1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Merkel në Afganistan

Përpara se politikanë të huaj të shkojnë në Afganistan, zotëron konspiracion i plotë. Rreziku i një atentati në këtë vend është shumë i madh. Edhe vizita e kancelares Merkel nuk u njoftua zyrtarisht më parë.

Merkel në Mazar-i-Sharif

Merkel në Mazar-i-Sharif

Tmerri në Afganistan për masakrën e shkaktuar nga një ushtar amerikan në amok ndjehet kudo. Edhe pse jo secili do të shkonte kaq larg sa ky burrë nga Kandahari: "Si është e mundur që një i pafe hyn në shtëpitë e muslimanëve dhe masakron fëmijë dhe gra? Unë jam shumë i dëshpëruar. Unë jam gati të kaloj në anën e talibanëve dhe të luftoj kundër të huajve."

Merkel i shprehu ngushëllime presidentit afgan

Kaq shumë i ka tronditur amoku i ushtarit amerikan të dielën afganët dhe trupat e huaja, saqë kancelarja në vizitën e saj në veri të vendit pyetej vazhdimisht për këtë çështje. Në një telefonatë direkt nga kampi Mazar-i-Sharif Angela Merkel i shprehu ngushëllimin presidentit afgan. Dhe asaj iu desh t'u përgjigjej pyetjeve, nëse nga aksione të tilla, si ai i së dielës, brenda disa orëve shkatërrohet ajo, që është krijuar me mund për vite me rradhë. "Nuk do t'i korrespondonte të vërtetës po të thuash se nuk është për t'u shqetësuar. Por unë besoj, se po t'i peshosh gjërat, nga njëra anë sheh përparim nga ana tjetër ndodhin gjëra, që vazhdojnë të të krijojnë shqetösim, kjo është plotësisht e drejtë."

Një gjë duhet të jetë e qartë. Vrasjet e së dielës i shfrytëzojnë në rradhë të parë talibanët. Ekstremistët e kanë shfrytëzuar tej mase amokun për propagandën e tyre dhe kanë shpallur se do të kryejnë sulme hakmarrëse. Jashtëzakonisht i ashpër ishte reagimi i parlamentit afgan. Kufiri i tolerancës së afganëve është arritur, paralajmëruan politikanët në një deklaratë të përbashkët. Dhe aktivisti afgan i të drejtave të njeriut Nadir Naderi është i sigurtë: "Veprime të tilla dëmtojnë të gjitha përpjekjet për të stabilizuar Afganistanin. Dhe ngrenë pyetje serioze lidhur me disiplinën e trupave. Dhe u japin kryengritësve gjithnjë e më shumë instrumenta në dorë, për të nxitur njerëzit kundër qeverisë afgane dhe partnerëve të saj ndërkombëtarë."

A ndikojnë ngjarje të tilla në afatin e tërheqjes së trupave?

Shumë pyetje vazhdojnë të mbeten pa përgjigje: Çfarë motivi kishte atentatori? A kishte ai ndonjë motiv? Dhe si mundi ai në mes të natës të dalë nga kampi i siguruar me tela me gjemba dhe roje? Njeriu në amok sipas mediave amerikane ka qenë një burrë nga fundi i të tridhjetave, baba i dy fëmijëve, i cili ka marrë pjesë në disa operacione në Irak dhe që nga dhjetori është për herë të parë në Afganistan. Një tjetër pyetje, që shtrohet: A ndryshon amoku, a ndryshojnë djegjet e kuranit, pas të cilave vendi përjetoi ditë të zemërimit të vertetë, a ndryshojnë ato diçka në datën e tërheqjes së trupave ndërkombëtare në vitin 2014?

"2014 është afati i tërheqjes. Ne jemi tani në fazën e dorëzimit të përgjegjësive."

Kötö e bëri të qartë edhe një herë Angela Merkel në veri të Afganistanit. Në planin e saj personal të udhëtimit kancelarja u desh të bëjë ca ndryshime. Për shkak të motit të keq ajo nuk mundi të vizitojë kampin në Kundus. Kur Angela Merkel mbërriti në Mazar-i-Sharif binte borë.

Autor: Kai Küstner/Angjelina Verbica

Redaktoi: Elert Ajazaj

DW.COM