1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Merkel: Ne nuk e lemë Afganistanin në baltë

Përkujdesi për trupat dhe përshkrimi i së ardhmes ishin temat qendrore të vizitës së kancelares në Hindukush. Kabuli shprehu pakënaqësi për udhëtimin e paparalajmëruar të kryetares së qeverisë gjermane.

Gjatë një vizite blic në Afganistan kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel i ofroi ndihmë këtij vendi edhe pas fundit të misionit të NATO-s në vitin 2014. Por ajo njëkohësisht i vuri kushte qeverisë së presidentit Hamid Karsai. "Ne nuk duam që t’i lemë në baltë afganet dhe afganët“, tha Merkel para ushtarëve në kuartierin qendror të Bundesverit (ushtria gjermane) në Masari-Sharif në veri të Afganistanit. "Nëse vendet e tjera duan të bashkëveprojnë, Gjermania është e gatshme, që edhe pas vitit 2014 të vazhdojë të marrë përsipër përgjegjësi në një formë tjetër.„ Gjatë kësaj vizite kancelarja shoqërohej nga ministri i Mbrojtjes Thomas de Maizière.

Kancelarja bëri të qartë, se ndihma nuk do të jetë pa kushte. “Ne presim përparime, ne presim zgjedhje korrekte, ne presim një proces politik, sepse fitorja ndaj kryengritësve nuk mund të arrihet vetëm me forcë ushtarake.“

Të shtunën e kaluar në provincën që kufizohet me Kundusin, Baghlan, gjeti vdekjen një ushtar i njësisë elitë të forcave të komandës speciale (KSK). Kjo ishte hera e parë që një ushtar i KSK vritet në Afganistan. Kryekapterri ra në një pritë të talibanëve dhe u qëllua. 32 vjeçari ështëi pari ushtar i Bundesverit që prej gati dy vjetësh që vritet në Afganistan. Udhëtimi i Merkelit ishte planifikuar përpara se të ndodhte kjo vrasje. Gjatë misionit në Afganistan deri tani kanë gjetur vdekjen 53 ushtarë gjermanë, 35 prej tyre janë vrarë gjatë sulmeve dhe atentateve.

Ceremoni përkujtimore për ushtarët e rënë

Gjatë një ceremonie për nder të ushtarëve të rënë në memorialin përkujtimor në garnizonin e Bundesverit në Kundus, Merkel deklaroi: "Çdo i rënë është një goditje e rëndë për ne. Përderisa ne për një kohë të gjatë s’kemi pasur të vrarë, kuptohet që kjo ishte edhe një goditje prapaktheu. Ky rast na solli në vëmendje, se situata vazhdon të jetë e komplikuar.“ Ajo tha megjithatë, se është provuar efikasiteti i strategjiasë së kualifikimit të forcave luftarake afgane dhe kalimit të përgjegjësisë tek to. Bundesveri garnizonin në Kundus do t’ua dorëzojë në vjeshtë afganëve duke i dhënë fund misionit me humbje pas dhjetë vjetësh në provincën e trazirave.

Deri në përfundimin e misionit luftarak të NATO-s në fund të 2014 forcat e armatosura afagne (ANSF) gradualisht do të marrin përgjegjësinë. NATO do t’i stërvisë, konsultojë dhe mbështesë forcat e ANSF edhe pas vitit 2014 në një mision pasues. Gjermania ka ofruar, që të verë në dispozicion deri në 800 ushtarë. Ndërkohë Bundesveri ka ende 4300 ushtarë të dislokuar në Afganistan.

Nga qarqet qeveritare gjermane bëhet e ditur, se qeveria afgane për arësye sigurie u informua rreth vizitës nga ambasada gjermane pak pas uljes së avionit të kancelares në Afganistan. Edhe një këshilltar i Karsait tha, se qeveria në Kabul nuk e dinte më parë, që Merkel planifikon një vizitë në Afganistan.

Këshilltari i presidentit, i cili nuk donte të citohej me emër, tha se vizitat e paparalajmëruara nuk i përgjigjen „normës diplomatike“. Eshtë krejtësisht „mungesë respekti“, kur një përfaqësues qeverie nga jashtë viziton vendin, pa e njoftuar qeverinë afgane. Merkel të premten nuk shkoi në Kabul. Karsai nuk e takoi atë gjatë këtij udhëtimi.