vjen jashtëzakonisht vonë, madje ka pasur me këtë rast edhe spekulime për një marrëdhënie të tensionuar. Megjithatë Merkel dhe Obama janë takuar shpesh në raste të ndryshme, së fundi ata u takuan këtë muaj në Dresden.

Problemet e klimës do të jenë tema kryesore e takimit në Uashington, kështu njofton zyra e kancelares në Berlin. Në dhjetor pritet të nënshkruhet në Kopenhagen një marrëveshje e re për mbrojtjen e klimës në botë, marrëveshje kjo që do të jetë edhe pasardhëse e protokollit të Kyoto-s. Pa një ndryshim thelbësor të politikës amerikane për klimën, kjo nuk mund të arrihet. Kancelarja vetë u shpreh e sigurtë për këtë në një video të transmetuar në faqen e saj të internetit :

“Ne e dimë që administrata e re amerikane dhe vetë Barack Obama i kanë dhënë shumë rëndësi faktit, që Shtetet e Bashkuara të luajnë në të ardhmen një rol konstruktiv në këtë drejtim”.

Kongresi amerikan aktualisht po shqyrton një projektligj me masa për mbrojtjen e gjerë të klimës. Po ashtu para takimit të saj me Obamën kancelarja Mekel do të takohet me kryetaren e Kongresit Nancy Pelosi dhe deputetë të tjerë për të biseduar për këtë temë.

Temë e dytë e rëndësishme në takimin Merkel-Obama është kriza ekonomike. Në të kaluarën nga qeveria e Obamës erdhi një kritikë, sipas së cilës Berlini po bën pak për nxitjen e koniunkturës. Dhe nga qeveria federale u kritikua banka amerikane e emetimit të monedhave, e cila mbijeton në treg me para të porsashtypura. Tani nga rrethi i Angela Merkelit dëgjon se ajo do të flasë me Obamën para së gjithash për të ashtuquajturën strategji daljeje (Exit-Strategie). Kjo do të thotë se së shpejti do të bëhet e mundur që nga masat aktuale për luftimin e krizës të arrihet një politikë financiare e qëndrueshme dhe solide. Dhe kështu fjalët plot shpresë nga zyra e kancelares dhe po ashtu ato të palës amerikane tregojnë se të dyja lidhen shumë mirë me njëra-tjetrën: “Luftimi i krizës aktuale dhe “Exit Strategie”.

Në qoftë se kjo është kështu edhe premisat për klimën janë të mira. Sidoqoftë Barack Obama u përpoq t'i heqë dyshimet që në fillimit të muajit qershor gjatë takimeve në Dresden, ku e cilësoi Merkelin shoqe dhe e lavdëroi atë për analizën e saj inteligjente dhe mënyrën e saj direkte të komunikimit.

Angela Merkel po ashtu në Dresden ia ktheu me të njëjtin ton:

“Eshtë vërtet kënaqësi të bashkëpunosh me presidentin amerikan, sepse ne zhvillojmë një diskutim shumë të thellë dhe po ashtu analitik, shumë të dendur dhe po ashtu me vlerësime të njëjta. Dhe unë mendoj se kemi gjetur gjithmonë një zgjidhje të përbashkët. Prandaj pres me gëzim bashkëpunime të tjera”.

Sidoqoftë për disa tema vlerësimet janë krejtësisht të ndryshme, bën të ditur zyra e kancelares në Berlin. Një nga njerëzit e afërt të Merkelit përdori këtë formulim: Kancelarja në asnjë rast nuk merr pjese në ndonjë garë, që ka për moto: “Kush e ka më mirë me SHBA-në”.

Autor:Peter Stützle/Mimoza Cika-Kelmendi

Redaktoi: Angjelina Verbica

  • Data 25.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Ib2C
  • Data 25.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Ib2C