1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Merkel në Kinë: Marrëveshje miliardëshe dhe të drejtat e njeriut

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka theksuar në vizitën e saj të shtatë në Kinë, se zhvillimi ekonomik dhe të drejtat e njeriut shkojnë krah njëri-tjetrit. Por publikisht nuk përmendi raste konkrete.

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka kërkuar në Kinë më shumë hapje të tregut kinez për firmat e huaja dhe më shumë reforma. Gjermania është e hapur për investorët kinezë, tha Merkel, por ajo kërkoi akses të barabartë edhe për investorët gjermane në tregun kinez. Gjatë një vizite në Kinë, kancelarja Merkel dhe kryeministri kinez, Li Keqiang, përforcuan qëndrimin se të dyja vendet duan të bashkëpunojnë më ngushtë me njëri-tjetrin. Për këtë për vitin 2015 është planifikuar një "ofensivë inovacioni", e cila konkretizohet vitin e ardhshëm, kur Kina do të jetë vend partner i panairit të kompjuterit, Cebit, në Hanover.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Li, Merkel u shpreh se "kemi bërë edhe njëherë të qartë se për ne zhvillimi ekonomik, të drejtat e njeriut dhe zhvillimi civil i shoqërisë janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Merkel nuk përmendi publikisht raste konkrete të shkeljes së të drejtave të njeriut, si dëshirën e artistit pamor të njohur, Ai Weiwei, për të vizituar ekspozitën me veprat e tij në Berlin. Artisti nuk merr leje udhëtimi nga autoritetet kineze.

Ndërkohë kryeministri kinez Li siguroi se Kina do të ndërmarrë reforma në drejtim të drejtave të njeriut. "Ne do të punojmë me këmbëngulje për ngritjen e një shteti të së drejtës në Kinë", tha Li duke theksuar interesin e qeverisë së tij për të qëndruar në dialog me Gjermaninë edhe për çështjen e të drejtave të njeriut dhe strukturave të shtetit të së drejtës. Kina ndodhet para sfidave të mëdha, tha ai, dhe duhet të nxjerrë nga varfëria rreth 200 milionë vetë.

Biznese miliardëshe

Kancelarja gjermane shoqërohet nga një delegacion ekonomik në Kinë. Gjatë kësaj vizite janë nënshkruar marrëveshje miliardëshe: Volkswagen ra në ujdi me partnerin kinez, prodhuesin e automobilëve FAW, për të hapur edhe dy fabrika të tjera në Kinë. Kjo marrëveshje hap mundësinë e një investimi prej 1 miliardë euro. Me 20 milionë automjete të shitura në tre dhjetëvjeçarët e fundit, Volkswagen është ndërkohë lider i industrisë së automjeteve në Kinë.

Ndërkohë në praninë e kancelares Merkel dhe kryeministrit Li koncerni europian Airbus nënshkroi një marrëveshje për furnizimin e Kinës me 100 helikopterë, në vlerë prej 300 milionë euro. Lufthansa arriti marrëveshje me partnerin e Star Alliance në Kinë, Air China të zgjeriojnë bashkëpunimin aktual me oferta dhe destinacione të reja fluturimi.

Ndërkohë si me rëndësi nga pikëpamja strategjike ekonomia gjermane sheh faktin që Frankfurti, epiqendra financiare e Gjermanisë, merr lejen të transferojë deri në 80 miliardë juan (9,5 miliardë euro) në Kinë. Ky liberalizim thjeshtëson dhe ul çmimet e transfertave me Kinën, që kryhen përmes valutës vendase.

Merkel dhe Li theksuan se marrëdhëniet mes dy vendeve po bëhen gjithnjë e më të ngushta. Me një vëllim tregtar prej 140 miliardë eurosh në vit Kina është një nga partnerët më të rëndësishëm tregtarë të Gjermanisë.