1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Merkel: në fillim përmbajtjet evropiane, pastaj personeli

Në debatin e nxehtë për Presidentin e ri të Komisionit Evropian, kancelarja Merkel shpreson të ketë një zgjidhje kompromisi. Këtë ajo dëshiron ta arrijë, duke e dhënë përmbajtjes rëndësi qendrore.

"Jean-Claude Juncker është për mua kandidati, unë dua ta kem atë (si president të Komisionit), këtë e kam thënë në Gjermani dhe këtë e përsëris edhe këtu", tha kancelarja Angela Merkel në përfundim të takimit të nivelit të lartë në Harpsund të Suedisë. Megjithatë kjo nuk kishte qenë tema kryesore e bisedimeve midis saj dhe kryeministrave të Britanisë së Madhe, Suedisë dhe Hollandës, David Cameron, Frederik Reinfeldt dhe Mark Rutte.

Në këtë takim jozyrtar është diskutuar më tepër për agjendën evropiane të pesë viteve të ardhshme, tha Merkeli. Rritja ekonomike në Evropë është e brishtë dhe Evropës i duhet të luftojë për vendin e saj në konkurencën globale. Prandaj BE ka nevojë për impulse rritjeje, për reforma strukturore dhe për zhvillimin e mëtejshëm të tregut të brendshëm, para së gjithash në tregun energjetik dhe në zhvillimin digjital. Vende të reja pune do të krijohen në degën e shërbimeve dhe në ekonominë digjitale. Prandaj tregtia e lirë duhet të jetë temë qendrore. Edhe lëvizja e lirë mbetet e rëndësishme për Evropën. Megjithatë duhet bërë gjithçka, që ato të mos shpërdorohen, tha Merkeli duke prekur diskutimin për shpërdorimin e shërbimeve sociale. Për këtë temë në fund të fundit diskutohet intensivisht edhe në Gjermani, tha kancelarja. "Ne duhet ta fillojmë këtë punë, duam të fillojmë me përmbajtjet", tha përmbledhtaz Merkeli.

Parlamenti dhe Këshilli duhet të bashkëveprojnë më mirë

Merkeli bëri të ditur se agjendën e rritjes, për të cilën u ra dakord njëzëri në Harpsund do t'ia përcjellë tani Presidentit të Këshillit të BE, Herman van Rompoy - për të bërë të qartë "ku janë pikërëndësat tona". Në vitet e fundit, Parlamenti i BE dhe Këshilli i BE kanë ndjekur rrugë të ndryshme. Tani shansi duhet të shfrytëzohet, të caktohen përmbajtje dhe të biet dakord për një agjendë të përbashkët.

David Cameron, Angela Merkel, Fredrik Reinfeldt dhe Mark Rutte në të njëjtën varkë.

David Cameron, Angela Merkel, Fredrik Reinfeldt dhe Mark Rutte në të njëjtën varkë.

Pasi e pyetën, Merkeli u ndal edhe njëherë në diskutimin për personelin, rreth Junckerit dhe skicoi një kompromis. Marrëveshjet duhet të respektohen, tha Merkeli. Dhe pas kësaj, Këshilli bën një propozim për emërimin e Presidentit të Komisionit dhe e di se ky propozim duhet të gjejë shumicë në Parlament. "Prandaj ne e dimë se ne nuk do të jemi në gjendje ta zgjidhim vetë këtë." Nga ana tjetër, edhe Parlamenti e di se Këshilli duhet të bëjë propozime. "Po të jemi të zgjuar, ne e respektojmë veten si institucione", tha Merkeli. Prandaj ajo i është lutur Van Rompoy-t që të ndërmjetësojë.

Kërcënimet janë rruga e gabuar

Duke folur në adresë të Cameronit, Merkeli tha se vendimet e përbashkëta duhet të merren në një frymë evropiane. "Kërcënimet nuk bëjnë pjesë këtu." Cameroni pati kërcënuar me daljen e Britanisë së Madhe nga BE, sepse ai është kundër Junckerit.

"Ky nuk është konflikt midis Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe", paralajmëroi Presidenti i Këshillit të BE, Herman van Rompoy në Bruksel. Duhet gjetur së bashku një zgjidhje.