1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel me premtime të reja në Athinë?

exh (dpa, rtr)11 Prill 2014

Kjo javë s'ka qenë aspak e keqe për qeverinë e Greqisë. Vendi u rikthye në tregjet e kapitalit dhe tani shkon për vizitë kancelarja gjermane. Megjithëse herën e fundit ajo nuk ishte aq e mirëpritur nga populli grek.

https://p.dw.com/p/1Bg7Q
Angela Merkel dhe Antonis Samaras. Tetor 2012
Fotografi: Reuters

Kancelarja gjermane Angela Merkel, siç u bë e ditur para bisedimeve, do të mbështesë qeverinë e kryeministrit konservator Antonis Samaras në kursin e saj të kursimeve. Krahas bisedimeve me Samaras janë planifikuar edhe takime me sipërmarrje greke të mesme dhe të reja. Në mbrëmje kancelarja dhe Samaras do të informojnë së bashku gazetarët për bisedimet e tyre.

Trazira, si ato që pati gjatë vizitës së fundit në Athinë të Merkelit në tetor 2012, nuk priten. Atëherë kancelarja u bë përgjegjëse edhe personalisht për përkeqësimin e kushteve të jetesës së shumë grekëve, si pasojë e kursit të saj të rreptë të kursimeve në krizën e euros.

Autobombë në Athinë 10.04.2014
Autobombë në AthinëFotografi: Reuters

Kancelarja ka theksuar vazhdimisht se Gjermania do t'u qëndrojë pranë me ndihmën e saj grekëve, në përpjekjet për rimëkëmbjen e financave të shtetit. Qeveria gjermane në të njëjtën kohë, brenda BE-së dhe eurogrupit, ka ngulur këmbë që kursi strikt i kursimeve të vazhdojë.

Tre miliardë në arkë

Të enjten (10.4.) Greqia u rikthye në tregjet e kapitalit, gati katër vjet pas kolapsit financiar. Për herë të parë që prej thirrjes për ndihmë drejtuar partnerëve evropianë, investitorët privatë i besojnë Greqisë paratë e tyre për periudhë afatgjatë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave në Athinë, në tregun e obligacioneve u mblodhën tre miliardë euro, rreth një gjysmë miliardi më shumë nga sa synohej. Investitorët marrin një interes nominal prej 5 për qind për titujt e rinj financiarë të shtetit grek, me një afat maturimi pesëvjeçar.

Greqia shkëputet kështu disi nga serumet financiare të kreditorëve. Që prej gati falimentimit shtetëror në pranverë 2010, Greqia ishte shkëputur nga tregu i kapitalit, pasi investitorët kishin humbur besimin tek vendi për shkak të katastrofës financiare.

Kryeministri Samaras parlajmëroi megjithatë bashkëkombasit e tij të mos i zvogëlojnë përpjekjet në luftën kundër krizës. "Mos bëni gabime: kemi ende një rrugë të gjatë përpara", deklaroi kryeministri në televizionin grek.

Pas shpërthimit të një makine bombë në Athinë, e cila të enjten (10.04.) shkaktoi dëme materiale, policia ka ndaluar të gjitha demonstrimet në lagjen qeveritare për ditën e vizitës së kancelares. Sindikatat, partia më e fortë opozitare, të majtët radikalë të Syrizas dhe grupime autonome, kanë bërë thirrje për protesta.