1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Merkel- Medvedjev: çështje ekonomike dhe të drejtat e njeriut në axhendën e takimit

Kancelarja gjermane Angela Merkel takohet sot në Soçi me Presidentin rus Dmitri Medvedev. Takimi mbahet nën hijen e vrasjeve të fundit të aktivisteve për të drejtat e njeriut në Çeçeni. Po ka edhe tema të tjera.

Qyteti i Detit të Zi, Soçi -vend i takimit Merkel- Medvedjev

Qyteti i Detit të Zi, Soçi -vend i takimit Merkel- Medvedjev

Gati të gjitha janë si para një viti. Në Soçi bën vapë dhe turistët festojnë fillimin e sezonit të ri veror. Por në këtë qytet të Detit të Zi ka dhe ndryshime. Kancelarja gjermane Angela Merkel do të ketë në takimin me Presidentin Medvedjev një humor shumë më të mirë se para një viti. Raportet mes Merkelit dhe Medvedjevit ishin shumë të ftohta, sepse takimi i fundit në Soçi u zhvillua pak ditë pas përfundimit të luftës në Kaukaz. Kancelarja gjermane dhe Presidenti rus ishin të bindur se qëndrimet e tyre janë të drejta, sa i përket kundërshtimit apo mbështetjes së Osetisë Jugore dhe Abkazisë në luftën kundër trupave të Gjeorgjisë. Kancelarja Merkel konkludoi atëherë, pavarësisht nga përpjekjet e Medvedjevit për ta bindur:

"Përndryshe, unë mendoj se në një konflikt të tillë të vështirë, rrallë është fajtore vetëm njëra palë".

Çështja e fajit për këtë luftë momentalisht është futur në dosje, ndonëse konflikti nuk është shuar në tërësi dhe zgjidhja përfundimtare është shumë larg. Problemet e tjera duken aktualisht më akute.

Angela Merkeli ndodhet në fushatë elektorale dhe me ndihmën ruse mund t'i zgjidhë në vend dy probleme ekonomike. Së pari, problemin e investimeve në Opel, sepse Merkeli favorizon interesat e Magnës, e cila bashkëpunon me bankën ruse Sberbank. Dhe së dyti, furnizimin me gaz. Në konferencën e Mynihut, Medvedjevi u angazhua për zgjidhje të shpejta.

"Para vetes kemi një varg idesh dhe detyrash interesante, të cilat duhet të ndihmojnë për dalje nga kriza. Kemi biseduar gjatë për Opelin, Magnën dhe Sberbankën. Kanë mbetur edhe shumë çështje të hapura, por ne shikojmë me optimizëm mundësinë e marrëveshjes. Ne do t'i bëjmë të gjitha për zbatimin e marrëveshjeve."

Magna ka paralajmëruar këtë të enjte (13.8.) se ka avancuar edhe një hap përpara drejt zgjidhjes, por te General Motors-i thonë se duhet verifikuar oferta më e re. Sqarime të tjera nevojiten edhe për projektin e dytë, të mbështetur nga Merkeli dhe Medvedjevi, për ruajtjen e kantiereve detare Wadan në Meklenburg-Forpomerani. Drejtuesi i Gazpromit, Igor Jusufov është i interesuar që së bashku me djalin e tij ta blejë këtë sipërmarrje të falimentuar. Thuhet se kanë rënë dakord edhe lidhur me çmimin. Merkeli do të dijë nëse planet e investitorit të ri për shpëtimin e sipërmarrjes janë serioze.

Më në fund, Merkeli do të bisedojë me Medvedjevin edhe për ecurinë e hetimeve lidhur me vrasjet e fundit të aktivisteve të të drejtave të njeriut në Rusi. Ajo ka bërë të qartë se vetëm fjalët më nuk mjaftojnë.

Autor: Kristina Nagel/Moskë/Bari Cani

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 14.08.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JBC3
  • Data 14.08.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JBC3