1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Merkel: Lufta civile në Siri zgjidhet vetëm me Rusinë

Rusia është e nevojshme për të përballuar krizat ndërkombëtare, thotë kancelarja Merkel në intervistë me DW. Megjithatë në rrethin e vendeve më të industrializuara, -G7, Moska aktualisht nuk është e mirëpritur.

Një zgjidhje për luftën civile në Siri, sipas mendimit të kancelares gjermane Angela Merkel (CDU), mund të arrihet vetëm me përfshirjen e Rusisë. Prandaj Moska në formatet e tjera të bisedimeve, ndryshe nga raundi i G7, mbetet "një partner i rëndësishëm", si për shembull për zgjidhjen e çështjes së programit bërthamor iranian, tha Merkel të premten për Deutsche Welle në Berlin (në foto më sipër: Merkel në një intervistë me kryeredaktor Dagmar Engel). Edhe eliminimi i armëve kimike nga Siria është arritur vetëm me ndihmën e Rusisë.

Në intervistë kryetarja e qeverisë gjermane u shpreh edhe lidhur me krizën e borxhit të Greqisë. Ajo shpreson, dhe këtë do ta thotë edhe në G7, se bisedimet që po zhvillohen me Athinën "mund të përfundojnë me sukses." Pak para takimit të krerëve të shteteve dhe qeverive këtë të dielë, Merkel, e cila mban aktualisht presidencën e G7, është prononcuar në intervista të ndryshme në kanalet kryesore të lajmeve të botës perëndimore.

Në të njëjtën kohë Merkel theksoi se Rusia aktualisht nuk mund të përfshihet në formatin G7. Moska vitet e fundit "nuk u është afruar" shumë ideve të vendeve kryesore të industrializuara, argumentoi kancelarja. Me pranimin e Rusisë në rrethin e G7 në vitin 1998 janë pritur "më shumë gjëra të përbashkëta", veçanërisht në kuadrin e përpjekjeve të mbrojtjes. Si shembull kancelarja theksoi partneritetin NATO-Rusi. Të dyja palët themeluan në këtë kontekst në vitin 2002 një këshill të përbashkët.

Më shumë angazhim kundër epidemive

Kancelarja Angela Merkel

Kancelarja Angela Merkel

Merkel përmendi në fillim të bisedës me Deutsche Wellen defiçitet në luftën ndërkombëtare kundër epidemive dhe pandemive. Në këtë çështje duhet të bëhen përparime në takimin në kështjellën bavareze Elmau. Kur shpërtheu epidemia e ebolës në tre vende të Afrikës Perëndimore në fillim të vitit 2014, bashkësia ndërkombëtare "nuk ka reaguar mirë, shumë me vonëse, dhe jo sa duhet në unitet. Kjo nuk duhet të përsëritet."

Në ditën e dytë të takimit të G7 diskutimeve do t'u bashkangjiten disa liderë afrikanë, ndër ta edhe presidentja e Liberisë, Ellen Johnson Sirleaf. Ajo i kishte kërkuar Merkelit në një apel dramatik publik në kulmin e krizës së ebolës në shtator 2014 , që ta ndihmonte vendin e saj për përballimin e sëmundjes. Prania e saj në Elmau do të "na bëjë edhe një herë të ndërgjegjshëm, se sa e rëndësishme është tema e shëndetit", tha Merkel.

Greqia nuk do ta rëndojë takimin e G7

Kancelarja gjermane nuk pret që situata dramatike e borxhit në Greqi do të errësojë takimin në Elmau. Greqia nuk është temë qendrore në diskutime. Duke parë situatën ekonomike globale, G7 do të diskutojë edhe për situatën në Eurozonë. Pjesëmarrësit evropiane mund të theksojnë sukseset në Irlandë, e cila ka sot rritjen më të madhe ekonomike të Bashkimit Evropian. Edhe në vendet e krizës Portugali dhe Spanjë, ekonomia është përsëri në rritje.

Në Elmau takohen kryetarët e shteteve të G7

Në Elmau takohen kryetarët e shteteve të G7

Pjesëmarrësit në bisedimet G7 janë "shtete demokratike, që kanë si të përbashkëta të njëjtat vlera", tha Merkel. Midis tyre "komunikim më të lirë, më intensiv", i cili përcaktohet nga sistemet demokratike. Por krahas kornizës së G7, nevojitet edhe formati komplementar G20, i cili përfshin vende me rende krejtësisht të ndryshme shoqërore. Në raundin G20 që nga viti 1999 mblidhen së bashku për konsultime 20 vendet më të rëndësishme të industrializuara dhe ato në zhvillim.