1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Merkel, Monti, Sarkozy - Kush udhëheq vallë në Europë?

Gjithnjë e më shpesh zhvillohen samite të BE, si ai i hënës në Bruksel. Kancelarja Merkel aktualisht jep tonin, presidenti i Francës mban ison dhe së fundmi kryeministri i Italisë Monti është çuditërisht i rëndësishëm.

Merkel dhe Sarkozy: Takime të shpeshta kundër krizës

Merkel dhe Sarkozy: Takime të shpeshta kundër krizës

Kancelarja Angela Merkel përfaqëson në samitin e BE në Bruksel të vetmin vend të madh në eurozonë, që merr një vlerësim optimal nga agjencitë e ratingut. Gjermania është lokomotiva e zhvillimit ekonomik në Evropë, edhe pse këtë vit në nivel të ulët. Për shkak të fuqisë ekonomike Angela Merkelit i takon një rol udhëheqës, të cilin e zbuloi me ngurrim para dy vjetësh, por qe po e zbaton gjithnjë e më me guxim.

Në forumin ekonomik botëror të javës së kaluar në Davos Merkel hezitoi, që të merrte më shumë para në dorë për të penguar zgjerimin e krizës. Që ta bëjë këtë e këshillojnë prej muajsh FMN-ja, SHBA dhe shtetet bashkëdrejtuese në Evropë. Deri tani Angela Merkel është mbështetur nga presidenti francez Sarkozy. Në këtë dy vjet të menaxhimit të krizës pozicionet e dy partnerëve, të cilëve shtypi u dha emrin "Merkozy", janë afruar gjithnjë e më shumë.

"S'kam ç'bëj që Gjermania është e madhe!"

Stili drejtues i Merkozy-t, nuk u pëlqen ndërkohë shumë kryetarëve të shteteve të BE. Kryeministri i Luksemburgut, Jean-Claude Juncker, kryeministri me vjetërsinë më të madhe të punës në BE, u ankua në një intervistë me "Handelsblatt": "Unë jam kundër krijimit të përshtypjes, se e gjithë BE kullundriset gjithmonë në mullirin gjermano-francez." Juncker u ankua se Merkel dhe Sarkozy shpesh propozimet e vjetra për stabilizimin e 17 vendeve të eurozonës i shesin si idetë e tyre. Në fakt ata janë vendosur në eurogrup, pra në mbledhjen e ministrave të Financave, tha Juncker, i cili është kryetari i eurogrupit dhe do të largohet nga detyra në verë.

Angela Merkel vetë mbrohet nga këto akuza. Me fytyrë të pafajshme ajo tha javën e kaluar në një konferencë shtypi në Berlin: "Që ne jemi kaq të mëdhenj, nuk është faji ynë." Por nuk është se ajo urdhëron e vetme se çfarë duhet të vendosin, tha kancelarja. "Sepse ne nuk mund të bëjmë sehir dhe të themi, se secili do të bëjë gjërat në rregull. Edhe ne jemi të gatshëm, të mësojmë nga njëri-tjetri. Kjo nuk ka të bëjë aspak me dominancë."

Franca dobësohet pa AAA

Presidenti francez Nicolas Sarkozy është përpjekur deri tani, t'u japë francezëve ndjenjën, se ai e jep drejtimin në dyshen Merkozy. Por që kur Franca humbi para dy javësh vlerësimin AAA dhe prognozat ekonomike të saj janë shumë modeste, është e qartë se rëndësia e tij në dyshen drejtuese është relativizuar. Në fushatën elektorale për t'u rizgjedhur në prill 2012 Sarkozy do t'i fitojë francezët për reforma dhe disiplinë buxhetore. Ai kërkon me vetëdije afërsinë e kancelares Merkel, e cila gëzon prestigj në Francë. Madame Merkel do ta mbështesë mikun e saj Sarkozy në fushatën zgjedhore. Nicolas Sarkozy e ka ndihmuar Merkelin edhe në fushatën në vitin 2009. Sekretari i shtetit i Sarkozy-t për tregtinë e jashtme, Pierre Lallouche, tha të dielën (29.01.2012) në televizionin francez se Franca duhet të mësojë nga Gjermania. Industria me orientim eksportin duhet të ndërtohet ngjashëm si në Gjermani.

Partneri i pëlqyer Mario Monti

Partneri i pëlqyer Mario Monti

Monti bashkëpunon

Gjithnjë e më rëndësi fiton në drejtimin e Europës kryeministri i ri italian Mario Monti. Profesori i ekonomisë pa parti në një kohë të shkurtër ka ndërmarrë në Itali reforma dhe plane kursimesh, që për vite me rradhë dukeshin të pamundura nën kryeministrin e skandaleve Silvio Berlusconi. Monti e di, që euro mund të vazhdojë të ekzistojë, në qoftë se vendi i tij e kapërcen krizën e borxhit. Ai kërkon me vetëdije më shumë solidaritet, pra para nga Gjermania. Kjo nga ana tjetër kjo do t'i pëlqejë më pak Angela Merkelit. Fundja ajo dhe Nicolas Sarkozy ishin për dorëheqjen e Berlusconit dhe hapën rrugën për Monti-n. Duoja drejtuese Merkozy zgjerohet në trio, me pseudonimin "Merkonti".

Nuk mund të përballojmë struktura paralele

Deputetët e Parlamentit Europian e shohin rolin udhëheqës të kryetarëve të shteteve me ndjenja të përziera. Paketa e re fiskale është një marrëveshje ndërmjet shteteve, jashtë ndikimit të parlamentarëve. Deputeti i CDU-së Elmar Brok e vlerëson në bisedë me Deutsche Welle paktin si një hap për zgjidhjen e krizës. Gjithsesi parashikohet që pakti të konvertohet në ligjin e BE. "Metoda komunitare do të ruhet", thotë Brok. Presidenti konservator i Komisionit të BE, Jose Barroso nuk është aq i sigurtë. Komisioni, administrata e BE, e ka humbur pushtetin në krizë. Barroso paralajmëroi: "Në qoftë se ne duam që të funksionojmë, nuk duhet të mbjellim çoroditje. Ruga më e mirë është të respektojmë institucionet ekzistuese të komunitetit. Komisioni, Parlamenti, natyrisht BQE. Ne nuk mund të përballojmë struktura paralele." Britania e Madhe është distancuar. Kryeministri David Cameron theksoi edhe një herë para samitit, se ai nuk do të marrë pjesë në bashkimin fiskal.

Autor: Bernd Riegert/Angjelina Verbica

Redaktoi: Lindita Arapi

DW.COM